Njohësi i çështjeve politike Adem Bytyçi, ka reaguar për deklaratën e deputetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës Armend Zemaj, i cili ka paralajmëruar rrëzimin e Qeverisë Kurti 2.
Bytyçi, përmes një shkrimi të dërguar në “Bota sot”, ka pyetur Zemajn se a do ta sjellin në pushtet Qeverinë e Isa Mustafës, e cila, sipas tij, ia shkaktoi të keqen më të madhe Kosovës – Asociacionin.
Sipas Bytyçit, rrëzimi i qeverisë Kurti 2, është jashtë logjikës dhe gjykimit normal të Zemajt.
Reagimi i plotë i Bytyçit:
Armend Zemaj, së shpejti do ta rrëzojmë qeverinë Kurti 2.
Provojeni se dëgjova ju paska ardhur Grenelli në vizitë në Kosovë, serbofili dhe albanofobi i njohur!
Nëse mendoni ta rrëzoni këtë qeveri, a po mendoni për ta sjell në pushtet qeverinë e Isa Mustafës, e cilat ia solli të keqen më të madhe Kosovës –Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë të pakicës serbe. Këta jeni ju, partizanët e Isa Mustafës, i cili e rrënoi LDK–në dhe përsëri synon të vijë në krye të saj për ta rrënuar përfundimisht.
Z.Zemaj, në vend që t‘ia shëroni plagët të cilat ia keni shkaktuar partisë tuaj, të cilat përveç që janë të thella dhe shumë të rënda, kërkojnë shumë kohë dhe mund për t‘i rikuperuar, ju pretendoni ta rrëzoni qeverinë aktuale Kurti.
A nuk mendoni se një veprim i tillë politik është jashtë logjikës të një mendimi dhe gjykimi normal të një politikani si ju , i cili deri dje kishte poste të rëndësishme politike dhe shtetërore?!
Tani, Grenelli ju ka ardhur në vizitë, pasi nuk keni angazhime dhe punë më të rëndësishme tjera, në një kohë kur Kosova po ballafaqohet me shumë sfida, provojeni për ta rrënuar qeverinë Kurti, për të ardhur vet në pushtet, për ta shpëtuar Kosovën nga Asociacioni të cilin ia sollët në derë vet.