Përballja mes Ramës e Vitisë, krejt çka thanë dy kandidatët për kryetar të Prishtinës

Aktuale

Përballja mes Ramës e Vitisë, krejt çka thanë dy kandidatët për kryetar të Prishtinës

Më: 11 nëntor 2021 Në ora: 09:25
Arben Vitia dhe Përparim Rama

Dy kandidatët që po synojnë pozitën e të parit të kryeqytetit, Arben Vitia dhe Përparim Rama, janë përballur mbrëmë ekskluzivisht në emisionin Rubikon.

Ata kanë komentuar programet e njëri-tjetrit, si dhe kanë folur edhe për mundësinë e koalicioneve.

Krejt çka thanë dy kandidatët për kryetar të Prishtinës:

Rama i thotë Vitisë: A po thoni që Qeveria s’do t’i ndihmojë prishtinasve nëse unë fitoj?

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, gjatë përballjes ekskluzive për këtë komunë në Rubikon, ka thënë që “LDK-ja ka më shumë luftë politike se programore në Prishtinë”.

Derisa Vitia ka folur për përvojën e tij politike, kundërkandidati i tij nga LDK-ja Përparim Rama gjatë debatit i është drejtuar me një pyetje se “a po thoni që Qeveria s’do t’i ndihmojë prishtinasve prej të hënës kur do ta fitojë garën?”.

Vitia: “Është sekret publik dhe natyrisht që dihet që raportet e mia me qeverinë janë të një niveli tjetër. Në anën tjetër LDK-ja është një subjekt i cili tani ka një luftë politike më shumë se një luftë programore në Prishtinë, duke dashur që përmes kësaj lufte në Prishtinë të bëjë edhe opozitën karshi qeverisë që mendoj që do ta penalizojë shumë qytetarin e Prishtinës, pasi ne për 20 vjet me radhë kemi parë se si kjo lufta mes nivelit qendror dhe llokal në Prishtinë zakonisht ka qenë në kurriz të qytetarëve”.

Rama: Për mua është shumë shqetësuese ta dëgjoj këtë që thoni, sepse unë kam ardhur nga Diaspora dhe jam këtu që 17 vjet duke u munduar me i ndihmu qeverisë, edhe Vetëvendosjes. Kam dhënë gjithë këtë kontribut për t’i ndihmuar çdo kryetari deri më tash për të mirën e qytetarëve dhe po dëgjoj se po thoni që pikërisht qeveria nuk do të më ndihmojë mua ose qytetarëve të Prishtinës nëse unë zgjedhem kryetar. Qeveria është e të gjithëve, është e votuar nga të gjithë qytetarët dhe duhet të veprojë si e tillë. Për këtë arsye kjo është shumë shqetësuese, sepse duhet të jetë e njëjtë për të gjithë qytetarët”.

Vitia, Ramës: Nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës, pse s’u bëtë kandidat i pavarur?

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, e ka pyetur kundërkandidatin e tij Përparim Ramën nga LDK-ja se pse nuk iu fut garës si kandidat i pavarur meqë ia do kaq shumë të mirën Prishtinës.

“Nëse ia doni kaq shumë të mirën Prishtinës dhe nuk dyshoj që ia doni, pse nuk u bëtë kandidat i pavarur? E gjithë fushata e dimë që bëhet nga strukturat e LDK-së dhe kemi parë që gjithë kasta e vjetër në LDK vazhdon t’iu mbështes. Nuk kam dyshim në çdo fjalë që thoni, mirëpo duke qenë mosnjohës i skenës politike në Kosovë jam i sigurt se do të përballeni qysh në fillim me shumë probleme që vijnë nga kjo kastë”, e ka pyetur ai në ballafaqimin ekskluziv në Rubikon.

Rama i është kundërpërgjigjur se nuk do të ketë probleme, sepse është i pavarur në aspektin e vendimmarrjes.

“Nuk do të përballem me probleme, sepse mua do të më zgjedhë populli. Unë jam i pavarur në aspektin e vendimmarrjes për arsye se nuk më ka zgjedhur LDK-ja, por më ka zgjedhur populli i Kosovës”.

“E njoh shumë mirë skenën politike në Kosovë, prandaj kam propozuar që kabineti qeverisës i zgjedhjeve lokale duhet të shkojë përtej partive politike në të mirën e qytetarit. Jam i hapur që drejtoritë të jenë prej njerëzve profesionistë e që nuk ka lidhje a janë nga Vetëvendosja, LDK-ja, PDK-ja ose parti të tjera. Unë nuk kam ardhur ta përdor pozitën si trampolinë për t’u bërë kryeministër, president apo kryetar partie".

Kandidati i LDK-së për kryeqytetin në ndërkohë është shprehur i bindur se do të fitojë në këtë rund të zgjedhjeve lokale dhe do të qeverisë për dy mandate.

“Unë do të jem këtu për tetë vjet, sepse brenda tetë vjetëve do ta ndryshojmë rrënjësisht Prishtinën në bazë të projekteve që kemi prezantuar. Në katërvjeçar e bëjmë transformimin, derisa në tetëvjeçar e bëjmë kryeqytetin me karakter unik në botë për të mirën e çdo qytetari. Këtë e them me vetëbesimin më të lartë, sepse eksperienca ime me qytete të ndryshme në botë me jep edhe perspektivën nga jashtë”.

A janë takuar më herët me njëri-tjetrin kandidatët për kryeqytetin Rama dhe Vitia?

Kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, ka thënë që deri tani e ka pasë rastin që vetëm nga distanca të takohet me kundërkandidatin e tij nga LDK-ja, Përparim Ramën.

“Nga distanca po, por deri në fushatë s’kam pasë rastin ta takoj Ramën. Në disa raste jemi takuar herën e parë në Dokufest dhe pastaj edhe në disa raste tjera, ku kemi shkëmbyer disa biseda të shkurtra por interesante”.

Nga ana tjetër, Rama ka thënë që për herë të parë po e takon Vitinë në emisionin Rubikon ku po ndodhë edhe përballja e parë direkte për kryeqendrën.

“Unë kam dëgjuar për Arben Vitinë, mirëpo vetëm në raste shumë të shkurtra. Kemi pasë bashkëbisedim të shkurtër. Sot, për herë të parë po kalojmë më shumë kohë te ju”, tha Rama.

Vitia: Shancë unike për Prishtinën që të ketë të njëjtin vizion me Qeverinë

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se përkrahja e Qeverisë për të qeverisur me kryeqytetin është një shancë unike për Prishtinën.

Ai tha se programi i hartuar nga ekipi i tij është në linjë me secilën minsitri përkatëse.

“Unë jam aktivist i Vetëvendosjes dhe kam mbështetjen e tyre gjë që është e natyrshme. Fillimisht kam përkrahje nga aktivistët, pastaj nga Qeveria dhe kryeministri. Kur është bërë programi është bërë me secilin ministri të linjës. Kurti qëndron prapa meje jo vetëm si aktivist i Vetëvendosjes, por mbi të gjitha bashkë në vizionin tonë për Prishtinën. Kemi në plan mbi 150 milionë euro vetëm në eliminimin e kaosit të trafikut me rrugë të reja që janë bërë në relacion me Qeverinë, sepse komuna e Prishtinës s’i ka të gjitha fondet dhe nevojitet një koordinim i jashtëzakonshëm me Qeverinë dhe këtë përkrahje dhe vizion, i cili është i përbashkët natyrisht si Lëvizje Vetëvendosje ku kryeministri Kurti dhe gjithë Qeveria do të rrinë prapa”, u shpreh ai.

Vitia ironizon me programin e Ramës: Unë synoj ta bëj Prishtinën si Tiranën, ai si Dubai

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, tha se pajtohet që programi i kundërkandidatit të tij të LDK-së, Përparim Rama, duket bukur por s’ia merr mendja se është i realizueshëm.

“Projekte mirë të dukura në rendera që duken sinqerisht mirë. Kur jemi te reklamat po të ishte garë reklamash sigurisht do të isha nga fundi. Por kur vjen puna të programi, është një program mos ta quaj si fontanë dëshirash. Por, synimi ynë në planin tonë është me zgjidhje konkrete dhe shkon drejt asaj që Prishtinën ta bëj të krahasueshme me kryeqytetet afër si me Shkupin, Tiranën ose me kryeqytete tjera të rajonit, por jo me Dubai. Të gjitha që janë paraqitur nga Rama që thotë se janë të kostuara,por nga ato që kam parë shumica thuhet se do të merren nga fondet IPA, por dihet se ato fonde nuk janë prapa dere”.

Rama iu përgjigj se projektet e tij janë të adaptueshme për lagjet e Prishtinës dhe për të sanuar kaosin, por se nuk e di pse Vitisë po i duket si për Dubain.

A do të bëjë koalicion me partitë tjera Arben Vitia?

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se s’do të ketë koalicione me asnjë parti para zgjedhjeve.

Por, ai tha se dyert do t’i hapë për bashkëpunim pasi ta shpallë fitoren.

“Ka pasë sulme të jashtëzakonshme në raport me shumë gjëra. Si Vetëvendosje nuk jemi ulur fshehtas apo kemi bërë koalicion nën tavolinë asnjëherë, pra nëse e kishim bërë do ta kishin marrë vesh të gjithë. Kjo është një shprehi që e kanë pasë subjektet tjera, por jo VV. Koalicion parazgjedhor jo, por pas zgjedhjeve dhe pas fitores një hapje totale me të gjitha subjektet politike”, tha ai.

Rama: Nuk do të bëjmë koalicione parazgjedhore, kemi qenë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka folur rreth mundësisë së koalicioneve përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 14 nëntor.

Rama, ka hedhur poshtë mundësitë që LDK-ja të bëjë koalicion me ndonjë parti, kjo pasi që, sipas tij, janë të bindur se do të fitojnë, pasi tha se janë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj.

“Ne nuk do të bëjmë koalicione parazgjedhore, jemi të bindur se do të fitojmë sepse kemi qenë bashkë me qytetarin që gjashtë muaj”, është shprehur Rama në Rubikon.

“Programin e kemi bërë publik moti. Kam qenë prej fillimit i hapur, kam thënë se kjo kampanjë duhet të jetë kampanjë e ideve dhe vazhdoj ta shoh si të tillë. Nuk shoh pengesa të aspekteve të partive të ndryshme. Unë jam i vendosur që ne të bëhemi bashkë për të gjetur zgjidhjen e problemeve për qytetarët e Prishtinës”, është shprehur Rama.

Rama: Në ekip kam drejtorë që janë nga Vetëvendosja, s’e kam problem të jetë edhe Vitia

Kandidati i LDK-së për Prishtinën Përparim Rama ka thënë se në ekipin e tij, nëse do ta fitojë garën e balotazhit, do të ketë edhe drejtorë që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Unë e kam listën e emrave dhe para dy muajsh kam dashur ta bëj publike sepse besoj që duhet të jemi transparentë në këtë pjesë, por e kam kuptuar që nuk duan të paraqiten para fitores për shkaqe të ndryshme, sepse kemi pjesëtarë të partive të ndryshme aty – edhe të Lëvizjes Vetëvendosje – dhe nuk duan të bëhen publike para fitores. Jam i hapur”.

Vitia ka qeshur me deklaratën e Ramës në Rubikon, ku kandidatët për Prishtinën po përballen ekskluzivisht, derisa e ka sfiduar të përmendë edhe emra.

“Mund të jesh i hapur, por ju sfidoj që ta përmendni dhe jam i sigurt duke njohur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje. Jam i sigurt se një pjesë e mirë e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje do të jenë drejtorë, ama në drejtoritë që do të udhëheq unë”.

Kandidati i LDK-së për Prishtinën i ka thënë kundërkandidatit të tij se duhet të jetë më mendjehapur dhe se do ta mirëpriste në kabinetin e tij, nëse do të jetë kryetar i kryeqytetit.

“Duhet të jeni mendjehapur për të mirën e Prishtinës. Nuk kam problem që edhe ju të jeni pjesë e kabinetit tim, por nëse ka më të mirë më të mirët do ta marrin vendin. Kjo është ideja që ne t’i marrim më të mirët që ta çojmë qytetin përpara dhe ta heqim nga ky kaos”.

Si do ta urojnë njëri-tjetrin Vitia e Rama, kur njëri nga ta të bëhet kryetar i Prishtinës?

Në përballjen ekskluzive në Rubikon, Arben Vitia dhe Përparim Rama, pas shumë diskutimeve u pyetën edhe për atë se si do ta uronin njëri-tjetrin, kur njëri nga ta të bëhet kryetar i Prishtinës.

Kandidati i Vetëvendosjes, Vitia, tha se do t’i uronte suksese në punë për të mirën e qytetarëve.

“Sukses për qytetarët nëse do të mund të ketë sukses dhe sukses në punë për të mirën e qytetarëve natyrisht”, ka thënë Vitia.

Ndërkaq Rama u shpreh se do t’i kërkonte Vitisë të pinin kafe dhe të diskutonin për të ardhmen e Prishtinës.

“Do ta ftoja zotin Vitia të bëjmë një bashkëbisedim të flasim për ashtu shlirë e mirë të pimë nga një kafe dhe të bisedojmë për Prishtinën në mënyrën më të mirë të mundur, t’i tregoj edhe projekte të ndryshme të Prishtinës për të mirën e zotit Vitia të familjes së tij dhe të gjithë prishtinasve, pra do ta falënderoj për një kampanjë të mirë dhe do t’i ofroj bashkëpunim në të ardhmen edhe subjektit të Vitisë në qeverisjen e mirëfilltë të Prishtinës”, është shprehur Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat