(E plotësuar 22:27) -Rama: Në ekipin tim ka emra të VV-së për drejtor!
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama ka deklaruar se në ekipin e tij në rast të fitores do të ketë edhe anetarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
”E kam listën e emrave, edhe para dy muajsh kam dashur ta bëjë publike këtë, pasi besoj që duhet të jemi transparent në këtë pjesë, por e kam kuptuar sikurse zotëri Vitia, që nuk duan të paraqiten para fitores, për shkaqe të ndryshme.Kemi pjestarë të partive të ndryshme, edhe të Lëvizjes Vetvëvendosje", tha ai.
Ndërkohë Vitia, ka sfiduar Ramën që ta bëjë publik emrin e zyrtarit të kësaj partie.
Rama: Nuk do të bëjmë koalicione parazgjedhore, kemi qenë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka folur rreth mundësisë së koalicioneve përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 nëntor.
Rama, ka hedhur poshtë mundësitë që LDK-ja të bëjë koalicion me ndonjë parti, kjo pasi që, sipas tij, janë të bindur se do të fitojnë, pasi tha se janë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj.
“Ne nuk do të bëjmë koalicione parazgjedhore, jemi të bindur se do të fitojmë sepse kemi qenë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj”, është shprehur Rama.
Por, Rama tha se u ka bërë ftesë të gjitha partive që ta shikojnë programin, në rast se, nëse ka diçka që mund të bëhet më mirë, atëherë do të ketë bashkëpunim për zgjidhjen e problemeve.
“Programin e kemi bërë publik moti. Kam qenë prej fillimit i hapur, kam thënë se kjo kampanjë duhet të jetë kampanjë e ideve dhe vazhdoj ta shoh si të tillë. Nuk shoh pengesa të aspekteve të partive të ndryshme”.
“Unë jam i vendosur që ne të bëhemi bashkë për të gjetur zgjidhjen e problemeve për qytetarët e Prishtinës”, është shprehur Rama.
Arben Vitia tregon a do të bëjë koalicion me partitë tjera
Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se s’do të ketë koalicione me asnjë parti para zgjedhjeve.
Por, ai tha se dyert do t’i hapë për bashkëpunim pasi ta shpallë fitoren.
“Ka pas sulme të jashtëzakonshme në raport me shumë gjëra. Si Vetëvendosje nuk jemi ulur fshehtas apo kemi bërë koalicion nën tavolinë asnjëherë, pra nëse e kishim bërë do ta kishin marrë vesh të gjithë. Kjo është një shprehi që e kanë pasë subjektet tjera, por jo VV. Koalicion parazgjedhor jo, por pas zgjedhjeve dhe pas fitores një hapje totale me të gjitha subjektet politike”.
Në këtë drejtim Vitia u zotua se do të jetë bashkëpunues për të pranuar çdo projekt që është në të mirë të qytetarëve.
Ai tha se këtë praktikë e ndoqi edhe në kohën kur ishte drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës.
Vitia: As që diskutohet, Qeveria Kurti edhe shumë gjatë do të jetë në qeveri
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se Qeveria Kurti do të qeverisë edhe shumë më gjatë se katër vjet.
“Ju siguroj që qeveria Kurti me gjitha punët që i ka bërë me 300-400 vendime, secila ma e mirë se tjetra, qeveria Kurti jo katër vjet as që diskutohet, do të jetë edhe shumë më gjatë në qeveri”, ka thënë Vitia.
Vitia i tha kundërkandidatit të tij, Përparim Ramës, se me projektet që po i shfaq ky i fundit, do t’i marrin më shumë se tetë vjet për t’u realizuar.
“Zoti Rama këtë që po thoni ju mund të ndodh pas 8 deri 12 vjetësh”, ka thënë Vitia.
Sipas kandidatit të Vetëvendosjes, Prishtina ka shumë më shumë probleme bazike infrastrukturore se nënkalimet.
“Nuk mund të flasim për nënkalime kur një mori e rrugëve të Prishtinës nuk janë shtuar, kur i kemi trotuaret për ibret, dhe transporti urban nuk funksionon siç duhet”, ka shtuar Vitia.
Rama – Vitisë: Sot e prita edhe Kurtin me ju, mendova se vjen me ju shoqëru
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, në emisionin Rubikon në përballjen me kundërkandidatin e tij nga Vetëvendosje, Arben Vitia, ka thënë se në këtë debat, Vitinë e ka pritur së bashku me kryeministrin Kurti.
