Për vrasjen dhe plagosjen që ndodhi mbrëmjen e së hënës në lagjen Arbëria në Gjilan, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.
Haziri është shprehur i tronditur për vrasjen e të riut, E.R., dhe plagosjen e personit tjetër i cili është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Ai u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta zbardhin rastin.
“Jam i tronditur pas lajmit të mbrëmshëm për vrasjen e një të riu dhe plagosjen e një tjetri në Gjilan. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit, ndërsa kërkoj nga organet e drejtësisë që ky rast të zbardhet deri në fund”, ka thënë kryetari Haziri.
Ndërkohë që lidhur me këtë rast janë ndaluar pesë persona si të dyshuar. Kështu ka njoftuar Prokuroria Themelore në Gjilan.
Ndërsa, i plagosuri i cili fillimisht u trajtua në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, është dërguar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ai është duke u trajtuar tani në Klinikën e Ortopedisë në QKUK, për të gjendjen e së cilit ka folur drejtori i kësaj klinike, Gani Jashanica.
Jashanica për KosovaPress tha se gjendja shëndetësore të të plagosurit është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.