Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla deklaroi sot në Bruksel se NATO dhe Bashkimi Evropian nuk duhet ta tolerojnë qasjen agresive të Serbisë karshi Kosovës.
Ajo në takimin e ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore ka folur për ndikimin rus dhe kinez përmes Serbisë në Ballkan.
Gërvalla ka ngritur çështjen e zhvillimeve të fundit në Kosovë e cila ka pranuar kërcënime të hapura për luftë nga shteti fqinj, Serbia.
Ajo ka njoftuar ministrat e jashtëm me kërcënimin e drejtpërdrejtë, që është manifestuar me prezencë të trupave dhe automjeteve të Serbisë në kufirin e Kosovës duke përfshirë edhe avionët luftarakë rusë, përkatësisht MIG 29.
Për më tepër, ka theksuar se gjatë kësaj krize, ambasadori rus u paraqit në kufirin e Kosovës dhe i mirëpriti këto kërcënime e lëvizje agresive të Serbisë.
Ndryshe, takimi i sotëm në Bruksel u mbajt me rastin e kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) nga Athina.
Gjatë këtij takimi u prezantuan prioritetet e kryesimit të SEECP-së nga Athina si dhe u diskutuan zhvillimet aktuale dhe bashkëpunimi rajonal duke u fokusuar në forcimin e sinergjisë mes vendeve të Evropës Juglindore me qëllim të zhvillimit të rajonit.
Gërvalla tha se SEECP-ja duhet t'i përmbahet gjithmonë objektivit të vet themelor për rritjen e bashkëpunimit politik dhe të sigurisë si dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e kapitalit njerëzor, demokracisë dhe drejtësisë.
Po ashtu, Gërvalla shprehu gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim efektiv në arritjen e rezultateve të planifikuara në kuadër të agjendës së SEECP-së.