Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka fituar garën në Prishtinë, duke mposhtur ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje.
Qytetarë dhe simpatizantë të kësaj partie kanë festuar në sheshet e kryeqytetit të Kosovës.
Në shesh ishte edhe kryetari i ri i Prishtinës Përparim Rama.
Pas shpalljes së fitores së Ramës, ai u zotua se do të jetë kryetar i të gjithëve.
“Të dashur prishtinali, në qytet e në çdo fshat, në secilin takim e vizitë më keni dhuru emocione të veçanta. Më keni mbush me shumë energji për me vazhdu përpara. Emocionin e kësaj fitoreje nuk mundem me përshkru me fjalë, kjo është fitorja e juaja. Kjo është fitorja e secilit banor pa dallime.
Vota jote sot tregon që jemi të emancipuar për me dasht më të mirën për vendin tonë. Vota jote sot më fuqizon me privilegjin e të qenit kryetar i Prishtinës. Unë Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, zotohem se do të jem kryetar i të gjithëve“, tha ai.
Nga rezultatet e KQZ-së, Rama e mposhti Arben Vitinë e VV-së, me 51,07% të votave. Vitia arriti të marrë vetëm 48,93%.