Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar të dyshuarin e pestë me inicialet R.I., pasi i njëjti dyshohet se ka qenë i përfshirë në incidentin me armë zjarri në Gjilan ku mbeti i vrarë, 22-vjeçari Egzon Rafuna dhe u plagos 29-vjeçari, Valdrin Halimi.
Prokurori i rastit ka vendosur ta ndalojë të dyshuarin në kohëzgjatje prej 48 orësh.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit R.I., ka lëshuar aktvendim mbi ndalim për veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe ndaj tij do të vazhdojë me procedurat e tjera hetimore”, shkruhet në njoftim.
Kujtojmë se prokuroria më herët njoftoj se janë arrestuar edhe katër të dyshuar në mesin e të cilëve është edhe i plagosuri Valdrin Halimi.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ndaluar katër (4) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, tani të dyshuarit V.H., B.K., A.S. dhe E.N., pasi dyshohen se kanë qenë të përfshirë në incidentin e mbrëmshëm (08 Nëntor 2021) me armë zjarri në Gjilan, në të cilin tani i ndjeri E.R., si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë”, shkruhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkaq, sipas Policisë, deri te vrasja ka ardhur pas një mosmarrëveshje mes këtyre gjashtë personave. Kurse, në vendin e ngjarjes Policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë dhe 7 copë gëzhoja të kalibrave 7.65 dhe 9 mm.