“Ne nuk i humbim kohë qeverisë, siç humb kohë qeveria tani me ju, ku e kemi kryeministrin e gjashtë ministra të tejrë të cilët humbin kohë me ju, a nuk janë duke kryer punë të tjera me Kosovë. Unë sot e pria edhe Kurtin këtu, mendova se po vjen me ju shoqëru”, është shprehur Rama.
Tutje, Rama ka paraqitur edhe disa pika të platformës së tij, duke thënë se kanë gjashtë pika kyçe që e lidhin qendrën e kryeqytetit me lagjet për rreth.
Sipas Ramës, njëra prej tyre është pika ku e lidhë lagjën Arbëria me qendrën e Prishtinës, e që sipas tij kostoja për të është 35 milionë euro.
“Njëra prej tyre është ku e lidh Arbërinë me qendrën e Prishtinës. Kostoja e saj për platformën e gjelbër, duke marrë parasysh që aty do të jetë edhe Salla Koncertale, parkingjet nëntokësore është 35 milionë euro”, është shprehur Rama.
Rama pyet Vitinë: Çka do të bësh me Prishtinën nëse bie Qeveria Kurti
Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se përkrahja e Qeverisë për të qeverisur me kryeqytetin është një shancë unike për Prishtinën.
Ai tha se programi i hartuar nga ekipi i tij është në linjë me secilën minsitri përkatëse.
“Unë jam aktivist i Vetëvendosjes dhe kam mbështetjen e tyre gjë që është e natyrshme. Fillimisht kam përkrahje nga aktivistët, pastaj nga Qeveria dhe kryeministri. Kur është bërë programi është bërë me secilin ministri të linjës. Kurti qëndron prapa meje jo vetëm si aktivist i Vetëvendosjes, por mbi të gjitha bashkë në vizionin tonë për Prishtinën. Kemi në plan mbi 150 milionë euro vetëm në eliminimin e kaosit të trafikut me rrugë të reja që janë bërë në relacion me Qeverinë, sepse komuna e Prishtinës s’i ka të gjitha fondet dhe nevojitet një koordinim i jashtëzakonshëm me Qeverinë dhe këtë përkrahje dhe vizion, i cili është i përbashkët natyrisht si Lëvizje Vetëvendosje ku kryeministri Kurti dhe gjithë Qeveria do të rrinë prapa”.
Vitia tha se duhet të votohet edhe pse është nga Lëvizja Vetëvendosje, duke u shprehur se ndjehet krenar për këtë.
“Atë që kam arritur ta bëj si drejtor i Shëndetësisë, por edhe si ministër duke reformuar gjithë sistemin shëndëtësor në komunën e Prishtinës nuk do ta kisha mundur ta bëj në një parti tjetër. Me përkrahjen e Kurtit dhe Qeverisë dhe aktivistëve janë arritur të gjitha këto rezultate. E njëjta do të bëhet edhe me komunën e Prishtinës ku nuk kemi më kohë për të humbur dhe debate politike dhe polarizime të panevojshme”.
Vitia tha se në këtë drejtim i kupton “thumbimet” e kundërkandidatit të tij Përparim Rama, por tha se dëshmi për këtë është se për 20 vjet polarizimet e panevojshme të subjekteve politike që kanë udhëhequr në Prishtinë në raport me Qeverinë janë shfrytëzuar për të bërë opozitë ndaj saj ose janë shfrytëzuar për të arsyetuar mospunën.
Rama në Rubikon ka pyetur Vitinë se çka do të bëjë nëse bie Qeveria Kurti.
“Qeveria Kurti ka fituar 50.28 për qind të votave dhe është një shancë unike që njëherë të gjitha planet e mia dhe vizioni im bashkë – një plan konkret dhe i realizueshëm bashkë me Qeverinë – që Qeveria dhe niveli lokal të jenë nga i njëjti subjekt që kanë një vizion i përbashkët ku s’do të ketë problem për të ngadalësuar projektet”.
Vitia, Ramës: Pse s’u bëtë kandidat i pavarur, nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës?
Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, e ka pyetur kundërkandidatin e tij Përparim Ramën nga LDK-ja se pse nuk iu fut garës si kandidat i pavarur meqë ia do kaq shumë të mirën Prishtinës.
“Nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës dhe nuk dyshoj që ia doni, pse nuk u bëtë kandidat i pavarur? E gjithë fushata e dimë që bëhet nga strukturat e LDK-së dhe kemi parë që gjithë kasta e vjetër në LDK vazhdon t’iu mbështes. Nuk kam dyshim në çdo fjalë që thoni, mirëpo duke qenë mosnjohës i skenës politike në Kosovë jam i sigurt se do të përballeni qysh në fillim me shumë probleme që vijnë nga kjo kastë”, e ka pyetur ai në ballafaqimin ekskluziv në Rubikon.
Rama i është kundërpërgjigjur se është i pavarur në aspektin e vendimmarrjes.
“Nuk do të përballem me probleme, sepse mua do të më zgjedhë populli. Unë jam i pavarur në aspektin e vendimmarrjes për arsye se nuk më ka zgjedhur LDK-ja, por më ka zgjedhur populli i Kosovës”.
“E njoh shumë mirë skenën politike në Kosovë, prandaj kam propozuar që kabineti qeverisës i zgjedhjeve lokale duhet të shkojë përtej partive politike në të mirën e qytetarit. Jam i hapur që drejtoritë të jenë prej njerëzve profesionistë e që nuk ka lidhje a janë nga Vetëvendosja, LDK-ja, PDK-ja ose parti të tjera. Unë nuk kam ardhur ta përdor pozitën si trampolinë për t’u bërë kryeministër, president apo kryetar partie”.
A janë takuar më herët me njëri-tjetrin? Flasin Rama dhe Vitia
Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë që deri tani e ka pasë rastin që vetëm nga distanca të takohet me kundërkandidatin e tij nga LDK-ja, Përparim Ramën.
“Nga distanca po, por deri në fushatë s’kam pasë rastin ta takoj Ramën. Në disa raste jemi takuar herën e parë në Dokufest dhe pastaj edhe në disa raste tjera, ku kemi shkëmbyer disa biseda të shkurtra por interesante”.
Nga ana tjetër, Rama ka thënë që për herë të parë po e takon Vitinë në emisionin Rubikon ku po ndodhë edhe përballja e parë direkte për kryeqendrën.
“Unë kam dëgjuar për Arben Vitinë, mirëpo vetëm në raste shumë të shkurtra. Kemi pasë bashkëbisedim të shkurtër. Sot, për herë të parë po kalojmë më shumë kohë te ju”, tha Rama.
“Shqetësuese ta dëgjoj”, Rama e Vitia përplasen LIVE
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës për herë të parë janë përballur sonte në një debat.
Ata kanë nisur me përplasje që në fillim të debatit.
Debati mori flakë pasi Arben Vitia i Vetëvendosjes tha se Qeveria do ta ndihmojë shumë atë nëse fiton garën për Prishtinën.
“Programi im do të mbështetet nga Qeveria sepse çdo pikë është bërë në fizibilitet me çdo ministri”, tha ai.
Kjo ngjalli reagimin e Ramës i cili e pyeti se a do të thotë kjo që Qeveria nuk do ta ndihmojë atë nëse bëhet kryetar.
Rama tha se për të është shumë shqetësuese që ta dëgjojë një deklaratë të tillë.
“Thoni që Qeveria nuk do të më ndihmojë prej të hënës kur unë do ta fitojë garën? Për mua është shqetësuese ta dëgjojë këtë që thoni. Unë kam dhënë gjithë këtë për të ndihmuar për të mirën e qytetarëve. Unë po dëgjojë të thoni se nuk do të më ndihmoni. Qeveria është e të gjithëve. Duhet të jetë e njëjta për të gjithë”, tha ai.
E Vitia tha se ai ka raport tjetër me Qeverinë.
“Jo në asnjë mënyrë por dihet se raportet e mia me qeverinë jën të një niveli tjetër. LDK është një subject I cili tani ka një luftë politike më shumë se një luftëë programore në Prishtinë duke dashur që përmes kësaj lufte ta bëjë opozitën. Kjo do ta penalizojë qytetarin e Prishtinës”, tha Vitia.
***
Sonte është duke i zhvilluar një përballje televizive ndërmjet dy kandidatëve për kryetar të Prishtinës.
Arben Vitia dhe Përparim Rama përherë të parë po përballen mes vete.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, gjatë përballjes ekskluzive për këtë komunë në Rubikon ka thënë që “LDK-ja ka më shumë luftë politike se programore në Prishtinë”.