Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, e ka pyetur kundërkandidatin e tij Përparim Ramën nga LDK-ja se pse nuk iu fut garës si kandidat i pavarur meqë ia do kaq shumë të mirën Prishtinës.
“Nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës dhe nuk dyshoj që ia doni, pse nuk u bëtë kandidat i pavarur? E gjithë fushata e dimë që bëhet nga strukturat e LDK-së dhe kemi parë që gjithë kasta e vjetër në LDK vazhdon t’iu mbështes. Nuk kam dyshim në çdo fjalë që thoni, mirëpo duke qenë mosnjohës i skenës politike në Kosovë jam i sigurt se do të përballeni qysh në fillim me shumë probleme që vijnë nga kjo kastë”, e ka pyetur ai në ballafaqimin ekskluziv në Rubikon.
Rama i është kundërpërgjigjur se është i pavarur në aspektin e vendimmarrjes.
“Nuk do të përballem me probleme, sepse mua do të më zgjedhë populli. Unë jam i pavarur në aspektin e vendimmarrjes për arsye se nuk më ka zgjedhur LDK-ja, por më ka zgjedhur populli i Kosovës”.
“E njoh shumë mirë skenën politike në Kosovë, prandaj kam propozuar që kabineti qeverisës i zgjedhjeve lokale duhet të shkojë përtej partive politike në të mirën e qytetarit. Jam i hapur që drejtoritë të jenë prej njerëzve profesionistë e që nuk ka lidhje a janë nga Vetëvendosja, LDK-ja, PDK-ja ose parti të tjera. Unë nuk kam ardhur ta përdor pozitën si trampolinë për t’u bërë kryeministër, president apo kryetar partie”.