Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se në zgjedhjet e 17 tetorit është rikthyer besimi në partinë që ai udhëheq.
Ai i ka dhënë mbështetje kandidatit për Vitinë, duke shtuar se Sokol Haliti është vlerë për këtë komunë.
Abdixhiku e Haliti kanë marrë pjesë në tubimin për zgjedhjet e raundit të dytë në Viti.
Në ditën e tretë të fushatës zgjedhore, Abdixhiku ka thënë se të dielën do të kompletohet fitorja e LDK-së me fitoren e Sokol Halitit në këtë komunë. Ai shtoi se dora e qeverisjes së mirë në Viti ka prekur të gjitha shtresat.
Abdixhiku: Vitia nuk ka kohë për të humbur
"Vitia nuk ka kohë për t’u humbur, e as arsyeje për t’u kthyer pas. Sepse sukseset e saj e kanë rrugën e trasuar të sigurt me Sokolin tonë. Vitia e Sokolit mban vendin e parë në realizimin e premtimeve. E para në raportet e auditimit, e para për shpenzimet e buxhetit për investime kapitale, e para për ndërtimin e stadiumeve, e para në ndërtimin e sheshit të bukur, në rregullimin e të gjitha shkollave dhe terreneve sportive, në përfundimin e 95 për qind të rrjetit të kanalizimit në territorin e Komunës. Vitia e re, të cilën Sokoli e ka prezantuar gjatë kësaj fushate përmban të gjitha projektet me rëndësi në këtë komunë. Këto projekte janë të studiuara mirë, të përshkruara deri në detaje dhe në harmoni të plotë me kërkesat e nevojat tuaja", ka deklaruar Abdixhiku.
Para qytetarëve në Viti, ai shtoi se më 17 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës është rikthyer në pozitën e saj origjinale, në vendin e parë.
Abdixhiku: Sokoli është vlerë për LDK-në
"Krejt Vitia LDK, dhe këtë besim përveç se duhet ta ruajmë e kujdestarojmë me shumë kujdes, duhet ta vazhdojmë deri në mbrëmjen e 14 nëntorit. Prandaj të dashur qytetarë, ju e dini se veprimtaria e Sokolit është e jashtëzakonshme dhe e lidhur ngushtë me rrugëtimin për liri e pavarësi. Sokoli është vlerë për Vitinë dhe për Anamoravën", ka shtuar ai.
Kandidati për Vitinë, Sokol Haliti u shpreh i bindur se LDK do të fitojë të dielën të gjitha komunat që është në balotazh. Ai ka premtuar zhvillim ekonomik dhe përkrahje të bujqësisë e blegtorisë.
Haliti: Edhe në raundin e parë kemi qenë fitues
"Ne nuk e themi vetëm kot se do të jemi fitues të dielën, e themi sepse edhe në raundin e parë kemi fituar. Kemi fituar edhe për kuvend komunal bindshëm... Zhvillimin ekonomik të komunës tonë nuk do ta ndalim, por do të kemi progres. Me zonën ekonomike që tashmë ia kemi dhënë konturat dhe do të hapet konkursi për bizneset që duan të investojnë. Do të zhvillojmë përparësitë dhe potencialet kryesore, sidomos bujqësinë. Bujqësinë dhe blegtorinë e kemi prioritet në kuadër të zhvillimit ekonomik", ka thënë ai.
Në mesin e prioriteteve, Haliti ka listuar edhe fuqizimin e rolit të gruas dhe të rinjve vitias.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 39.74 për qind të votave në Viti në zgjedhjet e 17 tetorit.