Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka thënë se fitorja e zgjedhjeve lokale nga ana e PDK-së nuk do të arrihej pa lidershipin e kryetarit të ri Memli Krasniqi.
Ajo ka shkruar në Facebook se kryetari i PDK-së i ka bërë bashkë kandidatët, projektet dhe përkushtimin brenda një formule të vetme, që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe shërbimin në dobi të tyre.
Postimi i plotë:
Thellësisht mirënjohëse ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, që në këto zgjedhje besuan në projektin politik të PDK-së.
Fitorja e PDK-së në nëntë komuna të Republikës së Kosovës që e nxjerr PDK-në fituese të këtyre zgjedhjeve, është fitore e tyre dhe për ta.
Kjo perspektivë dhe ky vullnet qytetar për qeverisje kompetente, transparente e transformuese, nuk do të arrihej pa angazhimin e madh të aktivistëve dhe strukturave të PDK-së, si dhe lidershipit të kryetarit Memli Krasniqi, i cili ka bërë bashkë kandidatët, projektet dhe përkushtimin brenda një formule të vetme, që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe shërbimin ekskluzivisht në dobi të tyre.
Të gjithë kryetarëve të sapo zgjedhur në komunat e Kosovës, iu dëshiroj punë të mbarë dhe qeverisje në interes të qytetarëve që i kanë mandatuar.