Live: Gjykimi i Salih Mustafës/Flet dëshmitari i gjashtë: Më kanë rrahur për shkak të bindjeve politike

Aktuale

Live: Gjykimi i Salih Mustafës/Flet dëshmitari i gjashtë: Më kanë rrahur për shkak të bindjeve politike

Më: 10 nëntor 2021 Në ora: 11:26

(E plotësuar 15:09) -  Dëshmitari i gjashtë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) në gjykimin ndaj Salih Mustafës, ka thënë se është rrahur e keqtrajtuar nga disa persona gjatë kohës që ai thotë se është mbajtur në një ahur. Dëshmitari pretendon se është rrahur nga disa persona me arsyetimin se i njëjti ishte spiun, por para trupit gjykues ai ka thënë se keqtrajtimi i është bërë për shkak të bindjeve të tij politike e ushtarake. Gjatë dëshmisë së tij ai ka thënë se personat që i mbanin i urdhëronin të thoshin”vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave dhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Dëshmitari që mban kodin 4669 dhe po dëgjohet në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), në Dhomat e Specializuara në Hagë është përgjigjur në pyetjet e prokurorit Cezar Michalzuk, ku ndër të tjera ka thënë se ka mbajtur një ditar me shënime, për çka sipas tij, nga personat që thotë se është rrahur i është thënë se po e përdor për të spiunuar.

Pjesa ku dëshmitari ka treguar si është dërguar në një objekt të mbajtjes është zhvilluar në seancë të mbyllur dhe dëshmia ka vazhduar prej periudhës ku dëshmitari pretendon se ka qëndruar në një ahur me dy persona të tjera që ka thënë se mbaheshin aty.

Fillimisht ai ka thënë se është mbajtur në një ahur dhe është marrë pyetje, pastaj sipas tij është rrahur në një tjetër vend.

Dëshmitari: Më kanë rrahur dhe më kanë thënë se jam spiun

Më morën në mbrëmje me vete, mi kanë mbyll sytë mos me pa ku po shkojmë, kur kemi shku atje mi kanë heq, pa duar të lidhura pa asgjë, vetëm në përcjellje të dy personave edhe dy kanë qenë anash tyre, edhe më thanë pjesën e sipërme me u zhvesh krejt, prej belit e lart me u zhvesh krejt edhe pastaj më pyesnin më thoshin pse ti ke marrë shënime në atë bllokun, si ditar që e kam pasur, është e shënuar me stilolaps, se atëherë kam shënuar me stilolaps ditarin jo me kimik në mënyrë që vetëm me i qitë ujë në rast rreziku fshihet ajo, dhe i kam thënë që kam marrë shënime që nuk më duket se janë të palejueshme askush nuk më ka thënë se janë të palejueshme ditari me marrë me vete. ‘Ti po spiunon, jo thash unë nuk kam të bëjë, nëse ke ti ndonjë dokument si provë që po spiunoj’. Ka filluar pastaj ‘përkulu, kam qenë në këmbë, tha kështu qëndro me rroba të hequra’ dhe më kanë goditur në shpinë, më kanë goditur me një shufër të gomës, sikur shufra e milicisë serbe, ka qenë shufër e tyre si duket, shufër e gomës jo shufër metalike, shufër e gomës policore”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ai ka thënë se është marrë në pyetje nga dy persona të ri në moshë, rreth 17 dhe 18 vjeç, ndërsa dy të tjerë më të rritur ka thënë se rrinin në gjendje gatishmërie.

Dëshmitari: Jam rrahur për shkak të bindjeve politike

Më vonë pasi kam analizuar gjërat e kam vërejtur, që mua nuk ma merr mendja që ka qenë ai qëllimi i rrahjes sime, por ka qenë më tepër çështje e bindjeve tona çfarë kemi pasur politike, ushtarake, shkaku i tyre, sikurse që u ka ndodhur shumë të tjerëve, nuk ka qenë çështja që ne kemi qenë spiunë fare, nuk ka pasur të bëjë me atë çështje fare, më vonë e kam menduar këtë jo për kohën që po më pyesni ju”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Derisa është pyetur rreth dy personave për të cilët thotë të kenë qëndruar në mbajtje me të, dhe moshave të tyre, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun.

Sipas tij, dy personat e tjerë ishin dërguar në atë ahur disa ditë përpara tij.

Dëshmitari: Në pyetje na kanë marrë një nga një

Kur ka filluar marrja në pyetje, na kanë marrë secilin një nga një, na kanë dërguar prej vendit ku kemi qenë në një vend tjetër, edhe na kanë mbuluar fytyrën dhe kur kemi shkuar në atë vend na kanë hequr prej syve atë të fytyrës dhe e kemi parë vetën që jemi në një vend tjetër por ajo ka qenë aty afër nuk ka qenë diku larg, ka qenë kapur objekti me objektin nuk më kujtohet saktë por shumë afër ka qenë në bazë të asaj që kemi ecë shumë pak. Marrja në pyetje ka qenë në mbrëmje vonë, ajo më kujtohet se ka qenë aty një dritë elektrike”, ka thënë dëshmitari.

4669 ka thënë se nga bisedat që ka dëgjuar nga sy personat që thotë se janë mbajtur aty, ka mësuar se ata janë rrahur gjatë marrjes në pyetje por sipas tij nuk e di se çka i kanë pyetur ata ose arsyen pse janë mbajtur.

Personat që sipas dëshmitarit kanë qëndruar aty, kanë marrë në pyetje dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, ishin me rroba të zeza dhe vetëm disa me pantallona ushtarake.

Gjatë dëshmisë së tij, 4669 ka thënë se aty ku pretendon se ka qëndruar me dy persona, më vonë është sjellur edhe një tjetër person, që sipas tij, kishte duart e lidhura dhe ishte i nxirë në fytyrë nga rrahja.

Dëshmitari: Aty ku na mbanin e kanë sjellë një person të rrahur për vdekje

Kur e kanë sjellë herën e dytë ka qenë në gjendje gati i vdekur, ka qenë i shtrirë duke gjëmuar, ka qenë edhe më i enjtur se që ka qenë, hundët i ka pasur pak si gjak dhe nuk ka qenë në gjendje as të flas as kurrgjë, vetëm rënkonte. Kjo ka ndodhur herën e dytë, ne e kemi dëgjuar herën e parë kur e kanë pru, pastaj e kanë marrë e kanë mbajtur jashtë, nuk më kujtohet atë ditë apo të nesërmen, mirëpo herën e dytë përpara se me pru brenda kur e kanë marrë e kanë lënë jashtë e kanë rrahur aq shumë sa që dëgjoheshin të rrahurat e tij pastaj e shihnim nga vrimat që e godisnin me tepër se pesë-gjashtë veta, me çkado që kishin në duar, e vërenim prej vrimave, dhe pasi që e kanë përfunduar rrahjen e kanë pru të ne, dhe pasi që e kanë pru herën e dytë edhe herën e parë, sa herë e kanë pru të ne na kanë urdhëruar me thënë vdekje tradhtarëve, vdekje hajnave edhe lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këto kanë qenë sa herë e kanë pru brenda që ne është dashtë e i thënë, secili prej neve të treve”, ka thënë dëshmitari i ZPS-së.

Sipas tij, rrahja ka ndodhur jashtë ahurit dhe ai ka mundur të shoh nga disa vrima që sipas tij ishin në dhomën ku mbaheshin.

Personin për të cilin ka folur, dëshmitari e përshkruan me rreth 100 kilogramë dhe gjatësi deri në 2 metra.

Dëshmitari: Personin e katërt nuk e kemi parë më

“Ai i ka pasur duart e lidhura me tel, edhe i ka pasur të shtrënguara shumë, tel, tel i bakrit të bardhë apo se di si me quajt, a ka qenë i bardhë apo i zi nuk më kujtohet, por tel. Ajo ka qenë e palogjikshme... Kur e kanë marrë herën e dytë brenda një nate, ose atë natë e kanë marrë ose të nesërmen dhe më nuk e kemi parë asnjëherë, kjo është ajo përgjigja që më kujtohet, jo në bazë të thashethemeve por unë çka kam parë vet”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, gjendja e personit, të cilin e përshkruan, i ka frikësuar atë dhe personat e tjerë që mbaheshin.

Dëshmitari: Në bazë të keqtrajtimit që i është bërë personit të katërt e kam kuptuar që jemi në rrezik të gjithë

“Unë e kam kuptuar që më të vërtetë jemi në rrezik për shkak që mund të na ndodh sikurse ajo që i ka ndodhur atij, dhe çështja sa i përket pse e kanë pru, ata thoshin që ai ka vjedhur gjatë luftës, sidomos një person e përmendin një grua shtatzënë që i ka vjedh të hollat të tregu thoshin dhe po ashtu që bashkëpunonte me serbët. Ashtu kam dëgjuar, ashtu kanë thënë”, ka thënë dëshmitari i mbrojtur.

Ky është dëshmitari i gjashtë i ZPS-së dhe gjatë pjesës së parë të seancës ai ka thënë se në shkurt të vitit 1999 ka qëndruar dhjetë ditë në fshatin Zllashë ku sipas tij ka kryer stërvitje në mënyrë që të bëhet pjesë e UÇK-së.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

 

Live: Gjykimi i Salih Mustafës/Flet dëshmitari i gjashtë: 100 markat e fundit i dhashë për UÇK-në, fatura e kishte shqiponjën dy krenare

 

Në seancën e kësaj të mërkure në rastin ndaj Salih Mustafës, po vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit të radhës të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari i mbrojtur deklaroi se ushtrimet për anëtarësim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës i ka bërë në Zllash teksa bashkë me ushtarë të tjerë flinin në një shkollë, njofton Klankosova.tv.

“Për një javë ose dhjetë ditë kemi bërë ushtrime. Kemi pasur instruktorë të caktuar që na kanë mësuar në teori dhe praktikë. Gjatë kësaj kohe kemi qëndruar në një lloj si shkollë ka qenë – kemi pas shtretër ushtarakë që janë një mbi një. Të gjitha gjërat i kemi pas të ndara, se kur të hamë bukë, kur të mësojmë teori dhe praktikë”.

Tutje dëshmitari rrëfeu se kushtet ekonomike nuk i kishin të mira por bashkë me familjen kishte dhënë 100 markat e fundit për UÇK-në.

“Kushtet kanë qenë shumë të vështira por unë i kam dhënë 100 marka të fundit që i kemi pasur unë dhe gjithë familja ime – e kam edhe faturën në shtëpi që ende e ruaj. Fatura e kishte shqiponjën dy krenare, e zezë, ndërsa fatura e bardhë, aty shënon data edhe nënshkrimi im”, u shpreh dëshmitari.

Tutje dëshmitari tha se ka shkuar tri-katër herë në këmbë nga fshati i tij në Zllash ku kërkonte që të bëhej ushtar i UÇK-së pasi kishte përfunduar stërvitjet teorike dhe praktike.

“Stërvitjet shkuan në rregull, më lajmëruan se këto stërvitje kanë përfunduar dhe më thanë që të shkojë në shtëpi e pastaj më lajmërojnë. Jam kthyer në shtëpi dhe kam qëndruar disa kohë. Kam shkuar tri-katër herë në këmbë prej fshatit deri atje [në Zllash] për të pyetur se a mund të jem pjesëtar i tyre pasi përfundova ushtrimet”.

Në seancën e së mërkurës në rastin ndaj Salih Mustafës, po vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dëshmitari i gjashtë W04669 po intervistohet nga prokurori i cili njoftoi se mund të i duhen deri në pesë orë kohë për marrjen në pyetje.

Dëshmitari ka treguar si është anëtarësuar në UÇK dhe cila ishte arsyeja, së bashku me disa detaje të tjera.

Prokurori: A ke tentuar që të kryqesh në UÇK?

Dëshmitari: nuk dëgjohet

Dëshmitari: Pas shumë masakrash që ka bërë Serbia në Drenicë ndaj familjes Adem Jasharit, vullneti im ka qenë i madh për me mbrojt venin, kam shkuar me pyet në mënyrë

Prokurori: Ku shkove që të kryqesh në UÇK?

Dëshmitari: Në fshatin Konushevc që gjendet afër fshatit Subovc është në komunën e Podujevës, dhe aty jam lajmëruar për herë të parë dikun ka qenë ka shkurti i vitit 99 ora 4 i mëngjesit, fillimisht kanë dal do roje e kemi thirr përgjegjësin e pikës tani kam fol me të.

Prokurori: Këtë personin që e takova a ishte përgjegjës aty?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: Kush ishte ky person?

Dëshmitari: Dajë i thojshin.

Prokurori: Qfarë i the ti dajës?

Dëshmitari: Kam ardh vullnetarisht.

Përmbajtje e Redaktuar

Prokurori: A keni shkuar në fillim në vendin ku banon, apo drejt në Zllashë, siç sugjeroi daja?

Prokurori: Prej atij vendi, pasi kishit marrë këshill nga daja për të shkuar në Zllashë, a ke shkuar menjëherë nga Konujuhi në shpi?

Dëshmitari: Në shtëpi, pastaj pas përgatitjeve që kam bërë, me sa më kujtohet mua ka qenë 4-5 ditë apo një javë që jam lajmëruar atje.

Prokurori: Qfarë ndodhi kur arrite në Zllashë?

Dëshmitari: U takova me një person që më orientoi ku të shkoj edhe pastaj kam filluar ushtrimet atje.

Prokurori: Cili ishte personi që të tha se ku duhet të shkosh?

Dëshmitari: Personi e ka pasë pseudonimin mësuesi.

Prokurori: A e din emrin e tij?

Dëshmitari: Me pa në foto po si duket.

Prokurori: Ku të ka qu aj person ty, mësuesi?

Dëshmitari: Në një odë, në një ven ku ishin mbledh krejt atje.

Prokurori: Kë ke taku aty në atë odë

Dëshmitari: Gjatë prezantim e kam vrenjt që aty ka qenë Fatmir Sopi, Sejdi Veseli edhe disa të tjerë.

Prokurori: A e kam kuptuar drejt, në atë ditë kur ke shkuar në Zllallshë në ditën e parë, ke takuar Fatmir Sopin dhe Sejdi Veseli?

Prokurori: Të fillojmë më Fatmir Sopin, si e  din emrin e tij

Dëshmitari; Më njoftoi se ai është përgjegjësi

Prokurori: A të ka thënë mësuesi se edhe ky person është Fatmir Sopi?

Dëshmitari: A më njoftoi me emër mbiemër.

Prokurori: A fole me Fatmir Sopin atë ditë?

Dëshmitari: Jam ulur më një qosh aty edhe kam dëgjuar bisedat që i bënin rreth luftës.

Prokurori: Në atë takim me Fatmir Dpoi a ja ke thënë arysen pse shkove në ZLlashë?

Dëshmitari: Që kam ardh vullnetarisht për të i kryer ushtrimet, për tu anëtarësuar dhe për ta mbrojtur vendin.

Prokurori: A të ka bërë ndonjë pyetje?

Dëshmitari; Nga je, i kujt je, sa anëtar jeni, disa gjëra kështu.

Prokurori: Kur të tha mësuesi se Fatmir Sopi ishte përgjegjës çfarë kuptove me të, qfarë përgjegjësi ishte ai aty.

Dëshmitari: I atij vendit ku unë shkova.

Prokurori: Si ishte i veshur ai?

Dëshmitari: Nuk me kujtohet a ka qenë një pjesë të uniformës, më duket pantollat e uniformës e lartë këmish.

Prokurori: Pastaj përmendë Sejdi Veselin, ju thatë që në atë odë u bënë disa diskutime për luftën, a të kujtohet ndonjë gjë e veçantë nga ajo bisedë?

Dëshmitari: Jo diçka të veçantë, oda është në traditën ton për të diskutuar për gjëra aktuale, ata bisdeojshin për çështjen e luftës, politikës për çështje të ndryshme, ra muhabeti edhe për komandat të përgjithshme të ushtrisë se kush është, e un i thash që mbas kushtetutës është presidenti Ibrahim Rugova

Prokurori: Çfarë thanë ata për këtë, kur thatë ju këtë gjë?

Dëshmitari: Nuk ka pasur ndonjë kundërshtim aty, atë ditë.

Prokurori: Kë kanë përmend ata si komandat të UÇK-së?

Dëshmitari: Kush ka qenë atëherë i nomimum, si Hashim Thaçi.

Prokurori: Kur ke shkuar në Zllashë në atë rast, a ke dhënë ndonjë kontribut vullnetar në UÇK?

Dëshmitari: Un i kam dhënë 100 marka të fundit që i kom pas jo vetëm unë po krejt familja ime, ende e kam faturën e ruj që ma kanë dhënë

Prokurori: Çfarë pamje kishte kjo faturë?

Dëshmitari: E kishte shqiponja dy krenare e zeze, ndërsa fatura e bardhë, aty shënon data edhe nënshkrimi im.

Në aktakuzën e konfirmuar ndaj Salih Mustafës, thuhet se ai  akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

***

Sot në Hagë ka vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-pjesëtarit të UÇK-së Salih Mustafës.

Në seancën e parë të gjykimit më 15 shtator, u bë e ditur se trupi gjykues do të dëgjojë dëshminë e dy dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga data 20 shtator deri të martën 28 shtator 2021.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020. Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për “krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash”.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat