​Sulmi në Obiliq, IQO fajëson aktivistët e LVV-së, por kjo e fundit e mohon

Aktuale

​Sulmi në Obiliq, IQO fajëson aktivistët e LVV-së, por kjo e fundit e mohon

Më: 14 nëntor 2021 Në ora: 10:43
Vetëvendosje

Iniciativa Qytetare për Obiliq nëpërmjet një reagimi ka dënuar ashpër sulmet fizike të aktivistëve të LVV-së ndaj dy aktivistëve të IQO-së, megjithatë kjo është mohuar nga LVV, të cilët kanë thënë se nuk janë aktivistë të tyre.

Gjatë mbrëmjes është raportuar për një incident fizik, ku Iniciativa Qytetare e Obliqit ka thënë se disa aktivistë të këtij subjekti janë sulmuar nga disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërkohë, sot Iniciativa Qytetare për Obiliq, ka reaguar duke fajësuar aktivistët e LVV-së, të cilët thonë se këto raste janë të njohura për organet e drejtësisë.

“Format e tilla të dhunës, sulmeve fizike dhe kërcënimeve që po bëhen ndaj aktivistëve tanë, në theks të veçantë nga kandidati i cili pretendon të parin e komunës së bashku me vëllëzerit e tij dhe nxitjen e vazhdueshme të aktivistëve të tyre për akte të liga, cenon rëndë integritetin dhe frymën demokratike të zgjedhjeve. Iniciativa Qytetare për Obiliq, kërkon me urgjencë trajtimin dhe verdiktin e organeve të drejtësisë për këto akte të shëmtuara. Iniciativa Qytetare për Obiliq, i bën thirrje qytetarëve të Obiliqit të mos bien pre e mashtrimeve dhe shantazhave sepse vullneti i tyre është i pacenushëm, zgjedhjet janë të lira dhe demokratike, bëjmë thirrje në ruajtjen e paqes e qetësisë.”.

Kurse, Lëvizjen Vetëvendosje në komunën e Obliqit, nuk e kanë marrë përsipër këtë incident, duke thënë se nuk janë aktivistë të tyre pjesë e këtij sulmi siç pretendon pala tjetër.

Këto dy subjekte garojnë në këto zgjedhje për Obliqin.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat