Ramush Haradinaj ish-kryeministër i Kosovës duket se nuk çanë kokën për gjykatën speciale, ku ndodhen disa nga miqtë e tij më të mirë të politikës.
Ka ndoshta më shumë se një vit, që ai nuk ka deklaruar asgjë rreth kësaj çështje. Edhe mediat e kanë lënë të qetë, mbase duke besuar vërtetë se një person që është trajtuar nga një tribunal ndërkombëtar, nuk mund të trajtohet sërish.
Ramush Haradinaj ish-kryeministër i Kosovës duket se nuk çanë kokën për gjykatën speciale, ku ndodhen disa nga miqtë e tij më të mirë të politikës.
Ka ndoshta më shumë se një vit, që ai nuk ka deklaruar asgjë rreth kësaj çështje. Edhe mediat e kanë lënë të qetë, mbase duke besuar vërtetë se një person që është trajtuar nga një tribunal ndërkombëtar, nuk mund të trajtohet sërish.
Në janarin e vitit 2019 të paktën një media në Kosovë kishte raportuar se ai tashmë kishte takuar hetuesit e gjykatës speciale, ndërkohë që takimet apo intervistimet prej saj ende mohoheshin. Në verën e atij viti, me 19 korrik, Ramush Haradinaj e mbajti mbledhjen e fundit të Qeverisë, para se ta shpallte dorëheqjen, që sipas tij ishte rrjedhojë e hetimit nga gjykata speciale.
“Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë. Nga ky moment japim dorëheqje si qeveri. Jam ftuar të intervistohem si i dyshuar nga Specialja. Javën tjetër do të kem paraqitje. E kam vlerësuar se s’mundem mu paraqitë si kryetar i qeverisë edhe me rujt nderin e kryetarit të qeverisë dhe shtetit”, deklaronte Haradinaj atëherë, pavarësisht që tek dorëheqja erdh më shumë si pasojë e presionit të jashtëm dhe të partnerëve në koalicion.
Vetëm pas pesë ditësh ai do të intervistohej në Hagë, në selinë e gjykatës speciale, dhe sapo do të dilte prej saj, ai do të shprehej se më ‘nuk kishte detyrime ndaj saj’. Një vendim që vetëm prokurorët dhe gjykatësit mund ta shpallin.
“Sot jam paraqitur si i dyshuar për me e kry obligimin ligjor në bazë të një ftese të Prokurorisë Speciale, kam pranuar këshillën ligjore që mos me u përgjigj fare në pyetje. Me këtë obligimet e mia i kam kryer ndaj gjykatës në bazë të ligjit, obligime të tjera nuk kam", deklaronte Ramushi.
Ramush Haradinaj së bashku me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin ishin protagonistët kryesorë në përpjekjen e dështuar, antishtetërore dhe antiamerikane për ta zhbërë gjykatën speciale, nëpërmjet një Projektligji, që do ta shfuqizonte ligjin në fuqi për Dhomat e Specializuara.
Po bëhet një vit, që kur ka pasur deklarime se Ramush Haradinaj, do të jetë një nga të arrestuarit e radhës, pas arrestimit të krerëve dhe ish-krerëve të shtetit, Thaçit, Veselit e Krasniqit.
Një avokat që ka punuar ngushtë me hetuesit deklaronte se është i bindur se Haradinaj do jetë në mesin e të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, pasi që sipas atyre pretendimeve i është ngritur aktakuza nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara.
Ka tashmë indikacione se gjykata speciale do të fillojë më një valë të re arrestimesh, aq më tepër që ka shkuar një vit nga arrestimi i vetëm pesë të dyshuarve, të cilët po mbahen në paraburgim, dhe vetëm një proces gjyqësor ka filluar ndaj, Sali Mustafës “Calit”.
Në kundërshtim me argumentimin e Haradinajt dhe mbështetësve të tij, se meqë ai është gjykuar nga një Tribunal dhe ka dalur i pafajshëm, nuk mund të akuzohet më, ai mund të jetë sërish në proces gjyqësor. E para për shkak të akuzave të reja, pra për raste të patrajtuara nga Tribunali, dhe e dyta se gjykata speciale në esencë nuk është tribunal ndërkombëtar, por gjykatë vendore (e Kosovës), e që edhe sipas vendimeve të Tribunalit të dënuarit apo të pafajshmit mund të jenë pjesë e proceseve juridike për raste të tjera, të panjohura për të.
Po ashtu gjykata speciale në gjithë komunikimet dhe sqarimet e saj, nuk e ka përjashtuar asnjë rast nga trajtimi, e as krimet e kryera nga shteti serb ndaj shqiptarëve.
Një nga vrasjet më enigmatike është ajo e komandant “Karadakut” Rashit Mustafës, për të cilin thuhet se ka informacione kontradiktore, nëse ishte ekzekutuar më shumë se një muaj para përfundimit të luftës, një javë para fundit apo edhe nëse ishte gjallë në ditët e para të pas luftës. Sipas familjarëve ai ishte gjallë së paku një javë pa përfunduar lufta, duke u thirrur në një bisedë telefonike që e deklaron se e ka pasur, vëllai Tafa.
Edhe më interesant e bën rastin fakti se vetëm 6 vjet pas çlirimit, kufoma e komandant “Karadakut” u gjet me 28.06.2005 në Bardhaniq të Gjakovës, siç thuhet është nga një kalimtar rasti. Por, as kufoma nuk ka qenë e plotë. Ndërsa, ceremonia e varrimit u bë vetëm pas një viti e gjysmë me 17.12.2007, por me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Viti.
Ushtaraku Skender Hasanxhekaj, në një shkrim të tij në vitin 2017, ndërsa Ramush Haradinaj ishte kryeministër, kishte dëshmuar nëpërmjet një shkrimi të publikuar në media se si ai fillimisht i kishte rrethuar dhe më pas i kishte kërcënuar kolonelin Tahir Zemaj, Sali Çekajn dhe të tjerët, duke u dhënë ultimatum që ta braktisnin Kosovën.
“...ky kryeministër me njësitë e veta e rrethekonte kazermën në Prapaqan dhe br. 134, gjegjësisht kol. Tahir Zemajn dhe Sali Çekajn dhe me ushtarë Lirie u jep ultimatum, “largohuni nga Rrafshi i Dukagjinit”, kujtonte Hasanxhekaj.
Po në vitin 2017 këtë akuzë e sqaron më tej nëpërmjet një reagimi, Shoqata e veteranëve të luftës, FARK-UÇK, me seli në Zvicër. Sipas tyre, “Shtabi i Gllogjanit”, që nënkupton shtabin që udhëhiqej nga Ramushi, kishte lëshuar fletarrest për arrestimin e Sali Çekaj me autorizim që të vritej.
Edhe gazetari i ndjerë, kolegu ynë Rrok Berisha, duke dëshmuar për vetveten, pasi kishte qenë i paralajmëruar për ekzekutim, ndërsa mbështeste pohimet e dëshmuara nga Shefqet Kabashi, të bëra në një televizion në vitin 2019, deklaronte: “Për Pipin, Lahi Brahimaj dhe të tjerë, duhet të jap llogari përgjegjësi i tyre Ramush Haradinaj-të cilën gjë nuk e ka bërë për 20 vite (sepse me disa Haradinaj ka edhe lidhje familjare)”, deklaronte Berisha, pak kohë para se të vdiste.
Në një dëshmim tjetër të botuar në vitin 2019 nga majori Nazif Ramabaja, nga shënimet e tij për luftën në Kosovë, akuzon se njerëz të Ramushit rrahën e keqtrajtuan ushtarët e FARK-ut, përkatësisht ushtarët e UÇK-së nën ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, ndërsa njërin prej tyre “Rambo” e kishte plagosur:
“Ata të lidhur i kishte dërguar në shtabin lokal të Gllogjanit, të Deçanit: ushtarët Petrit Lokaj (tani pjesëtar i Policisë së Kosovës), Idriz Ukëhaxhaj dhe Ismet Çekaj, të cilët u ndaluan, u maltretuan, u rrahën e u plaçkitën nga pjesëtarët e njësitit famëkeq “Shqiponjat e zeza” nën komandën e Idriz Balajt “Togerit” komandant i njësitit. Ndërsa, më së keqi e pëson ushtari Ismet Çekaj, i cili ka qenë edhe pjesë e “Grupit gueril” të Salih Çekajt të cilët ishin dërguar nga institucionet e Kosovës në ushtrimet e para në Shqipëri më 1991, është plagosur me armë zjarri nga vet Ramush Haradinaj në krahun e djathtë”.