Kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovë, ka qëndruar stoikisht në krye të kësaj komune për katër mandate. Ndërsa, ka në zgjedhjet e 14 nëntorit ai ka marrë edhe mandatin e pestë për udhëheqjen e kësaj komune.
Por, kush është kryetari i përjetshëm i Fushë Kosovës?
Burim Berisha ka lindur në Sllatinë Madhe të Fushë Kosovës. Shkollimin fillor e ka përfunduar në po këtë komunë, kurse shkollimin e mesëm e ka përfunduar në shkollën ekonomike në Prishtinë. Rrugëtimin e tij intelektual Berisha më pas e ka vazhduar në fakultetin ekonomik në Universitetin e Prishtinës. Burim Berisha aktualisht është i martuar edhe ka dy fëmijë.
Karriera e tij politike është e gjatë, ai që nga viti 1989 ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, më konkretisht sekretar i degës së kësaj partie në Fushë Kosovë. Kurse, gjatë viteve 1990-1998 ai ka qenë kryetari i parë i Qeverisë Lokale në Fushë Kosovë.
Rrugëtimi i Berishës në dhe për Fushë Kosovën nuk u ndal këtu, kjo sepse ai gjatë periudhës 2001 – 2007 ka qenë kryeshefi ekzekutiv i Fushë Kosovës.
Berisha ishte zgjedhur kryetar i komunës së Fushë Kosovës në zgjedhjet e vitit 2007, ku në raundin e parë LDK kishte arritur të fitoj vetëm 35.02 për qind, kurse në raundin e dytë në balotazh Berisha kishte fituar me 55.77 për qind të votave duke lënë pas kandidatin e PDK-së Ahmet Krasniqi me 44.23 për qind.
Pa balotazh Berisha kishte fituar në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2009 me 56.99 për qind të votave. Një triumf të tillë Berisha e kishte pasur edhe në zgjedhjet e vitit 2013, ku ai ka fituar që në raundin e parë me 64.33 për qind të votave.
Burim Berisha kishte fituar edhe në zgjedhjet e kaluara komunale të mbajtura në vitin 2017. Ai kishte zënë postin e të parit të Fushë Kosovës që në raundin e parë, me 63.84 për qind të votave.
Kurse, në raundin e parë të zgjedhjeve të këtij viti të mbajtura më 17 tetor, Burim Berisha dhe LDK-ja morën vetëm 49.72 për qind të votave, jo të mjaftueshme për të marrë edhe një mandat në Fushë Kosovë. Kësisoj Berisha u përball në balotazh me kundërkandidatin e tij Enver Bajqinca nga Lëvizja Vettëvendosje.
Kurse, në raundin e dytë të zgjedhjeve që u mbajtën këtë të diele (14 nëntor) Burim Berisha, u zgjodh kryetar i komunës së Fushë Kosovë me 66.04 për qind të votave dhe do të jetë në krye të kësaj komune edhe për katër vite.