“I la vajzat jetime dhe atë ma t'bukurën ia shitën”/Çun Lajçi tregon historinë e Smajl Demës, viktimë e UDB-së që ia dëmtuan varrin në Rugovë?

Aktuale

“I la vajzat jetime dhe atë ma t'bukurën ia shitën”/Çun Lajçi tregon historinë e Smajl Demës, viktimë e UDB-së që ia dëmtuan varrin në Rugovë?

Nga: M.L. Më: 7 nëntor 2021 Në ora: 20:14
Foto e publikuar nga Çun Lajçi

Aktori Çun Lajçi ka publikuar gjatë ditës së sotme një fotografi nga varri Smajl Demës së Koshutanit të Rugovës.

Sipas Lajçit Smajl Dema u vra në vitin 1961 nga UDB-ja serbe, derisa Lajçi thotë se ishte vet dëshmitar i ngjarjes.

Fotografia që ai ka postuar tregon varrin e Smajl Demës të dëmtuar rëndë, ndërsa pyet se kujt po i pengojnë viktimat e UDB-së?.

“Kush përfitoi nga spiunimi dhe për çka? I la vajzat jetime dhe ate ma t'bukurën, (që s'i gjindej edhe nji shoqe n'Rugovë), thonë ia shitën njenit nga Deva, e ai e çoi n'Shqipni. Atje e la dhe u kthye prap n'Devë, sepse ishte nye i dyfisht i UDB-së!”, shkruan Lajçi teksa tregon historinë e Smajl Demës.

Postimi i plotë:

Kujt i pengojnë viktimat e UDB-së

Mos shkruej thashë e si ta ndali dorën e s'i t'mos e kthej kohën, t'vërtetën që vret edhe sot?!

Ha çka s'hahet e mos shkruej thashë, por si t'mos shkruej për pranverën e viti 1961, për dorën e zgjatun t'UDB-së n'Rugovë që ia mori jetën Smajl Demës t'Koshutanit.

Si t'heshti, kur isha ai nxanësi me nji strajcë fletore n'krah, që po kthehesha nga shkolla, e të ura me ndali milicia: "Stani! Ovuda nemožeš".

Unë u ngjita shpatit. U mshefa ndër kaçuba dhe e shikova trupin pa jetë të Smajl Demës, që luejshin valët e lumit me shallin e bardhë e setrën e zezë!

Kush e vrau natën n'urë e kush e hudhi n'lum? Kurrë s'foli kush n'Drelaj! Se edhe aty ishin tre UDB-ash!

Kush përfitoj nga spiunimi dhe për çka? I la vajzat jetime dhe ate ma t'bukurën, (që s'i gjindej edhe nji shoqe n'Rugovë), thonë ia shitën njenit nga Deva, e ai e çoi n'Shqipni. Atje e la dhe u kthye prap n'Devë, sepse ishte nye i dyfisht i UDB-së!

Po shkruej, sepse sot dikush e paska vra për s'dyti herë. Ia paska thye pllakën që ia ngritën kusherijtë mbas 60-të vitësh! E ai dikushi, s'mund t'jetë nga Sërbia, as nga Dukagjini. Asht dikush nga klyshtë që i la UDB-ja n'Rugovë, që e djegë faji e me çdo kusht don me vra edhe emnin n'granit!

Si t'ha e t'mos shkruej kur vet e pashë kufomen e tij n'pranverën e vitit 1961, n'lumin e tërbuem!

Kujt i pengojnë viktimat e UDB-së?

07.11.2021

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat