Ish-kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, duke folur në Dhomat e Specializuara, ka thënë se është e drejta e tij legjitime të mbrojë të drejtat e vlerat e kombit të tij, të UÇK-së dhe të Kosovës.
Gucati ka përmendur për krimet që ka kryer Serbia mbi popullatën në Kosovë gjatë luftës së fundit.
“Kemi shfrytëzuar të drejtën tonë të fjalës së lirë, të mendimit e të shprehjes së lirë. Të drejtën e fituar me sakrificë njerëzore e jo njerëzore. Vetëm gjatë marsit, prillit, majit e qershorit të vitit 1999, në popullin tonë janë kryer mbi 450 masakra, e krime të gjenocidit serb. Pa i përmendur ato të viteve 90-ta. Gjatë luftës së fundit në Kosovë janë vrarë mbi 1400 fëmijë, e dhunuar mbi 20 mijë gra. Janë vrarë mijëra pleq, të mbetur e të palëvizshëm, që nuk kanë mundur të largohen nga shtëpitë. As sot e kësaj dite nuk dimë asgjë për fatin e mbi 1600 njerëzve të zhdukur.
Pa folur këtu për shkatërrimet e shkaktuara nga makineria serbe. Është e drejtë legjitime e imja të mbrojë të drejtat e vlerat e kombit tim, të UÇK-së dhe të Republikës së shtetit tim të Kosovës. Jam i obliguar të mbrojë të drejtat e liritë e popullit për jetë më të mirë e më të begatë, si gjithë popujt e kontinentit tonë”, ka thënë Gucati.