Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor, nënshkruajnë marrëveshje

Aktuale

Kosova dhe Franca thellojnë bashkëpunimin kulturor, nënshkruajnë marrëveshje

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 14:48
Foto nga takimi

Republika e Kosovës dhe ajo e Francës kanë thelluar bashkëpunimin ndërshtetëror, duke nënshkruar deklaratën për shprehje të interesit që synon krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme, strategjike dhe territoriale mes dy vendeve.

Zotimi është nënshkruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, dhe ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel.

Marrë parasysh frymën e bashkëpunimit ekzistues mes Kosovës dhe Francës, si dhe aderimin e Kosovës si anëtare e asociuar pranë Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë në tetor të vitit 2018, palët janë shprehur të gatshme të zgjerojnë bashkëpunimin për ta forcuar këtë lidhje.

Me këtë marrëveshje pala kosovare dhe ajo franceze kanë shprehur interesin për të mbështetur projekte dhe organizime të ndryshme mes Kosovës e Francës, me mjete konvencionale, financiare dhe njerëzore, brenda një kalendari 2022 – 2024. Projektet i përkasin fushës së kulturës, diplomacisë kulturore dhe arsimit.

Paraqitja në Festivalin e Kanës, në festivalin në Avingon dhe partneriteti me La Manufucture janë vetëm disa nga projektet që synohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe Francës madje edhe në bashkëprodhim të filmave.

Bashkëpunimi i ngushtë në fushat e trashëgimisë dhe kulturës, me theks në arkeologji dhe në artin bashkëkohorë janë ndër temat e deklaratës, si dhe angazhimi për realizimin të projekteve si Manifesta 14 dhe programi i BE-së, Creative Europe.

Deklarata parasheh përgatitjet strategjike për Samitin e Frankofonisë 2024 dhe për Lojërat Olimpike Paris 2024, gjithashtu evoluimin e statusit të Kosovës pranë organizatës ndërkombëtare të Frankofonisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat