(E plotësuar 18:15) - Rezoluta e AAK-së për projektin e gazsjellësit nuk miratohet në Kuvend
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë miratuar rezolutën e prezantuar nga AAK-ja, pas debatit rreth 6 orësh për projektin e gazsjellësit në Kosovë.
Me 46 vota kundër dhe vetëm 21 vota për, rezoluta dështoi të miratohet në legjislativ.
Në fillim iniciuesi i debatit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kërkoi një konsultë paraprake për të gjetur konsensus brenda grupeve parlamentare.
Pas përfundimit të debatit, kryetari i Kuvendit përmbylli punimet e seancës plenare, ku tha se njëjta seancë do të vazhdojë nesër në orën 10:00.
Ferat Shala ftesë publike Haki Abazit: Hajde debatojmë për SHIK’un, ama edhe për BIA’n
Ferat Shala nga PDK i është përgjigjur Haki Abazit pasi tha se duhet haptas të diskutohet për rolin e SHIK-ut në ndërhyrjet në ekonomi.
Shala tha se është i hapur për diskutime të tilla, veçse pjesë të saj ta bëjë edhe rolin e BIA-s.
‘Zotit Abazi i bëj ftesë publike që të shtrojmë në një debat në cfarëdo niveli don për cështjene SHIK’ut. Por me një shtesë, SHIK dhe bashkëpunëtorët e BIA’s në kontekstin ekonomik. A e ki të qartë’, tha ai.
Haradinaj: Kryeministri jonë ka orientim anti-amerikan
Projekti i gazit ka përplasur edhe deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj deklaroi se projekti i gazit është refuzuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka orientim anti-amerikan.
Haradinaj: Projekti u refuzua sepse kryeministri jonë ka orientim anti-amerikan
“Pse u refuzua ky projekt është se kryeministri jonë ka orientim anti-amerikan, pastër. Nuk besoj që e keni krejt ju, edhe ju lutem nëse edhe ju po e vëreni që ky vendim na largon e i shkakton pasoja kryeministrit tuaj të dashur së pari, e qeverisë suaj, e pastaj na i nxjerrni ato 5, 4, 3, 2, 1 neve, kujtoni që ne kemi faj, se ne tu nejtë atje në qoshe po mundeshim t’i tregojmë gjithkujt çka me bë. Ju lutem e keni momentin më bë ndonjë ndryshim , kemi një rezolutë, diskutojeni bashkë, le të vendos diçka LVV në atë rezolutë, PDK, partitë tjera”, tha ai.
Atij i ka reaguar deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, e cila pyeti se a ka marrë para prej kompanive të gazit që po e shtyn me kaq vullnet dhe pasion përpara.
Pacolli: A ke marrë para prej kompanive të gazit që po e shtyn me kaq vullnet e me kaq pasion
“Përderisa Biden po flet me largu gazin nga përdorimi e gjithë liderët evropian janë në të njëjtën linjë, të vetmet ata të cilët që janë duke e shtyrë shumë infrastrukturën e gazit me u instalu në vendet si Kosova dhe vendet tjera janë kompanitë e gazit. Pyetja ime është a ke marrë para prej kompanive të gazit që po e shtyn me kaq vullnet e me kaq pasion”, tha ai.
Deputetja Pacolli ka marrë përgjigje nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se Amerika strategjinë e ka kundër gazit rus.
Haradinaj: Amerika strategjinë kundër gazit e udhëheqjes së gazit e ka për gazin rus
“Është një gazsjellës në detin e veriut qysh e dini, Amerika është munduar me e pengu, evropianët janë duke e ndërtuar, është miliarda, Amerika strategjinë kundër gazit e udhëheqjes së gazit e ka për gazin rus edhe projekti jonë është në atë frymë. Nuk e di as kush e bënë, kur ka me e bë saktë operatori se nuk kanë dalë ato në ofertë për me vjedh prej tij, por fatkeqësisht ata që vjedhin mendojnë që krejt dynjaja vjedhin edhe qashtu shkon kjo punë”, tha ai.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj i është përgjigjur edhe deputetit tjetër të LVV-së, Dimal Basha sa i përket shkollimit të tij.
Haradinaj: E kam pasur një farë pune të vogël se e kisha krye edhe unë
“Ai kolegu më tregojë kur e kam kryer shkollën, e kam pasur një farë pune të vogël se e kisha krye edhe unë, veç u dashke me ju çliru njëherë do që nuk u lëkundeshin hiç”, tha ai.
Vazhdojnë përplasjet e Haradinajt me deputetët e LVV-së: Ti qenke mos vet hiç
Me t’u kthyer në sallën plenare pas pauzës një orëshe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka vazhduar polemikat me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas deklarimit të deputetit Dimal Basha për projektin e gazsjellësit, Haradinaj me ironi e ka quajtur të “mençur dhe mos vet hiç”, deputetin Basha. I njëjti ia ka kthyer Haradinajt se për dallim nga deputeti opozitar, ai fillimisht e ka kryer fakultetin, pastaj është kyçur në politikë.
Haradinaj: Se kam ditë qe keni shumë deputetë të mençur, ky qenka mos vet hiç
“Se kom ditë qe keni shumë deputetë të mençur, ia zbulova edhe një, pas atij mis gjyshja dhe akademik Bahtiri, e paske edhe këtë. Qenka një far, mos vet. Për besë po e kuptoj edhe rezultatin në Prizren, kuku për ju”, tha ai.
Deputeti i mazhorancës, tha se nuk pranon vlerësime për të mençur nga Haradinaj, pasi sipas tij, ai fillimisht ka hyrë në politikë, pastaj e ka kryer fakultetin.
Basha: Në krahasim me ty njëherë e kam kryer fakultetin, pastaj kam hyrë në politikë
“Zotëri Haradinaj me dal dikush tjetër, por po del po bënë vlerësime për të mençur. Po krahasim me ty njëherë e kam kryer fakultetin, pastaj kam hyrë në politik. T’i ke hyrë në politikë, pastaj ke marrë vesh që duhet m’i kryer shkollat”, tha ai.
Kurti: Frika për prishje të raporteve me SHBA janë të pavenda
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA nuk qëndrojnë “të varura nga një pe që mund të shkëputet”.
Ai tha në seancën e sotme të Kuvendit se Kosova nuk ka humbur asnjë fond nga projektet e MCC-së për energjinë, dhe se frika dhe paniku për prishje të marrëdhënieve me SHBA janë të pavenda.
Në seancën plenare të Kuvendit, ku po debatohet për projektin e gazsjellësit, Kurti tha se nëse viti i ka 52 javë, ai takohet 52 herë në vit me ambasadorin amerikan në Kosovë.
Kurti: Nëse viti i ka 52 javë, unë e takoj 52 herë në vit ambasadorin amerikan
“Nuk na kanë humbur asnjë fonde dhe s’ka dëmtim të raporteve me SHBA-në. Frika dhe paniku i tillë janë të pavend, s’ka nevojë askush t’i ketë dhe t’i shpreh publikisht t’i përcjell te të tjerët. Unë së paku një herë në javë e takoj ambasadorin amerikan. Sot kam takim po ashtu, nëse viti i ka 52 javë, unë e takoj 52 herë në vit. Rregullisht jemi në kontaktet me gjitha temat. Nuk është as aleanca dhe as partneriteti me SHBA dhe sigurinë kombëtare në njërën anë dhe as ai ekonomik dhe zhvillimor në anën tjetër i varur në pe. Nuk qëndron partneriteti jonë i varur për një pe që tash mund të shkëputet shumë shpejt. Prandaj ju lus të gjithë të keni më shumë besim në aleancën dhe partneritetit me SHBA-në”, tha Kurti.
Lidhur me debatin për gazsjellësin, kreu qeveritar tha se tre juristë që ishin më energjikët për debatin për energjinë, morën leksion nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, të cilën e quajti edhe profesoreshë.
Kurti: Tre juristë sot kanë marrë leksion nga profesoresha e ekonomisë
“Sot ka marrë një leksion të mirë profesoresha e ekonomisë, kjo është shpresëdhënëse për emancipimin. Më energjikët për debatin për energjinë ishin tre juristë dhe ishte shumë bukur si tre studentë të juridikut morën një leksion nga profesoresha e ekonomisë. Jo vetëm që morën leksionin, por kërkuan t’i zgjatet fjala asaj. Mund ta parashikoj si përfundon kjo, në fund të semestrit tre studentë të juridikut do ta admirojnë profesorin e ekonomisë”, shtoi ai.
Kuvendi i Kosovës ka shkruar në pauzë deri në orën 15:00.
***
Kryeministri Albin Kurti në seancën plenare të kuvendit ka replikuar me deputetët e opozitës lidhur me projektin e gazit për Kosovën dhe aleancën me SHBA-në.
Kurti ka thënë se e takon ambasadorin amerikan çdo javë, të paktën 52 herë në vit.
“Së paku një herë në javë e takoj ambasadorin amerikan, nëse viti ka 52 javë, unë e takoj ambasadorin amerikan së paku 52 herë në vit, rregullisht jemi në kontakt për të gjitha temat.Nuk është as aleanca as partneriteti me SHBA-në e as ai i sigurisë kombëtare e as ai ekonomik e zhvillimor i varur për një pe, nuk qëndron partneriteti dhe aleanca jonë në pe që tash mund të shkëputet shumë shpejt prandaj unë ju lus të gjithëve që të keni më shumë besim në aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sepse ky besim i juaji i ndihmon të gjithëve. Por s’mund të lëkundet një aleancë e tillë sepse tash veç është forcuar me qasjen tonë parimore dhe me planet tona afatmesme dhe afatgjata”, tha Kurti.
Tutje në fjalën e tij, ai tha se s’ka vend për frikë e panik.
“Kur vepron sot për sot pasdite je i trembur, kur nuk ke plane dhe strategji trembesh, sepse je sot për sot pasdite o ta marrim këtë projekt se shkuam posht, nuk është ashtu. S’ka vend për frikë dhe panikë, prandaj ju lus të gjithëve që jo vetëm të jemi demokratë por edhe racionalë. Unë nuk besoj që kemi rrugë tjetër, është e vërtetë që qeveria është tjetër, por për atë s’kam ç’ju bëj”, tha ai.
***
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se opsioni i projektit të gazsjellësit do të bëhet nëse është në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ministrja Rizvanolli, tha se së pari do të bëhet strategjia për energjinë dhe pastaj do të merren vendimet për projektet specifike.
Ajo tha granti i MCC-së prej 200 milionë dollarëve nuk është humbur dhe se marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë rrezikuar.
Rizvanolli: Së pari strategjia për energjinë, pastaj vendimi për projektet specifike
“Granti i MCC-së deri në 200 milionë dollarë nuk është humbur. Nuk ka pasur asnjë moment të vetëm që ka qenë i rrezikuar. Granti do të përdoret për investime që i kontribuojnë burimeve të ripërtërira të energjisë dhe zhvillimit të shkathtësive të trendëve, me fokus të veçantë te gratë. Marrëdhëniet me MCC-së, SHBA dhe asnjë institucion tjetër nuk janë rrezikuar në asnjë moment, ato janë të shkëlqyeshme... Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë dhe përdorimi i gazit si lëndë djegëse tradicionale nuk është përjashtuar. As një nga tri studimet e fizibilitetit për këtë çështje nuk kanë qenë të përfunduara deri në momentin kur kemi marrë vendimin që grantin e MCC-së ta shfrytëzojnë për diçka tjetër dhe nuk janë përfunduara ende. Janë përfunduar studime të para-fizibilitetit nga ana e MCC-së, studimi nuk ka përfunduar ende, por është dashur të merret vendim për shkaqe afate kohore të brendshme të MCC-së. Dy studimet tjera të fizibilitetit do të përfundojnë gjatë muajve në vijim dhe do të merren parasysh në hartimin e strategjisë së energjisë. Opsioni i gazit do të konsiderohet bashkë me opsione të tjera në kuadër të studimeve të opsioneve për furnizim të energjisë... Gazsjellësi do të bëhet nëse është në interes të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës dhe përputhje me strategjinë e Kosovës. Së pari bëhet strategjia dhe merret vendimet për projektet specifike”, tha ajo.
Lidhur me hartimin e strategjisë për energji, Rizvanolli tha se sot kanë filluar punën për hartimin e strategjisë kombëtare të energjisë 2022-2031 dhe deri në mars 2022 do të sillet në Kuvend për votim.
Rizvanolli: Sot kemi shënuar fillimin e punës të strategjisë kombëtare të energjisë 2022-2031
“Sot kemi shënuar fillimin e punës të strategjisë kombëtare të energjisë 2022-2031 dhe kemi prezantuar vizionin për de-karbonizim deri në vitin 2050, ndërkohë ruajmë sigurinë energjetike dhe përballshmërinë për konsumator. Po ashtu, do të rrisim përdorimin e energjisë së pastër dhe do të sigurojmë integrim rajonal të tregut të energjisë në radhë të parë me Shqipërinë por edhe vende të tjera”, tha Rizvanolli.
Në Kuvendin e Kosovës është zhvilluar një debat në mes të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kjo lidhur me çështjen e gazit dhe krizës energjetike nga e cila rrezikohet edhe Kosova.
Kusari-Lila ka thënë që Haradinaj i’a ka futur me debatin për krizën energjetike sot.
“Ramush aspak unë s’ia futa por ia ke fut ti për debat sot sepse në këtë kërkesë ti ke shkruar që Kosova rrezikon krizë energjetike, për këtë duhet me u diversifiku për gaz. E sot kriza energjetike është e shkaktuar si rrjedhojë e shtrenjtimit të çmimit të gazit në botë. E kjo nuk është vetëm për gazin rus”, ka thënë ajo.
Pas kësaj Haradinaj ka kërkuar replikë, duke pyetur se “A e kom përdorë unë fjalën ia ka futë a? Pernime po ju pys. Spo më kujtohet bre? Deformim të fakteve po, po kqyrne naj kun se a e kam përdor fjalën me të futme”, tha Haradinaj.
Kryparlamentari Konjufca i ka tërhequr vërejtjen, duke i thënë se “ka sinonime më të sjellshme”.
***
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, u është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës në Kuvend se asnjë zyrtar i vetëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk e ka cilësuar çështjen e projektit të gazit si problematik.
Ai duke iu përgjigjur kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, tha se duhet t’iu tregojnë qytetarëve pse dëshirojnë të përdorin Amerikën për të mbuluar interesat private dhe të atyre që kanë blerë toka rreth mihjeve të qymyrit.
Abazi: Asnjë zyrtar i SHBA-së nuk e ka cilësuar çështjen e gazit problematike
“Asnjë zyrtar i vetëm i SHBA-së asnjëherë, në asnjë moment nuk e ka cilësuar çështjen e gazit problematike, kështu që tregoni qytetarit të vërtetën që ekziston, e jo interesat që fshehën mbrapa projekteve... 17 vjet është tentuar të ndërtohet një termocentral qymyri me financa private, ju Haradinaj jeni njeriu që keni udhëhequr procesin e nënshkrimit të marrëveshjes me Contour Global, i cili e vendos Kosovën në pozitën më të vështirë të mundshme ndonjëherë të tranzicionit energjetik. Keni bërë marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit dhe keni bërë po ashtu marrëveshjen për blerjen e energjisë e cila trefishon koston e energjisë elektrike po të zbatohej për qytetarin. Do të thotë nuk është brengosje për qytetarin, është brengosje për përfitime të atyre që kanë blerë toka rreth mihjeve të qymyrit që një ditë ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën ato toka të shiten tek operatori i termocentralit. Kështu që, tregoni qytetarëve pse po doni në vazhdimësi për ta përdorur Amerikën për të mbuluar interesin privat dhe përfitimet e grupeve klanore”, tha ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të çojë përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).
Qeveria ka theksuar se Kosova ka nevojë për më shumë informata për të qenë më e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik, ndërsa MCC-ja ka afate të përcaktuara kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të saj.
Qeveria ka diskutuar për disa muaj me radhë me përfaqësuesit e MCC-së për këtë çështje.
Opozita në Kosovë i bëri thirrje qeverisë në disa raste që të shfrytëzojë projektin amerikan.
LIVE: E akuzoi për abuzim të shpronësimeve, Kurti i kundërpërgjigjet deputetes së AAK-së – ja çfarë i rikujton
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur rreth veprimeve që janë ndërmarrë për dy personat që kishte publikuar se po marrin pjesë në bllokimin e vendkalimeve kufitare në Jarinje dhe Bërnjak gjatë zbatimit të reciprocitetit në targa.
Ai duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, tha se pushteti gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhyjë në punën e gjyqësorit. Megjithatë, tha se sipas informacioneve që posedon, Prokuroria Speciale është duke hetuar rastin dhe pas kompletimit të procedurave do të veprojë sipas dispozitave ligjore.
Kurti: Në këtë fazë janë ende duke u zhvilluar procedurat e hetimit
“Në këtë fazë janë ende duke u zhvilluar procedurat e hetimit dhe pas kompletimit të tyre, Prokuroria Speciale do të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi për të sjellë drejtësi”, tha ai.
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se pse nuk ka ndodhur arrestimi përderisa të dy kanë qenë përballë Policisë gjatë kohës kur ka ndodhur bllokimi i rrugëve.
Berisha: Po flasim për kriminel në vendin e ngjarjes, përballë Policisë
“Po flasim për kriminel në vendin e ngjarjes, përballë Policisë dhe të njëjtit as nuk janë proceduar, as nuk janë shpallur në ndjekje, as janë arrestuar aty për aty. Meqenëse veç u dërgua a janë analizuar paraprakisht indikacionet se para zbatimit të vendimit për reciprocitet duhet të dërgohet njësia speciale dhe e dyta, a është përmbushur kjo detyrë në veri veçse janë dërguar forcat atje”, tha ai.
Në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kuri, tha se Policia ka bërë vlerësimet e veta të sigurisë dhe se po bëhet krejt çka mundet për këtë rast.
Kurti: Policia e Kosovës ka shkatërruar 40 grupe kriminale
“Policia e Kosovës në përgjithësi nga marsi i vitit 2021 deri më 15 nëntor 2021 ka shkatërruar 40 grupe kriminale me 257 persona të dyshuar, prej tyre pesë grupe kanë vepruar në nivel ndërkombëtar, dy në nivel rajonal dhe 33 grupe kanë vepruar në nivel vendi. Në kuadër të departamentit për hetime për periudhën 1 mars deri 15 nëntor sivjet është punuar gjithsej në 1 mijë e 191 raste, prej të cilave 975 raste të reja dhe 216 raste të bartura të hetimit të rënda, krimit të organizuar dhe terrorizmit. Po ua ndaj se si janë sipas kategorive, krim i organizuar krime kibernetike 43 raste, krime me narkotikët 507, krime të trafikimit me qenie njerëzore 101 raste, krime ekonomike dhe të korrupsionit 214 raste, raste të krimeve të rënda 108 dhe raste që kanë të bëjnë me terrorizëm 8”, tha ai.
Ai gjithashtu bëri të ditur se sot janë arrestuar dy të dyshuar për plaçkitjen e një argjendarie në qytetin e Prizrenit, ku kishin mbetur të plagosur dy persona.
Deputeti i PDK-së: Qeveria i tha jo zhvillimin energjetik dhe bashkëpunimit strategjik me ShBA-të
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se projekti i gazsjellësit është bazik për infrastrukturën energjetike.
Sipas tij, refuzimi i këtij projekti është t’i thuash jozhvillimit energjetik dhe bashkëpunimit strategjik me ShBA-në, dhe afrim të gazsjellësit rus në Ballkan.
Në seancën plenare ku po debatohet për projektin e gazsjellësit në Kosovë, Shala tha se ekzekutivi është dashur të ketë koordinimin më të madh me ShBA-në , Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për këtë projekt.
Shala: Projekti i gazsjellësit është projekt bazik për infrastrukturë energjetike
“Projekti i gazsjellësit është projekt bazik për infrastrukturë energjetike. Për ta refuzuar shtrirjen e infrastrukturës bazike energjetike është t’i thuash jo këtij zhvillimi, është t’i thuash jo bashkëpunimit strategjik me ShBA-të. Është t’i thuash po gazsjellësit rus në Ballkan, këtu mendoj se keni qasje të gabuar në politik”, tha ai.
Tahiri-Kurtit: Mos u zgërdhi, a pe sheh ku ke mbetur me 4 komuna
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, të tregoj pse e ka refuzuar projektin e gazsjellësit, duke i thënë “mos u zgërdhi, se puna është më serioze”.
Tahiri i tha Kurtit se i pëlqen “qasja e tij arrogante” madje i kërkoi të vazhdojë pasi siç tha ai, “çdo ditë du me t’pa qishtu”.
“Mos u zgërdhi, se puna o ma serioze, ju keni kërkuar nga qytetarët me bashkëqeveris me ta, të kanë refuzuar, ke ngjall pasiguri të madhe, ke ngjall frikë tek qytetarët, qeverisja jote e ka refuzuar projektin më të madh të rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Po më pëlqen arroganca jote jashtëmase, jam shumë i lumtur dhe çdo ditë dua të të shoh kështu, por po degradon vendi shumë me këtë arrogancë që e ke, këtë qasje që e ke”.
“Dil dhe jepu një shpjegim qytetarëve se pse e ke refuzuar projektin e gazsjellësit. Mos u fsheh, dil para qytetarëve dhe shpjegoje pse je kundër këtij projekti kaq të rëndësishëm, ku është problemi”.
Ai më tej shtoi se Kurti se ka mbetur me vetëm katër komuna, teksa ka përmendur se PDK-ja do të udhëheq me nëntë komuna.
“Se di a e ke kuptu se na patë lodh 14 shkurti, 14 shkurti. Ka ardh 14 nëntori. A e din me sa komuna me mbet kryeministër. A e din kryeministër se ke mbetur me 4 komuna që i përfshinë komplet 220 mijë qytetarë. Domethënë PDK-ja i qeverisë 9 komuna që i përfshinë diku 620 mijë qytetarë. Qe ku je mbet kryeministër, apo e sheh”.
Rizvanolli: Marrëdhëniet me ShBA-në nuk janë dëmtuar
Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli tha se marrëdhëniet me ShBA-në nuk janë dëmtuar edhe pasi Kosova ka marrë vendim që projekti për gazsjellësin të mos realizohet.
Ajo në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për këtë çështje shtoi se opsioni i ndërtimit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë nuk është përjashtuar dhe se kriza energjetike vije si pasojë e gazit.
“Marrëdhëniet me SHBA nuk janë dëmtuar në asnjë moment ato janë të shkëlqyera. Të gjitha këto kanë shprehur gatishmërinë për të na përkrahur edhe në mënyrë financiare. Opsioni i ndërtimit të gazsjellësit Shkup-Prishtinë nuk është përjashtuar. Energjia nga gazi nuk është energji e pasur”.
“Nëse bëhet apo jo gazsjellësi nuk do të ketë ndikim me ShBA. Kriza energjetike është për shkak të gazit. Ideja se gazi e ulë varshmërinë është e pakuptimtë. Prezantimi i çështjeve të gazit kinse ShBA po kërkojnë e ne po refuzojmë ko vetëm që nuk janë të vërteta por nuk i bëjnë nder marrëdhënieve tona me ShBA”.
Përderisa shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Mimoza Kusari-Lila tha se projekti i gazit për Kosovën sikur të merrte dritën e gjelbër nuk do të mund të realizohej deri në vitin 2028.
“Kriza aktuale energjetike botërore nga fillimi i shtatorit kur çmimet e energjisë pësuan rritje. Mungesat e kanë rritur çmimin e gazit dhe energjisë. Çmimet u rriten edhe në Evropë këtë të martë”.
“Të deklarosh se kosovar ka refuzuar gazin në mesin e tjerave është pamaturi. Tendenca e ndërlidhjes të Qeverisë Kurti 1 dhe Kurti 2 është pamaturi dhe përdorim i gjuhës populiste. Ndërlidhja e amerikanizimit është shumë interesat nga ju si opozitë. Sa i përket politikave amerikane të energjisë ShBA kërkojnë tu kthehen resurseve amerikane. Projekti i gazit për Kosovën sikur të merrte dritën e gjelbër nuk do të mund të realizohej deri në vitin 2028”.
Driton Selmanaj flet për raportin Kosovë-Amerikë
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, thotë se raporti i Kosovës me Amerikën nuk është çështje çmimi, por çështje strategjike dhe afatgjate.
Ai në seanën e Kuvendit gjatë diskutimit të projektin e gazsjellësit amerikan, kërkoi nga ekzekutivi që kjo cçështje të rikthehet për diskutim në parlament dhe të ratifikohet.
“Ju lutem mos e reduktoni në çështje të çmimit, sepse po të reduktohej në çështje të çmimit, unë jam i sigurt që as intervenimi i NATOS në Kosovë nuk do të ndodhte. Çështje të tilla duhet pa përtej aspektit ekonomik, ndoshta më së paku në aspektin ekonomik, edhe në kontekst të sigurisë dhe fuqizimit të subjektivitetit tonë ndërkombëtarë.” u shpreh Selmanaj.
Tutje ai tha se Kosova çdo herë kur i ka pas punët mirë me amerikanët, ka përfitu si shtet.
“Kushdo që flet sot dhe thotë që ne jemi mirë me amerikanët sepse përfaqësuesit amerikanë nuk kanë dalë në publik dhe me thanë shqetësimet e tyre për këtë temë, unë them që kjo qasje është gabim. Pse është gabim, sepse kur amerikanët fillojnë me partenrin e vet të flasin publikisht, atëherë i kemi punët shumë keq.”
Këto çështje sipas tij, duhet të zgjidhen me diskutime të brendshme, sepse të gjitha temat i kemi trajtuar bashkë me ta.
“Kosova s’është e vetëm një kryeministri”/Haradinaj ka një kërkesë për Kurtin
Deputeti Ramush Haradinaj ka kërkuar përgjgje nga Qeveria e Kosovës për refuzimin e projektit të gazsjellësit nga Shkupi në Prishtinë.
Ai tha se Kosova s’është pronë e një kryeministri dhe vendimet duhet të merren në interes të vendit.
“Mbyllja e derës ndaj aleatit tonë të përjetshem SHBA-së në kushte të rregullta do të nënkuptonte se Qeveria ka një plan akoma më të mirë se oferta amerikane për sfidën me energjinë elektrike? Nëse keni ndonjë plan të tillë kryeminister do të doja shumë ta shpalosni këtu. Mungesa e stabilitetit të engergjisë elektrike në Kosovë dhe furnizimi i pasigurt jo vetëm që shkakton probleme të natyrës bazike për jetë, por nënkupton edhe pamundësi për zhvillim ekonomik dhe refuzim të ecim përkrah rajonit dhe botës. Në asnjë rrethanë ne nuk guxojmë të dyshojmë dhe të kemi pasiguri për projekte dobiprurëse, të mbështetura dhe argumentuara me raporte, analiza, dokumente përcjellese të cilat kanë qenë nën monitorimin e organeve dhe partnerëve të njohur amerikanë”.
“Duke i ditur pengesat në zhvillimin ekonomik si furnizimi jo i sigurt dhe i mjaftueshëm me energji si pasojë e mungesës së infrastrukturës së rrejtit të energjisë, përfundime këto të nxjerra edhe në raportin sipas udhëzimeve të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), akti i refuzimit pa argument bindës tregon se Qeveria Kurti nuk ka besim as në shtetin e vet e as në aleatët tanë. Dhe sot para Amerikës kërkon të bëjë ekspertizë të minutës së fundit, duke hedhur pas analiza, raporte dhe hulumtime që janë realizuar tash e sa vite”.
Haradinaj i tha Qeverisë se po rrezikon shtyerjen e gjendjes me energji në kohë të pacaktuar, duke e ditur se investime të natyrës së tillë nuk ofertohen shpesh.
“Dhe përveç benefiteve në diversifikimin e sektorit të energjisë dhe përmiresimin e sistemi elektro-energjetik përmes rezervave të ernergjisë nga shërbimet ndihmëse në rrjetin e transmetimit ky projekt gjigant ka pasur beneficione tjera të jashtezakonshme në reduktimin e pabarazisë gjinore në sektorin e energjisë ku ka pasur fokus integrimin e grave dhe komuniteteve të përjashtuara nga shoqëria në planifikimin dhe vendimmarrjen e sekorit të energjisë. Apo ndoshta ndjeheni komodë edhe me gjendjen e treguesve të tregut të punës sa i përket aspektit gjinor? Nuk e di se si e mendon të ardhmen, si do të kerkosh tek aleatet e partnerët mbështetje për energjinë, nese pa asnje argument po hedh poshtë gjithë këtë përpjekje, investim të kohës, kapciteteve, resureve humane e financiare për zgjidhjen ideale që na është ofruar. Duke i njohur parashikimet për sigurinë energjetike në të ardhmen jo shumë të largët”.
“Përtej ngjyrimeve politike, Kosova ka ekspertë. Mendimi se vetëm ju i njihni proceset po na shkakton dëm të pakthyeshëm. Ju lutem ndaluni! Ju s’besoni as në vete dhe më pas as te aleatët.
Nuk keni marrë besimin për t’ia vënë themelet këtij vendi dhe të filloni nga zero, sepse Kosova nuk është zero. Kosovës i duhet të shikojë përpara, të guxojë të ndërmarrë investime të cilat na hapin dyert e zhvillimit ekonomik, që na hapin dyert e punësimit, zhvillimit të industrive, tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe pse jo të ndërmarrim hapa të jemi edhe liderë në rajon. Me veprimet tuaja jo vetëm që po vendosni barriera besimi te SHBA-ja edhe tek institucionet e Bashkimit Europian që këtë projekt cilësuan si projekt i interesave të përbashkëta. Mos harroni se çmimin e gabimeve tuaja të tanishme po e faturoni tek gjeneratat e reja dhe tek e ardhmja e Kosovës në raport me partnerët tanë strategjikë”.
***
Ngjarjet në veri, Hyseni pyet Kurtin se a janë arrestuar dy personat që i quajti “kriminelë” në Facebook
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hysen Berisha, e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti në Kuvend, për dy personat të cilët i ka postuar në rrjetin social Facebook, duke i quajtur kriminelë dhe organizues të ngjarjeve të fundit në Veri.
“I ke përshkruar biografitë e tyre si kriminelë, ju lutem na tregoni a janë arrestuar, a janë shpallur në kërkim dhe a janë proceduar nga Kosova si kriminelë që janë”, e pyeti Berisha, Kurtin.
Kryeministri tha se Prokuroria Speciale ka dërguar raportin informues lidhur me ngjarjet e bllokimit në magjistrale për dy pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, më datë 27 shtator, dhe më 15 tetor raportin përmbledhës ku janë të përfshirë edhe personat e dyshuar, Vlladisllav Dajkoviq e Igor Braunoviq.
“Pushtetit gjyqësor është i pavarur dhe pushteti ekzekutiv nuk mund të ndërhy në punën e këtij të fundit, prandaj na duhet të mbështetmi në tërësi në profesionalizmin e Prokurorisë Speciale. Bazuar në në informacione nga Prokuroria Speciale, drejtoria për hetime të krimeve të rënda është duke hetuar rastin e bllokimit të rrugve në Veri për veprat penale, sulmi kundër rendit juridik kushtetues, thirrje për rezistencë, pjesëmarrje në grup të organizuar dhe pengim i personit zyrtar. Prokuroria Speciale ka dërguar raportin informues lidhur me ngjarjet e bllokimit në magjistrale për dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak me datë 27shtator, raportin përmbledhës informues me 15 tetor 2021 ku janë përfshirë edhe personat e dyshuar, Vlladisllav Dajkoviq nga Mali i Zi dhe Igor Braunoviq nga Serbia. Ende janë duke u zhvilluar procedurat e hetimit dhe pas kompletimit të tyre, Prokuroria Speciale do të veprojë në pajtim me dispozitat ligjore”, tha Kurti.
Kurti: Nuk kemi problem me shpronësimet, por me plaçkitjen që është bërë në emër të shpronësimeve
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deputetes Time Kadrijaj, e cila pyeti në Kuvend se ‘a jeni kundër shpronësimeve në koncept dhe nëse nuk jeni kundër, sa shpronësime i keni bërë’.
Kurti tha se borxhet për shpronësime janë gjetur në vlerën prej 184 milionë euro dhe me zero buxhet të ndarë për to.
“Kemi gjetur proces të shpronësimit me keqmenaxhimm ne menjëherë kemi vepruar, kemi ndarë buxhet për ta ndarë borxhin e mbledhur, fillimisht gjatë rishikimit me 14.7 milionë euro kurse tash për vitin e ardhshëm 57 milionë euro, shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë për t’i mbuluar obligimet nga shpronësimet. Parcela e një personi për shpronësim që është vlerësuar 90 mijë euro në vitin 2012 duke mos ja bërë pagesën me kohë brenda dy vitesh siç e sheh ligji për cdo vit me nga 7 përqind është grumbulluar dhe sot ai person i merr 140 mijë euro”, tha Kurti.
Tutje kryeministri tha se Qeveria ka miratuar shpronësimet dhe shpronësimi si koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte të interesit publik.
“Shteti është në humbje ende pa u arritur vlera e interesit publik, ju shum mirë e dini se si disa këtej kanë blerë qindra hektarë tokë, për një ari tokë, 1 e 3 euro kanë paguar përderisa vlera reale ishte shumëfisht me e lartë në treg. E drejta e pronës është e garantuar me kushtetutë, kushtetua parasheh shpronësimin në rastin kur kjo bëhet për interesin publik. Nuk kemi asnjë problem me shpronësimin si koncept, e aq më pak kur kjo mundëson realizimin e projekteve në të mirë të publikimit. Ne kemi problem me plaçkitjen që është bërë në emër të shpronësimit, dyfishimi i vlerave të pronave nga zyra pasiqë ato fillimisht janë vlerësuar nuk është shpronësim, është hajni. Ne si qeveri kemi miratuar shpronësimin dhe shpronësimi si koncept do të përdoret sa herë që është e nevojshme për projekte të interesit publik, por asnjëherë nuk do të lejojmë që përgjatë rrugës të na dyfishohen vlerat siç ju ka ndodhur juve”, tha mes tjerash kryeministri.
Time Kadrijaj akuzon kryeministrin Kurti: Keni abuzuar me shpronësimet e rrugëve
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i ka thënë kryeministrit Kurti se qeveria e tij ka abuzuar me shpronësimet e rrugëve.
Kadrijaj në seancën plenare të Kuvendit e ka pyetur kryeministrin se a është i njëjti komision që ka bërë shpronësimet sikur në qeverinë Haradinaj.
“Keni abuzuar me procesin e shpronësimeve kryeministër, në qeverinë Kurti 1 dhe Kurti 2, unë e kam listën. A janë të njëjtit njerëz që e kanë bërë në qeverinë Haradinaj a është i njëjti komision, a janë të njëjtit njerëz në komision”, ka thënë ajo.
Kryeministri Kurti në kundër replikë ka thënë se drejtori i komisioni s’është më i njëjti dhe pagesat e shpronësimeve i kanë kryer pavarësisht se qeveritë tjera kanë hyrë në obligime.
“Ne kemi bërë më shumë anulime të shpronësimeve sesa shpronësime sepse dëshirojmë ta zhvillojmë vendin, drejtori s’është më i njëjti, dhe kosto përfundimtare për vitin 2020 ka qenë 5.6 milionë euro, ndërsa ne e kemi bërë pagesën në vitin 2021 , 1 milionë euro, pra qeveritë e kaluara kanë hyrë në obligime financiare dhe ne i kemi zhbllokuar pronësimet në rrugën Mitrovicë-Prishtinë dhe rrugën Podujevë-Besi e kështu do të vazhdojmë edhe më tutje”, tha ai.
***
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në vizitën e fundit në Beograd ka treguar se do të ndërtohet hekurudha Durrës – Prishtinë. Pa u ndërtuar këtë hekurudhë, Aliu tha se nuk do të ketë asnjë lloj lidhjeje me Serbinë.
Këto komente Aliu i bëri duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila e pyeti se “çfarë obligimesh keni marrë në Beograd?”.
“Të gjitha këto që po i thoni janë konkluza të juaja dhe mund të deklaroni çfarë të doni. Në Beograd ua kam bërë të qartë që do ta ndërtojmë hekurudhën Durrës – Prishtinë. Dhe pa e bërë hekurudhën Durrës – Prishtinë, nuk ka asnjë lloj lidhje tjetër me Serbinë. Edhe me Malin e Zi e kemi diskutuar shumë qartë hekurudhën Deçan – Plavë. Këtë ua kam sqaruar edhe në Beograd”, tha Aliu.
Ai shtoi se “kjo ka qenë detyrë e imja dhe e kam kryer detyrën time”.
Ai tregoi edhe planet e tjera për linjat hekurudhore.
“Prishtinë – Pejë, hekurudha që është aktuale do të modernizohet dhe e kemi futur në buxhetin e vitit që vie. Hekurudhën Klinë – Prizren do ta funksionalizojmë fillimisht, e më pas mbase do të vie puna te modernizimi. Kjo hekurudhë ka me qenë urëlidhëse mes portit të Durrësit dhe Prishtinës”, tha Aliu.
Kjo, sipas tij, do të mundësojë transportin e mallrave, proces i cili, siç tha Aliu, “mund ta shndërrojë Prishtinën në një vend nga ku mund të shpërndahen këto mallra”.
***
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ia ka përmendur xhipat e zi kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se i ka harruar interesat e qytetarëve.
Krasniqi tha në Kuvend se Kurti kishte premtuar pagë minimale 350 euro, ndërsa theksoi se tani disa familjeve u është vështirësuar ekzistenca.
“Para se të vini në pushtet, keni premtuar pagë minimale 350 euro…. Tani kur u afrua koha e zgjedhjeve lokale, vendosët t’i ndani nga 100 euro shtesë, por kjo nuk ju kreu punë, sepse edhe xhipat e zi, të cilët nuk mundem pa i përmend, sepse i patët kritikuar shumë sa ishit në opozitë, ndërsa tash nuk leni vend pa shkuar me ta”, tha Krasniqi.
Ajo tha se kjo paraqitje nuk i kreu punë partisë në pushtet gjatë zgjedhjeve lokale.
“Por nuk ju kreu punë as ajo paraqitje, sepse qytetarët tashmë janë të bindur se ju i keni vendosur interesat personale mbi interesat e tyre”, tha Krasniqi.
“Nuk e di a jeni në dijeni ju si qeveri për rritjen e çmimeve. Është vështirësuar ekzistenca për shumë familje, sepse çmimet janë bërë të papërballueshme, marrë parasysh edhe të ardhurat që ata i kanë qoftë nga puna që e bëjnë në sektorin privat, ku paga minimale është 170 euro”, tha paraprakisht deputetja e LDK-së.
Hisen Berisha akuzon Kurtin për kontrabandim të votave
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha në Kuvendin e Kosovës ka përmendur disa nga të gjeturat në Raportin e Progresit për Kosovën.
Ai tha se ka qenë shqetësuese sigurimi i dy votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për votimin e presidentes.
Berisha deklaroi se Kurti ka kontrabanduar dy vota në Kuvendin e Kosovës.
“Shkeljet burojnë nga dy pozita kryesore, nga ajo e presidentit dhe ajo e kryeministrit. Zgjedhjet e Shën Valentinit atë botë e përcaktuar shumicën përcaktuese, ku u thirr seanca konstituive për votimin e qeverisë dhe pastaj edhe ajo për emërimin e presidentes. Ajo çfarë u pa më pas si shqetësim serioz edhe në Raportin e Progresit të Këshillit të Evropës. Shumica përfaqësuese nuk i kishte votat e mjaftueshme ndaj presidentja disa orë para seancës e siguroi votën e z.Pacollit duke e kontrabanduar por as kjo nuk ishte e mjaftueshme. Kështu kryeministri i siguroi votën tjetër atë të deputetes Grainca duke e kryer veprën penale direkt në Kuvend”, ka thënë ai.
Më tutje, deputeti i PDK-së e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për shit-blerje të votave në Kuvendin e Kosovës.
“Presidentja dhe kryeministri po kërkojnë me të drejtë që të arrestohen ata që kanë konsumuar veprën penale të shit-blerjes së votës por jo edhe të kry protagonisteve të shitblerjes së votave në Kuvend. Kryeministri akuzoi qeveritarin e qeverisë së kaluar pikërisht për këto vepra për zhvatje, por vet zhvati së paku dy deputetë. Nëse nuk ia llogarisni vetes kjo do ët ndikojë në partneritetin evropian”, ka thënë më tutje Berisha.
Berisha përmendi edhe vizitat zyrtare që janë realizuar se fundmi në Kosovë. Ai tha se në përjashtim të vizitës së kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenkoviq, Kurtin e ka vizituar vetëm “Sorosi Junior”
“Kemi pasur vetëm një vizitë në Kosovë dhe atë në zyrën e Kryeministrit. Ka qenë ylli i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sorosi junior.”, ka thënë ai.
***
Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila në Kuvendin e Kosovës tha në këtë proces zgjedhor qytetarët dhe grupet politike treguan standard dhe kulturë të lartë.
Ajo para deputetëve të Kuvendit të Kosovës u bëri thirrje partive politike, shoqërisë civile dhe grupeve tjera që të fillojnë të mendojnë dhe të veprojnë në procesin e plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për zgjedhje.
“…Për diasporën dhe të gjithë qytetarët brenda vendit që presin reformë zgjedhore dhe fillimin e mirëfilltë të ndryshimit të Ligjit për zgjedhje ju konfirmojmë si pozitë se do të angazhohemi maksimalisht tashmë që procesi zgjedhor u përmbyll të fillojmë këtë proces shumë të rëndësishëm për ngritjen e procesit zgjedhor në standard edhe më të lartë dhe me pjesëmarrje të sigurt dhe kredibile të të gjithë atyre që duan të marrin pjesë në zgjedhje, brenda dhe jashtë vendit”, tha ajo.
Ndryshe, muaj më parë Lëvizja Vetëvendosje ishte shprehur se prioritet e ka plotësim-ndryshimin e Ligjit për zgjedhje për t’ia mundësuar mërgatës votimin në ambasada e konsullata. Mirëpo, ishte kundërshtar nga partitë opozitare, të cilët deklaronin se prioritet duhet të jetë reforma e tërësishme zgjedhore dhe jo një plotësim-ndryshim i tillë.
***
Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në seancën plenare që po mbahet tash, ka kërkuar nga qeveria e Kosovës që ta sjellë në Kuvend për miratim Ligjin e Pagave.
“Kryeministër një ndër ligjet më të rëndësishme që ju nuk e keni sjell në Kuvend është miratimi i Ligjit të Pagave. Ky ligj është dashtë të vijë në kuvend më 29 tetor të këtij viti, jo vetëm që nuk ka ardhë por të gjitha të dhënat që ne I kemi ky ligj s’do të ketë mundësi të vijë.Fatkeqësisht ka ardhë Ligji për Buxhet para Ligjit për Paga dhe se buxhetimi për këtë ligj në Buxhetin e vitit 2022 nuk ekziston. Kërkoj që sa më shpejt të nisin konsultimet për të sjellë këtë ligj në Kuvend. I pari është konsultimi me institucionet, sindikatat e pastaj edhe me neve”, ka thënë Tahiri në fjalën e tij në Kuvend.
Tutje, deputeti i AAK-së ka thënë që qeveria duhet ta thotë troç nëse s’ka vullnet ta sjellë këtë ligj para ligjvënësve.
“Ligji që e kam sjellë në Kuvend nuk është kontestu nga gjykata, ligji është gati, pagat kanë qenë të rritura, për mjekë, policë, shërbyes civilë për të gjitha kategoritë që janë të përfshira. Andaj kërkojmë nga ju që ta sjellni këtë ligj në Kuvend dhe ta buxhetojmë, ose deklarohuni që ju s’keni vullnet ta sjellni në Kuvend Ligjin e Pagave dhe ta thoni troç”, u shpreh Tahiri.
***
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se qytetarët kanë dëshmuar një vlerë të lartë civile dhe politike në zgjedhjet lokale që u mbajtën me 17 tetor të këtij viti si dhe në balotazh më 14 nëntor.
Ai tha se falë tyre, demokracia e Kosovës tani është në rangun e vendeve me demokraci të konsoliduar.
“Përmes këtij niveli të dëshmuar, vlerave civile politike si vetëdijes se qytetarëve se mund të bëjnë ndryshime kur duhen ndryshime është e qartë se tranzicioni në këtë segment ka përfunduar dhe se falë tyre, demokracia jonë tani bënë pjesë në rangun e vendeve dhe demokraci të konsoliduar. Në rrafshin përmbajtjesor ajo çfarë këto zgjedhje kanë nxjerr në pah është njohja me profilin e ri të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ai.
Më tutje, Krasniqi tha se ky standard nuk flet vetëm për zgjedhjet lokale por për mënyrën se si qytetarët e shohin të ardhmen.
“Ky standard nuk flet vetëm për zgjedhjet lokale të këtij viti por para së gjithash flet për qytetarët tanë se si ai e sheh qeverisjen dhe dobinë e qeverisjes, për mënyrën se si ai e sheh të ardhmen dhe çfarë e ardhme i duhet. Ky standard na imponohet të gjithëve pavarësisht se çfarë pozitash mbajmë”, tha ai.
Kryetari i PDK-së e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti që të bëjë leximin e duhur të mesazhit të qytetarëve të dhënë në zgjedhjet lokale, teksa shoti se qeveria duhet që t’i mbështesë të gjitha komunat njësojë.
“Unë dua të ftoj kryeministrin që të bëjë leximin e duhur të mesazhit të qytetarëve. Andaj i nderuar kryeministër dhe ju pjesëtarë të mazhorancës, qytetarët në nivelin lokal kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndryshme, por qeverisja qendror duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë dhe pa dallim”, ka thënë ai.