Kryeministri Kurti prezanton ministrin e ri të shëndetësisë, vjen nga SHBA

Aktuale

Kryeministri Kurti prezanton ministrin e ri të shëndetësisë, vjen nga SHBA

Më: 16 nëntor 2021 Në ora: 10:42
Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

(E plotësuar 13:31) - Latifi: Ardhja ime nga rehatia në jetën amerikane, sinjal i fuqishëm që të kthehen edhe të tjerët

Ministri i ri i Shëndetësisë Rifat Latifi, që erdhi nga SHBA-ja, ka ripërsëritur disa herë që synon që ta kthejë ‘trurin shkencor’ të larguar nga Kosova duke nënkuptuar kthimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në vend.

“[Kthimi i trurit mjekësor] tash për tash është koncept në mendjen time detajet e të cilave do t’i njihni derisa ne i përcaktojmë saktësisht. Fakti se unë kam ardhur këtu nga një rehati në jetën amerikane dhe një pune shumë të mirë është sinjal i fuqishëm që edhe të tjerët të na bashkangjiten në kthimin në Kosovë.

“Kur e kemi pasë kongresin e parë të kirurgëve të Kosovës kemi pasë më shumë se 10 kirurgë eminentë të botës që janë nga Kosova dhe që janë gati me u kthy dhe të kontribuojnë në edukim. Duhet të jemi të hapur dhe të krijojmë strategji se si t’i angazhojmë të gjithë ata që duan të vijnë”.

​Kurti S’ka asnjë mospajtim të Kosovës dhe SHBA-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka bërë të ditur se kur do të ketë vizitën e tij të parë në ShBA.

Ai në një konferencë për medie tha se nuk ka asnjë mospajtim mes Kosovës dhe ShBA-së dhe se lidhja ndërmjet dy vendeve është e fortë dhe palëkundshme.

Ai e mirëpriti ftesën për Samitin e Demokracisë, por tha se edhe mos të ndodhte kjo nuk do të ndikonte në marrëdhëniet ndërmjet vendeve.

“Do t’iu njoftoj kur ta kem vizitën zyrtare në ShBA dhe nuk ka asnjë mospajtim të Kosovës dhe SHBA-së, aleanca jonë është e fortë dhe fuqishme dhe nuk lëkundet nga ndonjë deklaratë e dikujt. Ka pasur një lloj një moskuptimi për Samitin e Demokracisë, lidhja ndërmjet dy vendeve[...]është shumë e fuqishme. Ftesa shumë mirë që erdhi, por edhe mos të ndodhte kjo nuk do të ndikonte në marrëdhëniet tona. Kjo ka ndodhur edhe nga reagimi dhe vizita e presidentes Osmani”, tha ai.

Ndërsa, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të hënën bëri publike ftesën nga Presidenti i ShBA-ve Joen Biden për pjesëmarrjen në Samitin për Demokraci i cili do të mbahet më 9-10 dhjetor.

“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt ndërtimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”, tha presidentja në komunikatën e lëshuar për medie.

Në Samitin e Demokracisë, Presidentja ka theksuar se do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat e Kosovës.

​Kurti: Takimi me Vuçiqin varet nga takimi i kësaj jave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, do të varet nga rezultatet e takimit të sotëm në Bruksel.

Ai tha se diskutimet për energjinë do të bëhen vetëm me Brukselin zyrtar dhe jo me palën serbe.

“Diskutimi në Bruksel do të ketë në epiqendër diskutimin e të pagjeturve dhe të zhdukurve me dhunë. Për rezultatet konkrete nuk do predikoja tani. Takimi që është paralajmëruar me presidentin e Serbisë varet nga takimi i kësaj jave dhe vullneti për progres... Fajin për mos pagesën e energjisë e kanë strukturat ilegale në veri. Licencimi i kompanisë është kompetencë e Zyrës Rregullatore të Energjisë. Ne për energjinë bisedojmë me Brukselin dhe jo me Beogradin. Nëse kjo temë ngrihet atje, ngrihet vetëm në raportin Prishtinë-Bruksel”, tha ai.

​Kurti takoi kandidatët e LVV-së që ishin në balotazh: Mbajta shënim vërejtjet e tyre

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sërish ka arsyetuar humbjen e qyteteve kryesore në zgjedhjet lokale.

Kurti në një konferencë për medie tha se mbrëmë ka takuar 12 kandidatët që ishin në balotazh dhe ka marrë shënime për vërejtjet e tyre.

Ai tha se defektet e humbjes së Prishtinës, Prizrenit dhe disa qyteteve të tjera kanë të bëjnë me strukturën dhe organizimin e partisë.

Gjithashtu, sipas tij edhe partitë e tjera janë bërë bashkë kundër LVV-së.

“Mbrëmë i kam takuar 12 kandidatët që ishin në balotazh nga LVV dhe mbajta shënime për të gjitha vërejtjet e tyre dhe mësimet. Shtabi ynë zgjedhor është duke përgatitur një raport që do ta diskutojmë në Lëvizjen Vetëvendosje në ditët në vijim. Ajo që ishte e qartë është se në subjektin tonë politik që është rritur tej mase 3/4 vite e fundit ka disa defekte strukturore dhe organizative. Kjo është një pjesë e shpjegimit. Ndërsa në anën tjetër ka eksituar një rendim dhe bashkëpunim të partive tjera kundërdrejtë LVV”, tha Kurti.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka bërë të ditur nëse do t’i bëjë vend në kabinetin qeveritar, ish ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai në një konferencë për medie, tha se nuk kanë ndonjë presion për të vendosur tani.

“Se cili do të jetë angazhimi i tij në të ardhmen nuk ka ndonjë presion për të vendosur tani. Kjo bëhet varësisht prej planeve që ka edhe vet zotëri Vitia”, tha ai.

Kujtojmë që Vitia dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë meqë hyri në garë për të parin e Prishtinës. por në raundin e dytë të zgjedhjeve, Arben Vitia u mposhtë nga kundërkandiati i tij i LDK-së, Përparim Rama.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Vitia mori 38 mijë e 958 vota apo 48,93 përqind. 

***

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar ministër të ri të Shëndetësisë, kirurgu shqiptar Rifat Latifi që vepron dhe jeton në SHBA.

Latifi është  shef i Kirurgjisë së Përgjithshme në Qendrën Mjekësore Westchester në New York, profesor në Universitetin e Arizonës, anëtar i Kolegjit Amerikan të Kirurgëve dhe Kolegjit Ndërkombëtar të Kirurgëve, kryetar themelues i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që nga dhjetori i vitit 2018.

Në vitin 2009, Latifi ishte emëruar këshilltar për shëndetësi nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi.

Ndërkaq, në mesin e emrave që u përfolën për këtë pozitë është edhe kardiologu Ramadan Jashari, i cili s’ka pranuar meqë jeton në Belgjikë.

Ai e pason ish-ministrin Arben Vitia, i cili u largu nga kjo pozitë pasi ishte kandidat i VV-së për kryetar të Prishtinës.

***

Kryeministri Kurti përmes një konference për media bëri të ditur që ka emëruar ministër të shëndetësisë, kirurgu shqiptar Rifat Latifi që vepron dhe jeton në SHBA.

***

 Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të mbajë konferencë për medie nga ora 12:00.

Mësohet se gjatë kësaj konferencë pritet që Kurti ta emërojë ministrin e ri të Shëndetësisë.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë tash e disa javë ka ushtruese detyre të ministres Dafina Gexha-Bunjaku, pasi ish-ministri, Arben Vitia u tërhoq për të kandiduar për kryetar të Prishtinës.

***

Kryeministri Albin Kurti do të mbajë konferencë për media.

Konferenca do të mbahet në objektin e Qeverisë në orën 12: 00.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim nga zyra për informin e kryeministrisë.

Nuk dihet arsyeja e konferencës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat