Mbrojtja lë të hapur mundësinë që Gucati e Haradinaj të ftohen si dëshmitarë

Aktuale

Mbrojtja lë të hapur mundësinë që Gucati e Haradinaj të ftohen si dëshmitarë

Më: 8 nëntor 2021 Në ora: 15:28
Pamje nga seanca

Zyra e Prokuronit të Specializuar(ZPS) e ka përfunduar çështjen në rastin e gjykimit ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Avokatët mbrojtës kanë thënë se para se ZPS të mbyll zyrtarisht çështjen, prokuroria duhet të thërras një person që është i aftë të dëshmojë për hetimin që ata kanë kryer lidhur me akuzat për shtytje për vepër penale. Në seancën gjyqësore që u mbajt sot në Dhomat e Specializuara në Hagë, mbrojtja e ka lënë të hapur mundësinë që Gucati e Haradinaj të ftohen për të dëshmuar në këtë proces gjyqësor.

Mbrojtja e Hysni Gucatit, avokati Jonathan Elystan Rees ka thënë se synojnë të bëjnë një mocion për të hequr dorë, në lidhje me kundërshtimin e pikave një deri në pesë.

Ai ka thënë që është me rëndësi për të gjitha palët që çështjet që lidhen me provat të përfundojnë deri më 17 dhjetor.

Rees: ZPS duhet të thërras një person që është i aftë të dëshmojë për hetimin që ata e kanë kryer

“Provat e ZPS-së, ose çështja e ZPS-së përpara mbylljes duhet të përfshijë jo vetëm mundësinë për pyetje të plotë të këtyre tre dëshmitarëve të mbrojtjes por edhe që ZPS duhet të thërras, qoftë edhe për të paraqitur si dëshmitar të çështjes së tyre, një person që është i aftë të dëshmojë për hetimin që ata kanë kryer lidhur me akuzat për shtytje për vepër penale”, ka thënë ai.

Këtu, prokurorja Valeria Bolici ka thënë se prokuroria nuk do të thërras dëshmitarë të tjerë.

Bolici: ZPS nuk do të thërras dëshmitarë të tjerë

“Në lidhje me sugjerimin e mbrojtjes së Gucatit që prokuroria të sjell dëshmitarë shtesë si pasojë e nxjerrjes në bazë të rregullës 102(3) mund të konfirmoj që prokuroria nuk ka ndërmend të sjell dëshmitarë të tjerë pavarësisht nga rezultati i zgjidhjes së çështjeve që mbetën ende për tu zgjidhur sa i takon rregullës 102(3)”, ka thënë prokurorja Bolici.

Sipas avokatit Rees, më 2 dhjetor mund të fillojë çështja e mbrojtjes për çka tha se e parashikojnë edhe një deklaratë hapëse.

Rees: Qëllimi është që Gucati të thirret për të dhënë dëshmi

“Nga ana e zotëri Gucatit, qëllimi është në këtë fazë të paktën, që zotëri Gucati do të thirret për të dhënë dëshmi por nuk them gjë, unë mendoj se është e papërshtatshme që t’i kërkohet një vendim përfundimtar për këtë gjë nga ana e zotëri Gucatit pa qenë plotësisht i bindur për objektin e çështjes së tij, me qëllim që ai vendimin ta marrë duke pasur këshillat e duhura, duke ditur plotësisht të gjitha çështjet që lidhen me një vendim të tillë”, ka thënë Rees.

E avokati Toby Cadman i cili mbron Nasim Haradinajn ka thënë se me mbrojtjen e Gucatit e kanë një listë të përbashkët të dëshmitarëve.

Cadman: Synojmë të thërrasim Haradinajn për të dhënë dëshmi

“Synimi ynë në këtë fazë është që edhe zotëri Haradinaj të thirret për të dhënë dëshmi por shumë nga kjo varet se çfarë do të ndodh këtu. Lista aktuale e dëshmitarëve sipas vendimit tuaj do të varet nga rezultati i disa çështjeve por neve do të bëjmë çmos t’u ndihmojmë sa më shumë të jetë e mundur. Kemi një listë të përbashkët dhe nuk do të përsërisim dëshmitarët, pra ose njëri ose tjetri do të thërras dëshmitarin që do të mund tu shërbejë interesave të të dyve për të ndihmuar gjykatën në këtë mënyrë. Por, megjithatë ka disa çështje që duhet zgjidhur, kështu që është e pamundur të themi më shumë se kaq”, ka thënë mbrojtja e Haradinajt.

Në seancën që do të mbahet nesër trupi gjykues i kryesuar nga Charles L.Smith do të jap urdhër i cili i përcakton këto çështje.

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të ZPS-së.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat