Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama i ka kthyer përgjigje kundërkandidatit të tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitia, pasi ky i fundit në një video të publikuar ka ironizuar duke qeshur me një projekt të Ramës.
Rama ka thënë se pas këtij gjesti të Vitisë, e ka humbur respektin ndaj tij.
Më tutje, Rama në Kanal 10 tha se Vitia nuk e ka ditur planin e tij për pjesën e ndërtimit të një liqeni tek Stadiumi “Fadil Vokrri”.
“Më erdhi keq që e pashë atë sepse e humba atë respektin për kundërkandidatin për arsye se ato shihet që ai as që e dinë se çfarë kam thënë në fakt dhe në një mënyrë nuk merret me seriozitet të cilin e meriton Prishtina. Merret me hajgare. Menaxhimi i një kryeqyteti si Prishtina me banorë është 400-500 mijë banorë, duhet të merret me seriozitet in më të madhë dhe të duhet shfrytëzohen hapësirat për ta transferuar atë informatë tek qytetari në bazë të planeve konkrete të zgjidhjeve të problemeve të qytetit e jo të hajgareve”, ka thënë ai.