Deputetja Doarsa Kica Xhelili, ka zbuluar ditën kur do nis intervistimi i kandidatëve për bord të RTK-së.
Kica Xhelili, përmes një shkrimi në Facebook, ka deklaruar se intervistat e kandidatëve për Bordin e RTK-së janë caktuar nga nesër, e deri të Mërkurën gjatë ditëve të punës.
Shkrimi i plotë:
Sot, Kryetari Glauk Konjufca priti kryetarët dhe disa nënkryetarë të komisioneve parlamentare.
Si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, ndava shkurtimisht punën e deritanishme të komisionit.
Gjatë përmbledhjes, sqarova se presim projektligje shumë të rëndësishme (Projektligji për Qeverinë; Projektligji për Paga; etj) të vijnë në Kuvend, ndërsa dy projektligje të pranuara këtë muaj do t’i procedojmë në komision sa më shpejt që mundemi, përkatësisht menjëherë pas përmbylljes së procesit të intervistimit të anëtarëve për bordin e RTK-së.
Ndërkohe, intervistat e kandidatëve për Bordin e RTK-së janë caktuar nga nesër, e deri të Mërkurën gjatë ditëve të punës.
Intervistat e Bordit të Ankesave të KPM-se u mbajtën, por nga dy kandidatë që u intervistuan, njëri nuk përmbushi kriterin që të dërgohet në seancë që rezultoi me përmbyllje të procesit pa propozime për seancë plenare.
Lidhur me anëtarët e KPM-së, pritet themelimi i komisionit ad-hoc në seancë plenare.
Si kryetare e komisionit, theksova përkushtimin e plotë që të gjitha projektligjet që bijnë në fushëveprimin e këtij komisioni, t’i trajtojmë në afat rekord.