Policia e Kosovës sot ka arrestuar Leotrim Latifin njëri prej të dyshuarve kryesor për grabitjen e të martës në një argjendari në Prizren ku mbetën të plagosur dy pronarët e argjendarisë, babë e bir.
29 vjeçari, Leotrim Latifi nuk e kishte këtë grabitje të parën. Ai ka kryer edhe 19 grabitje të tjera të armatosura. Në vitin 2019, Latifi ishte arrestuar në Mal të Zi dhe ishte ekstraduar për në Kosovë ku dhe do të duhej të përballej me drejtësinë. Por, kishte ndodhë e kundërta. Pasi ai u lirua këtë vit nga paraburgimi, e u bë pjesë e një grabitje tjetër të rrezikshme, e që për pasojë pati edhe dy viktima të plagosur.
Madje dikur për arrestimin e tij Policia e Kosovës, kërkonte informacione të cilat do të paguheshin 5 mijë euro.
Më 11 dhjetor të vitit 2018, Policia e Kosovës përmes një njoftimi kërkonte bashkëpunimin e qytetarëve për arrestimin e tashmë 29 vjeçarit, Latifi dhe dy personave të tjerë.
Policia e Kosovës ofronte atë kohë shpërblim 5.000 (pesëmijë) euro, për cilin do që jep informacion lidhur me lokalizimin e të dyshuarve për grabitje.
Por sot Policisë nuk iu desh të jap shpërblim për ta gjetur Latifin. Atë në duart e Policisë “e dorëzoi” një postim në Instagram i të dashurës së tij.
Ata po qëndronin në një shtëpi pushimi në Batllavë, kur e dashura e tij postoi në Instagram një “story” ku u panë tabelat e veturës së të dyshuarit.
Kjo është kërkesa e Policisë e shpallur më 11 dhjetor 2018:
Prishtinë, 11 dhjetor 2018 – Ju njoftojmë se për rastet e veprave penale të grabitjeve Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante, është angazhuar në hetimin dhe arrestimin e të dyshuarve që dyshohet të jenë të përfshirë në këto vepra penale. Deri tani policia ka identifikuar dhe i ka futur në kërkim policor tre persona të dyshuar për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit mund të jenë të implikuar në rastet e grabitjeve që po hetohen.
Policia e Kosovës është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbuluar sa më parë këto raste dhe të sjell të dyshuarit para drejtësisë.
Megjithatë për lokalizimin sa më të shpejt të kryerësve të këtyre veprave penale, Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, që mund të kenë informacion për vendndodhjen e tyre dhe për këtë ofron shpërblim 5.000 (pesëmijë) euro.
Kjo kërkesë është bërë në konsultimit dhe koordinimit me Prokurorin e rastit dhe Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pasi që të njëjtit këta persona të dyshuar, konsiderohen me rrezikshmëri të lartë dhe aktualisht gjenden në arrati.
Andaj për ta ndihmuar lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe për ta mundësuar kapjen e tyre policia kërkon bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve. Çdokush që ka informacion për ta, t’ia kaloj ato policisë përmes linjave emergjente 192 ose në [email protected].
Policia e Kosovës për qytetarët që ofrojnë informacion, do të garantoj konfidencë të plotë.
Aksioni i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës për kapjen e Latifi u krye në ora 6 të mëngjesit të ditës së sotme.
Pos tij Policia ka arrestuar edhe të dyshuarin tjetër, Ibrahim Qadraku dhe një person të tretë i cili nuk është identifikuar ende.
Mësohet se arrestimi i Qadrakut është bërë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.