Emocionohet Nasim Haradinaj, qan gjatë fjalimit në Hagë

Aktuale

Emocionohet Nasim Haradinaj, qan gjatë fjalimit në Hagë

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 07:38
Nasim Haradinaj

(E plotësuar 15:55) Haradinaj thotë se është trajtuar me përbuzje nga prokuroria në Hagë, kërkon që gjykimi ndaj tij të përfundojë sa më parë

Ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj ka thënë se është trajtuar me përbuzje nga Prokuroria Speciale në Hagë. Ai ka bërë një deklaratë para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara, ku ndër të tjera ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS) është e njëjtë me prokuroritë e kohës së ish-Jugosllavisë të cilët nuk kanë prova por i kurdisin gjëra të njëjta në vazhdimësi.

Para trupit gjykues të kryesuar nga Charles L.Smith, Haradinaj ka thënë se po i nënshtrohet një procesi të padrejtë e selektiv të ZPS-së.

Haradinaj: Jam përbuzur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

“Këto komente të shkurta i bëj si qytetar krenar i Republikës së Kosovës që i është nënshtruar një procesi nga prokuroria që mund të cilësohet vetëm si e padrejtë dhe selektive. Tani ju bëj thirrje të nderuar gjyqtar, të një institucioni kombëtar të vendit tim të linjë, ta përfundoni këtë çështje. Jam trajtuar me përbuzje të plotë nga prokuroria dhe javët e fundit, muajt e fundit kanë treguar fare qartë për të gjithë se frika jonë më e madhe është realizuar. Edhe pse prokuroria nuk e Meriton aspak që unë të jem këtu i pranishëm në këtë sallë dhe të ua bëjë dekorin figurativ, gjithsesi më shtyri parimi bazë që për të vërtetën nuk duhet hezituar kurr, dhe përballja me ata që kërkojnë të shpifin dhe poshtërojnë gjithçka që ne mbrojmë duhet bërë pikërisht për hirë të kësaj të vërtetë”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë, ai ka thënë se ndjehet krenar dhe i ka kërkuar trupit gjykues që sa më parë të përfundojë gjyqin ndaj tij.

Akuzat të cilat rëndojnë mbi të, Haradinaj i ka quajtur qesharake, ndërkohë ka thënë se nuk ka asnjë provë kundër tij.

Gjatë fjalimit të tij të cilin nuk arriti ta lexojë të plotë për shkak të kohës së dhënë nga trupi gjykues, Haradinaj ka përmendur të kaluarën e popullit të Kosovës si të përndjekur nga regjimi serb.

Haradinaj: Burgjet e ish-Jugosllavisë i kemi mbijetuare të gjithë si familje

“Dua të theksoj këtu para jush se sa kam qenë këtu kam pasur kohë dhe kam bërë një krahasim me ish prokurorët dhe burgjet e ish-Jugosllavisë të vitet ’81, ku këtë e kemi mbijetuar plotësisht si familje, duke filluar nga babi im, vëllai im i madh, personalisht para se t’i mbushja 18 vjeç, me motrën time 15 vjeçare, vëllain tjetër 14 vjeçar, motrën time të vogël e cila ishte vetëm një fëmijë në lasën e gjashtë të shkollës fillore duke mos harruar nën time dhe më vonë pas martesës edhe gruan time, ku ishim të burgosur dhe persekutuar nga vendi ynë që të gjithë duke na ndaluar arsimin, punësimin, ku u nënshtruam burgjeve dhe torturave të tjera shtetërore, dhd në dokumentet tuaja rezultoi se keni të dhëna edhe për këta persona të përndjekur nga viti 1981. Ndaj këtu kuptohet qartë se ku e keni synimin dhe çfarë drejtimi ka marrë kjo prokuroi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar është e njëjtë me prokuroritë që ishin kundër shqiptarëve në kohën e ish-Jugosllavisë.

Haradinaj: ZPS e njëjtë me prokurorët e ish-Jugosllavisë

“Oficerët e ZPS-së, personat që i kanë shënjestër nuk i fotjnë në mënyrë normale, por përkundrazi i nënshtrojnë në kushte frikësimi, pra prokuroria serbe në emër të gjykatave të Kosovës na ndoqi dhe na dënoi ku mjaftonte të plotësonim vetëm dy kushte, duhej të ishim një etnik pra duhej të ishim shqiptar, dhe këtë objektiv e ka edhe ZPS, selektiv pra që nuk pajtoheshim me robërinë njësor pra sikur e kanë edhe çlirimtarët. Kur nuk mund të siguroheshin provat ata i kurdisnin gjërat e njëjta, siç po bënë edhe kjo prokurori. Pra konkludoj se objektivi dhe metodat janë saktësisht të njëta, në faktin se të dhënat që ju referoni me dokumente që kanë dalë nga zyra juaj keni vërtetuar që të vetmet burimet janë ato serbe konkretisht aktakuzat e asaj kohe dhe të njëjtët emra, keni një kryekordinator që organizon si më poshtë, Milovan Drecun, njeriun e njohur zyrtarisht si nga më të besuarit e Millosheviqit”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se do të qëndrojë për drejtësi dhe se nuk mbron asnjë njëri që mund të ketë kryer krime gjatë çlirimit të Kosovës nga regjimi i Millosheviqit.

Nasim Haradinaj bashkë me ish-kreun e OVL-UÇK, Hysni Gucati po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ata akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Këtë ngjarje ata e kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. 

Mbrojtja lë të hapur mundësinë që Gucati e Haradinaj të ftohen si dëshmitarë

Zyra e Prokuronit të Specializuar(ZPS) e ka përfunduar çështjen në rastin e gjykimit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Avokatët mbrojtës kanë thënë se para se ZPS të mbyll zyrtarisht çështjen, prokuroria duhet të thërras një person që është i aftë të dëshmojë për hetimin që ata kanë kryer lidhur me akuzat për shtytje për vepër penale. Në seancën gjyqësore që u mbajt sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e ka lënë të hapur mundësinë që Gucati e Haradinaj të ftohen për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor.

Mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees ka thënë se synojnë të bëjnë një mocion për të hequr dorë, në lidhje me kundërshtimin e pikave një deri në pesë.

Ai ka thënë që është me rëndësi për të gjitha palët që çështjet që lidhen me provat të përfundojnë deri më 17 dhjetor.

Rees: ZPS duhet të thërras një person që është i aftë të dëshmojë për hetimin që ata e kanë kryer

“Provat e ZPS-së, ose çështja e ZPS-së përpara mbylljes duhet të përfshijë jo vetëm mundësinë për pyetje të plotë të këtyre tre dëshmitarëve të mbrojtjes por edhe që ZPS duhet të thërras, qoftë edhe për të paraqitur si dëshmitar të çështjes së tyre, një person që është i aftë të dëshmojë për hetimin që ata kanë kryer lidhur me akuzat për shtytje për vepër penale”, ka thënë ai.

Këtu, prokurorja Valeria Bolici ka thënë se prokuroria nuk do të thërras dëshmitarë të tjerë.

Bolici: ZPS nuk do të thërras dëshmitarë të tjerë

“Në lidhje me sugjerimin e mbrojtjes së Gucatit që prokuroria të sjell dëshmitarë shtesë si pasojë e nxjerrjes në bazë të rregullës 102(3) mund të konfirmoj që prokuroria nuk ka ndërmend të sjell dëshmitarë të tjerë pavarësisht nga rezultati i zgjidhjes së çështjeve që mbetën ende për tu zgjidhur sa i takon rregullës 102(3)”, ka thënë prokurorja Bolici.

Sipas avokatit Rees, më 2 dhjetor mund të fillojë çështja e mbrojtjes për çka tha se e parashikojnë edhe një deklaratë hapëse.

Rees: Qëllimi është që Gucati të thirret për të dhënë dëshmi

“Nga ana e zotëri Gucatit, qëllimi është në këtë fazë të paktën, që zotëri Gucati do të thirret për të dhënë dëshmi por nuk them gjë, unë mendoj se është e papërshtatshme që t’i kërkohet një vendim përfundimtar për këtë gjë nga ana e zotëri Gucatit pa qenë plotësisht i bindur për objektin e çështjes së tij, me qëllim që ai vendimin ta marrë duke pasur këshillat e duhura, duke ditur plotësisht të gjitha çështjet që lidhen me një vendim të tillë”, ka thënë Rees.

E avokati Toby Cadman i cili mbron Nasim Haradinajn ka thënë se me mbrojtjen e Gucatit e kanë një listë të përbashkët të dëshmitarëve.

Cadman: Synojmë të thërrasim Haradinajn për të dhënë dëshmi

“Synimi ynë në këtë fazë është që edhe zotëri Haradinaj të thirret për të dhënë dëshmi por shumë nga kjo varet se çfarë do të ndodh këtu. Lista aktuale e dëshmitarëve sipas vendimit tuaj do të varet nga rezultati i disa çështjeve por neve do të bëjmë çmos t’u ndihmojmë sa më shumë të jetë e mundur. Kemi një listë të përbashkët dhe nuk do të përsërisim dëshmitarët, pra ose njëri ose tjetri do të thërras dëshmitarin që do të mund tu shërbejë interesave të të dyve për të ndihmuar gjykatën në këtë mënyrë. Por, megjithatë ka disa çështje që duhet zgjidhur, kështu që është e pamundur të themi më shumë se kaq”, ka thënë mbrojtja e Haradinajt.

Në seancën që do të mbahet nesër trupi gjykues i kryesuar nga Charles L.Smith do të jap urdhër i cili i përcakton këto çështje.

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

***

Sot, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë ka vazhduar gjykimi ndaj Nasim Haradinajt.

Gjatë kësaj seance, ish-nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj është emocionuar gjatë leximit të fjalimit të tij.

Haradinaj u arrestua më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të DHSK-së.

Aktakuza ndaj tij u konfirmua më 11 dhjetor 2020 dhe u bë publike më 14 dhjetor 2020.

Haradinaj: Prokuroria është e përkrahur nga Qeveria e Serbisë, më kanë trajtuar me përbuzje

Nasim Haradinaj, i akuzuar nga Gjykata Speciale për disa vepra, ka deklaruar në Dhomat e Specializuara se Zyra e Prokurorisë është e përkrahur nga Qeveria e Serbisë dhe si e tillë, është duke u trajtuar me përbuzje.

Para trupit gjykues, Haradinaj deklaroi se muajt e fundit Prokuroria ka pasur një sjellje të keqe ndaj tij pasi që “frika jonë më e madhe është realizuar”.

“Prokuroria nuk e meriton që unë të jem këtu, që t’ua bëj dekorin. Vendosa të bij këtu të them të vërtetën, veprimet e kësaj Prokurorie dëshmon se jam këtu prej 14 muajsh, kur asnjë provë nuk mund t’i mbështes akuzat qesharake”, tha ai.

Haradinaj, ish-nënkryetar i OVL-UÇK-së, ka deklaruar se kushdo që ka kryer krime duhet të përballet me drejtësi, dhe se procesi ndaj tij duhet të jetë i drejt e transparent.

“Kjo me dyer të mbyllura është e turpshme, kjo Prokurori po e dëshmon atë që e kam thënë unë me OVLn për Prokurori. Kushdo që ka kryer krim, nuk meriton aspak dhe duhet të përballet me drejtësinë. Prokurori Jack Smith qëndroi para jush dhe tha ‘kjo s’ka të bëjë me UÇK-në. Kjo është gënjeshtër. Është pikërisht e kundërta. Kjo Prokurori po e falënderon Qeverinë e Serbisë për mbështetjen e dhënë”, shtoi tutje.

Për një moment, Haradinajt iu ndërpre fjala nga Gjykata nën arsyetimin se po flet jashtë temës, derisa më pas iu dhanë edhe pesë minuta.

Ai bëri thirrje që kjo çështje ndaj tij të përfundojë sa më shpejt dhe të mbyllet.

Atij iu tha të fliste më qetë, derisa ky deklaroi se është zëri i tij natyral dhe nuk po bërtet.

Me deklarimet e Gucatit dhe Haradinajt është mbyllura seanca për ditën e sotme.

Ata po akuzohen për veprat pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje dhe shkelje e fshehtësisë së procedurës.

Gucati: Është e drejtë legjitime imja të mbroj të drejtat e vlerat e kombit tim

Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, duke folur në Dhomat e Specializuara, ka thënë se është e drejta e tij legjitime të mbrojë të drejtat e vlerat e kombit të tij, të UÇK-së dhe të Kosovës.

Gucati ka përmendur për krimet që ka kryer Serbia mbi popullatën në Kosovë gjatë luftës së fundit.

“Kemi shfrytëzuar të drejtën tonë të fjalës së lirë, të mendimit e të shprehjes së lirë. Të drejtën e fituar me sakrificë njerëzore e jo njerëzore. Vetëm gjatë marsit, prillit, majit e qershorit të vitit 1999, në popullin tonë janë kryer mbi 450 masakra, e krime të gjenocidit serb. Pa i përmendur ato të viteve 90-ta. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë mbi 1400 fëmijë, e dhunuar mbi 20 mijë gra. Janë vrarë mijëra pleq, të mbetur e të palëvizshëm, që nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë. As sot e kësaj dite nuk dimë asgjë për fatin e mbi 1600 njerëzve të zhdukur. Pa folur këtu për shkatërrimet e shkaktuara nga makineria serbe. Është e drejtë legjitime e imja të mbrojë të drejtat e vlerat e kombit tim, të UÇK-së dhe të Republikës së shtetit tim të Kosovës. Jam i obliguar të mbrojë të drejtat e liritë e popullit për jetë më të mirë e më të begatë, si gjithë popujt e kontinentit tonë”, ka thënë Gucati.

***

Sot, në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt.

Kjo seancë do të fillojë në orën 09:30 dhe do të vazhdojë deri në orën 16:00.

Në seancën e 5 nëntorit u dëgjua dëshmia e dëshmitarit të katërt, i cili është oficer i sigurisë operative në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Daniel Moberg.

Ai i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe ndër të tjera tha se në zyrat e OVL-së së UÇK-së ka shkuar tri herë për të sekuestruar dokumentet të cilat dikush i kishte dërguar në këtë organizatë.

Suedezi ka thënë se më 8 shtator të vitit 2020 ka shkuar për herë të parë në OVL të UÇK-së me një urdhër gjykate për të kryer sekuestrimin.

Sipas dëshmisë së tij, dokumentet janë futur në dy qese provash dhe ai i ka vulosur ato në kohën kur u dërguan në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020, kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat