Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe sot po merr pjesë në Forumin e Parisit për Paqe, i cili po mbahet në Paris.
Kurti ka shkruar në Facebook se presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë i pritën për një darkë solemne në Pallatin Elysee.
Postimi i plotë:
Dje dhe sot po marr pjesë në Forumin e Parisit për Paqe. Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë na pritën për një darkë solemne në Pallatin Élysée, ku bashkë me gruan time Ritën, patëm nderin dhe kënaqësinë të takohemi me Zëvendës Presidenten e ShBA-së, Znj. Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff.
Takime e biseda zhvilluam edhe me liderë të ndryshëm nga rajoni dhe bota.
Në Paris po diskutojmë për bashkëpunim dhe paqe me Presidentët Gjukanoviq e Komshiq e deri te Presidenti i Këshillit Evropian, z. Charles Michel e Zëvendës Presidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell.


