Po nxjerrë krye Isa Mustafa - Pse nuk u distancua nga projekti për ndarje të Kosovës!

Aktuale

Po nxjerrë krye Isa Mustafa - Pse nuk u distancua nga projekti për ndarje të Kosovës!

Nga: Idriz Morina Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 15:40
Isa Mustafa

Që nga humbja e turpshme e shkurtit, Isa Mustafa tani ka filluar të nxjerrë krye. I kthyer në figurë të urrejtur edhe nga vasalët e tij, i strukur për disa muaj në vetvete, ka filluar sërish të nxirosë faqet e medieve.

Kuptohet ai po gjen ‘territor’, në mediat që kanë nevojë për zërin e tij, sepse po e dëgjojnë pjesërisht zërin e munguar të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, atje ku ata kishin investuar fuqishëm, duke marrë nën kontroll shumicën e medieve.

Kjo tingëllimë që prej luftës e këndej, nuk është ndalur së vrari ndërgjegjen shqiptare, që për parime të vetme ka njohur pushtetin dhe paratë, tek Mustafa, ndërsa tek grupi tjetër edhe femrat, kënaqësinë fizike.

Sapo u shtua mbështetja apo filloi një lloj empatie për LDK-në pas ndryshimeve të detyruara zgjedhore, e motivuar edhe nga humbja e rëndë, shpresat se më në fund Isa i humbjeve rekorde të LDK-së ka ikur, ai vjen sërish e shfaqet nëse jo si protagonist, si një promotor i lidershipit aktual të LDK-së, dhe thuajse sa nuk merr edhe meritat për fitoren e Prishtinës.

Dikush mund ta besojë se roli i tij ishte me ndikim, por i tillë mund të ketë qenë vetëm për të koordinuar veprimet me PDK-në apo për të shërbyer si garancë. Të gjithë e dinë se pa votat dhe mbështetjen e PDK-së, fitorja në Prishtinë ishte e pamundur, por nëse kjo ishte rezultat i bashkëveprimeve të klanit Mustafa me klanin Thaçi-Veseli, kjo i irriton dhe e prish shijen e fitores së Prishtinës. Pavarësisht që Përparimi krijoi simpati, ai duhet të dijë në të ardhmen, por edhe në bërjen e qeverisë për kryeqytetin, se si t’i shmang ndikimet e këtyre klaneve dhe aleancave, tashmë të përhershme.

Isa Mustafa, ende nuk është deklaruar për bashkëpunimin me Grenellin, pas informacioneve se ai ka qenë në listën e lobuesve të Serbisë, ndërsa me ndikimin e tij, ra Qeveria Kurti 1, dhe në bashkëpunim me Thaçin ishin të gatshëm ta pranonin projektin fatal për Kosovën, ku ne do të humbnim disa qindra apo edhe mijëra kilometra katror, edhe në rastin më të mirë, nëse Kosova, sipas një projekti, do të merrte Preshevën dhe disa fshatra të saj dhe Bujanocit në vijën kufitare.

Ai nuk hezitoi t’i dilte në mbrojtje Grenellit, ish të dërguarit të presidentit Tramp për Kosovën, menjëherë pas vizitës private që e bëri në Kosovë dhe Serbi, ku duket se solli edhe ndonjë mesazh ‘sekret’, si ai se presidentja Osmani, po e fajëson Albin Kurtin për dialog në institucionet amerikane. Menjëherë morën energji zërat, sa të nisin të artikulojnë dëshirat për zgjedhje të reja.

Grenell sapo ishte akuzuar në Serbi se paguhej deri në 100 mijë dollarë në muaj për ta ndihmuar Serbinë.

Në vend se të distancohej nga bashkëveprimi i Thaçit me Grenellin, Vuçiqin dhe Ramën, ky e shpalli gënjeshtar deputetin Arben Gashin, që kishte zbuluar se Grenelli kishte ushtruar presion aq të madhë, sa ua numëronte kohën mbrapsht LDK-së, 7, 6, 5... të ditëve të mbetura.

Me këtë Mustafa argumentoi se ai ndodhej vullnetarisht dhe me dëshirë në bashkëveprim me Thaçin dhe nga asnjë presion.

Ai as sot nuk ka reaguar pasi është konfirmuar nga mediat serbe skema e pagesës së lobistëve të Serbisë në SHBA, ku përmenden Grenel dhe ish zv.ndihmës sekretari Pallmer, i dërguar për Ballkanin.

Por, ka filluar retorikën e ashpërsisë, që u hesht edhe në garën zgjedhore nga partitë dhe kreu i LDK-së Lumri Abdigjiku.

“Sivjet u krijua një sinergji jo vetëm e LDK-së por edhe e subjekteve të tjera opozitare për të mos ia lënë kryeqytetin Vetëvendosjes. Kjo sinergji, vlerësoj se nuk ishte vetëm rezultat i vlerësimit të qeverisjes së VV-së me Prishtinën për rreth një mandat e gjysmë por edhe i frikës nga VV-ja. Frikë kjo e instalimit të një pushteti arbitrar në nivel qendror dhe lokal, duke e pasur parasysh se aktualisht VV ka krejt pushtetin: Qeverinë, Parlamentin dhe Presidenten. Tani po tenton ta marr edhe shtyllën e drejtësisë përmes një Vetingu të kundërshtuar nga BE”, ka thënë sot në media Mustafa.

Nëse gjen mbështetje mendimi i Mustafës se LDK u zgjua nëpërmjet sinergjisë me PDK-në, ëndrrën e tij të atashimit (dërgimit të kompetencave) të LDK-së në PDK, atëherë dështimi do të vazhdojë,në partinë dikur model të udhëheqjes së shqiptarëve dhe të fitoreve vetanake.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat