Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se takimi i tretë me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, do të varet nga rezultatet e takimit të kësaj jave në Bruksel.
Ai tha se për rezultate konkrete të takimit të zëvendëskryeministrit Bislimi me udhëheqësin e zyrës për Kosovën në Serbi, Petar Petkoviq nuk mund të predikoj.
Kurti: Takimi me Vuçiq varet nga takimi i kësaj jave
“Bisedimet që po zhvillohen në Bruksel do të kenë në qendër temën e të zhdukurve me dhunë, meqenëse ajo është një çështje që nuk pret...Për rezultate konkrete nuk do të kisha predikuar tani, jo vetëm pse unë aty. Takimi që është paralajmëruar me presidentin e Serbisë varet edhe nga fakti si do të shkoj kjo javë në njërën anë dhe anën tjetër sa mirë do të arrijmë të përgatisim takimin e tretë në mes nesh. Ne kemi shfaqur gatishmërinë tonë për dialog parimor që përfitojnë qytetarët dhe ka në qendër të saj njohjen reciproke”, tha ai.
Në një konferencë për medie, Kurti, tha se diskutimet me Beogradin do të jenë vetëm për të zhdukurit dhe se tema për energjinë do të diskutohet vetëm me Brukselin.
Kurti: Strukturat ilegale e kanë fajin për mos pagesën e energjisë
“Për çështjen e energjisë që nuk po paguhet, fajin për këtë e kanë strukturat ilegale të Serbisë atje. Sa më shumë që ka struktura ilegale në këto vite aq më pak ka ligjshmëri. Licencimi i kompanisë është kompetencë e ZRRE-së. Për çështjen e energjisë në veri bisedojmë me Brukselin dhe jo Beogradin”, deklaroi ai.
I pyetur për ftesën e ShBA-së ndaj Kosovës për pjesëmarrje në Samitin e Demokracisë, Kurti tha se ftesa shumë mirë që erdhi, por edhe mos të ndodhte nuk do të lëkundte partneritetin mes dy vendeve.
Megjithatë, kreu qeveritar nuk bëri të ditur kur do të shkojë në vizitë zyrtare në ShBA.
Kurti: Ftesa për shumë mirë qe erdhi, por edhe po mos të ndodhte nuk thotë gjë për aleancën Kosovë-ShBA
“Do t’iu njoftoj kur ta kemi vizitën zyrtare në ShBA, mirëpo ne bashkë me presidentin dhe krye parlamentarin rregullisht koordinohemi për këtë gjë. Nuk ka asnjë mospajtim mes Kosovës dhe ShBA-së. Aleanca dhe partneriteti ynë është i fortë dhe fuqishëm dhe nuk lëkundët nga çfarëdo keqinterpretimi që mund t’i bëhet ndonjë deklarate të ndokujt. Ka pasur një mos kuptim në lidhje me Samitin e Demokracisë. Ftesa për atë samit nuk është vlerësim dhe as pikëpamje e ShBA-së dhe këtë e ka sqaruar ambasada këtu. Lidhja e Kosovës dhe ShBA-së nuk varet prej një pe, është shumë e fuqishme...Ftesa shumë mirë qe erdhi, por edhe po mos të ndodhte kjo ftesë nuk thotë gjë për aleancën dhe partneritetin tonë. Besoj që ka ndikuar disa faktor, reagimi i të gjithë akterëve politik edhe dashamireve tanë në ShBA dhe sidomos vizita edhe presidentes tonë atje. Takimet që ajo i ka pasur me zyrtarët amerikan të të gjitha niveleve”, theksoi Kurti.
Kryeministri Kurti gjatë konferencës ku prezantoi ministrin e ri të Shëndetësisë, ka ripërsëritur qëndrimet e tij për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë dhe hezitimin e vendit për t’iu bashkangjitur iniciativës Ballkani i Hapur.