Ajo çka po ndodhë në Kuvend është shqetësuese. Përpjekja e Listës serbe që nëpërmjet bllokimit të Kryesisë të ndodhë bllokimi i punës së Kuvendit.
Kjo situatë tregon për deformimin e fortë kushtetues që i është bërë shtetit të Kosovës. Një parti, që sipas të drejtës kushtetuese është pjesë e Qeverisë së Kosovës, shantazhon punën e Kuvendit, në këtë mënyrë edhe qeverisjen.
Kjo sjellje është vetëm njëra nga pengesat që mund të cilësohen të lehta, në raport me pengesat që mund të sjellin serbët në funksionimin e Kuvendit, nëse ata vendosin të përdorin votën e dyfishtë, e cila mund të aplikohet në procesin e miratimit të të gjitha ligjeve.
Shqetësimin e fortë e ka shprehur sot drejtpërdrejt Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit të Kosovës, pas dështimit të radhës për mbajtjen e mbledhjes së Kryesisë.
“Lista serbë është duke e bojkotuar qëllimshëm. Ne nuk pranojmë asnjëlloj shantazhi në kryesi të Kuvendit. Simiq po vjen në Kuvend por kur po e sheh që jemi 4 dhe është kourum i mjaftueshëm po largohet. Këtë e ka bërë edhe sot, nëpërmjet kësaj”, tha sot Konjufca.
Në ndërkohë Kosova është duke biseduar sot me Serbinë në Bruksel, ku sipas BE-së do të flitet edhe për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky shqetësim i sotshëm i shprehur nga kryetari i Kuvendit, është një argument se çfarë sistemi të brishtë kemi ndërtuar, si pasojë e Pakos Ahtisari.
Kjo situatë është alarmuese, se çfarë do të mund të bënin serbët, nëse krijohet një asociacion me kompetenca ekzekutive.
Bisedimet që po bëhen në Bruksel, duhet të merren shumë seriozisht nga të gjithë në Kosovë. Opozita nuk duhet të provojë që duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve lokale të ushtrojë presion ndaj pushtetit, dhe të humbë energji apo t’i shfokusojë, institucionet.
Përkundrazi masa e fitores që e pretendojnë ato apo e suksesit zgjedhor, duhet të jetë si presion për të mos bërë kompromise ‘të dhimbshme’, të cilat edhe e kanë dëmtuar funksionalitetin normal të shtetit.
Pra, opozita sot, dhe normalisht ajo do të duhej ta përqendronte presionin ndaj qeverisjes së Vetëvendosjes, në zbatimin e zotimeve të saj, kundërshtimeve të saja, dhe jo, që opozita të ofrojë ‘kompromise’.
Ku keni parë ju që opozita të ofrojë kompromise! A nuk është një lloj çmendurie kjo, apo kompromiset i shihni si derë, nga e cila ju mund të futeni në pushtet. Pra, se ashtu na duan ndërkombëtarët apo edhe më keq Serbia!
Politika e lëshimeve duhet të marrë fund, dhe t’i bëhet e qartë Vetëvendosjes, se mund të pësojë edhe më keq nëse nuk i mban premtimet kyçe. Por, që kjo të ndodhë partitë opozitare duhet të jenë opozitë e kompromiseve të dhimbshme!
Shqiptarët sidomos në këto zgjedhje, por edhe në ato nacionale dëshmuan se dinë të votojnë, dinë të përzgjedhin vlera, dhe dinë të ndëshkojnë antivlerat si ndodhi në disa komuna, ku nuk patën shans për rizgjedhje kryetarët.
Politika e lëshimeve, e cenimit të funksionalitetit të shtetit dhe e dorëzimit para presionit, duke arritur qëllime apo favore personale nuk duhet të lejohet më. Ajo ka marrë fund me ndëshkimin kataklizmik të zgjedhjeve nacionale, për Thaçin, Veselin, Haradinajt, Mustafën &co!
Por, natyrisht që grupimet pas tyre do të nxjerrin kokën, për aq kohë sa nuk ndëshkohen edhe ligjërisht për mëkatet e tyre!
Rasti i pengimit të punës së Kryesisë së Kuvendit, demonstron se si serbët, sa më shumë kompetenca që marrin, nuk qytetarohen, por bëhen edhe më problematikë dhe sfidues për shtetin, sepse janë në shërbim të politikave ekspansioniste të Serbisë.