Profesori universitar, Milazim Krasniqi, përmes një postimi në facebook ka treguar arsyet pse ndikimi rus në Bosnjë dhe Serbi është i fuqishëm.
“Ndikimi rus në Rrepublika Serpska të Bosnjës është evident, ndërsa në Serbi ndikimi rus është shumë i fuqishëm, gjë që shihet edhe nga Qendra Humanitare Ruse në Nish dhe nga Gaspromi, i cili ka edhe njësi të armatosura në tokën serbe. Tashmë nuk është sekret që politikanë rusë kanë shfaqur haptas mendime se Rusia duhet ta rikthejë influencën e dikurshme në Ballkan”, shkruan Krasniqi.
Sipas tij, Serbia nuk zbaton politikat e BE-së e të SHBA-ve në raport me Rusinë.
“Vizitat e shpeshta të zyrtarëve serbë të Republika Serpskas dhe të Serbisë në Moskë dhe të zyrtarëve rusë në Beograd, janë vetëm maja e ajsbergut e kësaj lidhjeje që po e shndërron Serbinë në një shtet vasal të Putinit dhe Republika Serpskan , në një "place d’arme" rus. Fakti që Serbia nuk ka pranuar të imponojë sanksione ndaj Rusisë dhe as të dëbojë diplomatët rusë për rastin Skripal, vërteton se Serbia nuk zbaton politikat e BE-së e të SHBA-ve në raport me Rusinë”, thotë Krasniqi në postimin e tij.
“Poashtu, presionet e Serbisë janë permanente ndaj Shkupit, Prishtinën dhe Sarajevës, saktësisht në linjat ku llogaritet se është më e dukshme dobësia e Perëndimit, për shkak të paragjykimeve që kanë ndaj muslimanëve, d.m.th ngadalësimit të anëtarësimit të këtyre shteteve në BE dhe në NATO. Pra, e përbashkëta e krizave në linjën Shkup-Prishtinë-Sarajevë, ka të bëjë me taktikat e goditjeve serbe, që janë në funksion të rikthimit të influencës serbe dhe ruse në këto hapësira”, përfundon profesor Milazim Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.