Prokuroria Themelore në Ferizaj do të paraqesë kërkesë pranë Gjykatës Themelore në Ferizaj, për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të dyshuarit kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, Marigona Osmani.
Kështu kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.
“Referuar kërkesës suaj për të dhëna, ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, do të paraqesë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve“, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
Vendimi i fundit i Gjykatës Themelore për masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve përfundon më 21 nëntor.
Ndryshe, sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Dardan Krivaqa dyshohet se më 22 gusht 2021, në banesën e tij, me dashje dhe në mënyrë mizore, kishte ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj të ndjerës, e cila më pas kishte ndërruar jetë.
Kurse, sipas aktakuzës, i dyshuari tjetër, Arbër Sejdiu, gjatë gjithë kohës kishte qenë i pranshëm dhe se kishte ushtruar dhunë fizike e psikike mbi të ndjerën.
Kujtojmë që, Prokuroria Themelore në Ferizaj tashmë ka pranuar raportin e autopsisë së Marigona Osmanit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Megjithatë, për shkak të procesit të hetimeve, kanë njoftuar se nuk mund të japin detaje për publikun.