​Abdixhiku: Me Xheladinin, Dragashi do të bëhet qendër kryesore për vizitorët e huaj

Aktuale

​Abdixhiku: Me Xheladinin, Dragashi do të bëhet qendër kryesore për vizitorët e huaj

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 14:57
Lumir Abdixhiku

Kryetari Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku deklaroi se Dragashi ka nevojë për transformim rrënjësor dhe premtoi se kjo komunë do të bëhet një prej qendrave kryesore për vizitorët e huaj nëse këtë të diele Bexhet Xheladini konfirmohet si kryetar komune.

Abdixhiku para elektoratit të LDK-së në Dragash, tha se fokusi kryesor i kandidatit për kryetar të komunës, nga kjo parti do të jetë zhvillimi ekonomik.

Abdixhiku: Fokusi kryesor i Xheladinit është zhvillimi ekonomik

“Doktor Bexheti do të qeverisë me plotë dinjitet, e rezultatet e arritura të tij do të jenë të prekshme qysh në ditët e para. Me dinjitet, meqenëse e dinjitetshme është e gjithë veprimtaria e tij jetësore. Të nderuar qytetarë, komuna juaj ka nevojë për transformim rrënjësor. Fokusi i Xheladinit do të jetë në zhvillimin ekonomik, përmirësimi i sistemit shëndetësor e arsimor si dhe mundësi më të mëdha për rininë. Bexheti ka program për të gjithë banorët pa dallim, ai Dragashin pretendon ta bëj një prej qendrave kryesore për vizitorët e huaj, dhe do ta bëjë, sepse ka vullnet të mirë me projekte konkrete”, theksoi Abdixhiku.

Kandidati për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini tha se me programin e tyre zhvillimor kanë paraparë investime kapitale në vlerë dhjetëra milionë euro, për katër projekte më të rëndësishme për ujësjellës, ujëra të zeza, infrastrukturë rrugore dhe turizëm.

Xheladini: Projektin numër një për ujësjellës do ta bëjmë realitet në vitin e parë të qeverisjes

“Projektin numër një, të cilin do ta bëjmë realitet që nga viti i parë i qeverisjes, është projekti i ujësjellësit për 15 fshatrat e komunës sonë. Projekti i dytë është kanalizimi me sistem të pastrimit të ujërave të zeza në gjithë territorin e komunës së Dragashit, projekt që do të kushtoj rreth 6 milionë euro… I bëj thirrje të gjithë atyre që kanë të drejt vote të dalin në votime më 14 nëntor dhe të shprehin vullnetin e tyre për ndryshimin. Ndryshimi vjen nëse ju dilni votoni LDK dhe kandidatin e saj për kryetar të komunës së Dragashit”, tha ai.

Kandidati për kryetar të LDK-së, Bexhet Xheladini në raundin e parë të zgjedhjeve komunale më 17 tetor është renditur i pari me 34.76 përqind, pasuar nga kandidati i PDK-së Shaban Shabani me 33.69 përqind.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat