Përparim Rama thotë se kryeministrin Kurti e ka mik, tregon nëse do të bëjë koalicion me VV-në

Aktuale

Përparim Rama thotë se kryeministrin Kurti e ka mik, tregon nëse do të bëjë koalicion me VV-në

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 20:57
Përparim Rama

Përparim Rama, kryetar i zgjedhur i Prishtinës thotë se ka pranuar telefonatë për urim të fitores nga kundërkandidati Arben Vitia, derisa i ka premtuar edhe bashkëpunim, për të mirën e kryeqytetit.

“Po, z.Vitia më ka telefonuar dhe i falënderohem shumë. Më ka thënë se është i gatshëm që të bashkëpunojë në çfarëdo aspekti në këtë punën e madhe që na pret”, tha Rama.

Pos ndihmës nga Vitia, Rama pret mbështetje edhe të kryeministrit Albin Kurti për të cilin tha se ka një raport të veçantë.

“Unë e njoh z.Kurti para shumë kohësh, njihemi moti dhe s’kam asnjë arsye që të besoj se nuk do të kemi bashkëpunim”, tha Rama në Rubikon.

Por si e njeh ai Kurtin?

“Mik, shok”, tha Rama.

Rama, i cili as pas fitores nuk bëri publik asnjë emër të ekipit të tij qeverisës për kryeqytetin nuk përjashtoi mundësinë e lidhjes së një koalicioni me VV’në.

“Assesi. Kjo është një betejë kundër kaosit urban”, tha Rama.

Ai është i bindur se fitorja i erdhi për shkak të programit të tij qeverisës.

Rama u zotua se 50 për qind e ekipit të tij do të jenë gra veçse ato do të përzgjidhen në bazë të kritereve dhe standardeve profesionale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat