80 vjeçari paradite në treg, pasdite voton: Fikall jam

Aktuale

80 vjeçari paradite në treg, pasdite voton: Fikall jam

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 10:19
Gani Zejnullahu

Sot, për të është ditë e zakontë. Ashtu si gjithnjë, u zgjua në orën 5 të mëngjesit për ta falë namazin e sabahut, piu një gotë qumësht, dhe me bicikletën e tij, u nis për në “Pazarin e Kerreve”.

80 vjeçari nga Fusha Kosova, Gani Zejnullahu ka rreth 10 vite që gjërat që ia falin të tjerët, del për t’i shitur.

“Jam çu në 6 e fala namazin e sabahut dhe erdha. Qe 10 vite dal në pazar. Me vozit kerrin ma s’po mundem, po vij me bicikletë. S’po është edhe e lehtë, nganjëherë po ndalem po pushoj. Jam penzioner, jetoj vetëm, po dalë mi shit disa gjëra, që po mi falin këta të jashtit”, thotë ai

Ai thotë se edhe këtë të diel, doli për ta shfrytëzuar ditën, ndërsa shton se në orët e pasditës do të shkojë të votojë, ani pse ndihet i zhgënjyer dhe pret nga kryetari i ardhshëm i Fushë-Kosovës që të bëjë më shumë për penzionistët.

“Po ka kohë, dikur pasditë dalë e votoj. Po për penzionerët pres me ba ma shumë se na kanë harru”, shprehet i moshuari.

80 vjeçari, ka më shumë se një vit që jeton vetëm, pasi që gruaja e tij i ka vdekur, çka se thotë se i është vështirësuar jeta, ndërsa pjesën tjetër të familjes e ka jashtë vendit.

“Jetoj vetëm. Para 14 muajsh më ka vdek gruaja. Po s’po është dhe lehtë, mirëpo po duhet. Krejt i kam jashtë. Fikall jam”, shton më tej ai.

Image
Gani Zejnullahu
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat