(E plotësuar 17:58) - Përfundon seanca plenare, vazhdon të hënën në orën 14:00
Ka përfunduar seanca plenare, ku në rend dite kanë qenë 36 pikat e mbetura nga seanca e së enjtes. Kjo seancë do të vazhdojë të hënën në orën 14:00.
Pasditen e sotme, organi më i lartë legjislativ ka miratuar 16 amandamentet dhe projektligjin për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.
Me 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim projektligji për Ndihmë Juridike Falas. Po ashtu, 62 deputetët kanë votuar pro në parim për projektligjin për Topografitë e Gjysmëpërçuesve.
Në parim është miratuar edhe projektligji për dizajnin industrial, mbrojtjen e konkurrencës, për deminim humanitar, shërbime këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural dhe projektligji për patentat.
Miratohet Ligji për Ndihmë Juridike Falas
Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për ndihmë juridike falas.
Ky ligj është miratuar me 67 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kryeparlamentari, Glauk Konjufca këtë ligj e quajti si shumë të rëndësishëm.
Kuvendi miratoi sot një sërë ligjesh.
Miratohet Ligji për Dizajnin Industrial
Është miratuar në Kuvend Ligji për Dizajnin Industrial.
Ky ligj është miratuar me 64 vota për.
“Konstatoj se me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin për Dizajnin Industrial.
Ngarkohet komisioni funksional dhe komisionet e tjera të përhershme që sipas afateve ta shqyrtojnë këtë projektligj dhe pastaj t’ia paraqesin Kuvendit raportin më rekomandime”, u shpreh kryeparlamentari Konjufca.
Miratohet Ligji për Mbrojtjen e Konkurrencës
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligji për Mbrotjen e Konkurrëncës.
Ky ligj u miratua pas votimit për të 62 deputetëve.
“Konstatoi se me 62 vota për asnjë kundër Kuvendi e miratoi në parim Projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, u shpreh kryeparlamentari Konjufca.
Bekë Berisha: Nuk kërkohet prej neve me cilësu askënd terrorist, PDK të kërkojë falje
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka thënë se deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu duhet të kërkojë falje për deklaratën e saj ku ka thënë se kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Bekë Berishës, personat e përfshirë në rastin e Kumanovës mund të kenë pasur synim realizmin e ëndrrës për bashkim kombëtar.
Berisha: Deliu duhet të kërkojë falje për deklaratën e saj për të akuzuarin për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut
“Por ti (Albulena Haxhiu) si duket e ke më të rëndësishëm i thënë diçka një deputeti tjetër apo me u fjalor, pastaj ndodhi ajo tjetra, të kisha lutë të rrish në temën që të intereson ty dhe ne e dhamë fjalën dhe kemi me votu ligjet. Ndërsa për deputeten dhe PDK-në i ftoj me u kërku falje familjeve për atë deklaratë, jo me i kërkua falje ministres se kjo ndodh që bëhet nervoz edhe kjo flet ashtu, mirëpo atyre familjeve, atyre njerëzve është tepër edhe nuk kërkohet prej neve me cilësi askënd terrorist, ndoshta ata janë njerëz që e kanë vazhduar atë ëndrrën për bashkim kombëtar, kjo është e rëndë, pres me reflektu”, ka thënë ai.
Në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur përplasje në mes të ministres Haxhiu dhe deputetes Deliu ku kjo e fundit ka thënë se kunati i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.
Ndërsa ministrja Haxhiu ka thënë se Deliu e ka fjalën për rastin e Kumanovës dhe sipas saj vazhdon të mbetët enigmë si ka ndodhur ai rast.
Kuvendi miratoi projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se përmes këtij projektligji agjencisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar do t’i mundësohet që të bëjë shitjen e sendeve, dhënien me qira ose dorëzimin e tyre për shfrytëzim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe konfiskuar është votuar me 69 vota për duke u mbështetur kështu edhe nga partitë opozitare.
Haxhiu: Intensiteti i punës së agjencisë për administrim e pasurisë së sekuestruar do të shtohet shumë shpejtë
“Përmes këtij projektligji, agjencisë për administrimin e pasurisë së sekuestruar apo të konfiskuar do t’i mundësohet që të bëjë shitjen e sendeve, dhënien me qira ose dorëzimin e tyre për shfrytëzim nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Intensiteti dhe vëllimi punës së kësaj agjencie do të shtohet shumë shpejtë për faktin se tashmë drejt finalizimit projektligji i ri për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të pajustifikueshme, andaj ky ndryshim në këtë fazë është shumë i nevojshëm me qëllim që të ruhet vlera e pasurisë së konfiskuar apo të sekuestruar dhe mundësia që kjo pasuri e përbashkët kundërvlera e saj të shfrytëzohet në të mirën e interesit të përgjithshëm”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se dispozitat e projektligjit parashohin që mënyra dhe procedura e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, të sekuestruara dhe të koksifikuara të rregullohen me akt nënligjor të cilin qeveria do ta miratojë.
Haxhiu ka thënë se hartimi i tij do të behët nga Ministria e Drejtësisë brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij projektligji.
Kuvendi miraton projektligjin për Provimin e Jurisprudencës
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar projektligjin për Provimin e Jurisprudencës. Me 61 deputetë në sallë, me 58 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime ky projektligj e ka marrë mbështetjen e Kuvendit.
Gjatë shqyrtimit të parë projektligjit për Provimin e Jurisprudencës ka pasur përplasje në mes të deputetëve të opozitës dhe ministres së drejtësisë Albulena Haxhiu e cila ka prezantuar projektligjin.
Opozita ka kundërshtuar ndryshimet që Haxhiu i ka bërë në këtë projektligj.
Ndërsa ministrja Haxhiu ka thënë se përmes këtij projektligji synohet avancimi i infrastrukturës ligjore për ngritjen e cilësisë dhe rritjen e transparencës në fushën e jurisprudencës.
Sipas saj, i njëjti adreson pengesat që janë identifikuar në të kaluarën gjatë mbajtjes së Provimit të Jurisprudencës.
Ajo ka thënë se mandati i anëtarëve të komisionit propozohen nga ministri i Drejtësisë por mandati do të jetë tre vjet pa mundësi riemërimi.
Haxhiu ka thënë se provimi i Jurisprudencës do të organizohet tre herë brenda një viti kalendarik.
Ndërsa ka shtuar se komisioni i raporton ministrit të drejtësisë pas përfundimit të secilit afat të provimit, dhe në raste tjera sipas kërkesës së ministrit.
Ajo ka thënë se komisioni do të përbëhet nga juristë që të cilët e kanë dhënë provimin e jurisprudencës e të cilët do të kenë tetë vite punë profesionale, nga 12 sa ishte në të kaluarën, pikë kjo që gjithashtu është kundërshtuar nga opozita.
***
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, derisa ka folur për procesin e Vettingut në drejtësi, iu drejtua ministres së këtij dikasteri, Albulena Haxhiut, se sipas tij BE-ja nuk mund t’i lë të zhvillohet ky proces “derisa ka staf të kriminalizum”.
Tahiri aludoi në vëllain e zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahut, për të cilin tha se merret me fajde.
“Ki staf, njerëz të kriminalizum, vëllai i zv/ministrit i involvum në fajde, jep pare me fajde, qet harraq, është ministër i drejtësisë.
Ku me të lënë BE-ja me bë Vetting, me u marr me konfiskim. Ju jeni kompromitum. Është e pamundshme…”, tha Tahiri.
***
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, se kunati i Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoninë e Veriut.
Deliu e pyeti Haxhiun se si takohet me homologët e saj, kur, siç tha, në CV i shkruan që “e ka të arrestuar kunatin për terrorizëm në Maqedoni".
“Një Ministre që vjen sot këtu dhe lëshohet në shpifje të pavërteta, kunatin e saj e ka të akuzuar për terrorizëm. Imagjinoni, Ministrja e Drejtësisë që vjen sot dhe më flet për sistemin e drejtësisë në Kosovë, e kunati i saj është i akuzuar për terrorizëm në Maqedoni, sot mua më jep e më mban leksione për sistem të drejtësisë. Si takoheni ju me homologë znj.Ministre, si e takon një Ministre të Gjermanisë, kur në CV’në tënde shkruan që kunatin e keni të arrestuar për terrorizëm në Maqedoni”, tha Deliu-Kodra.
Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe Haxhiu. Ajo ka sqaruar se rasti për të cilin po flet Kodra-Deliu është rasti i Kumanovës, duke shtuar se kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në sallë.
Tutje, Haxhiu ka thënë se ndoshta deputetja e PDK’së e di si ka ndodhur ky rast dhe është mirë të tregojë, duke thënë se zbulimi i këtij rasti është shumë i rëndësishëm për Republikën e Kosovës.
“Znj.Deliu, kur bën akuza të tilla duhet të rrijë në kuvend e jo të ik nga Kuvendi. Kjo nuk është formë e mirë e diskutimeve, sepse në momentin kur ka akuza të tilla ish dashtë me qëndru dhe jo me ik prej Kuvendi. Për ata që se dijnë, është fjala për rastin e Kumanovës. Le ta vlerësojnë institucionet e drejtësisë, sepse është një enigmë e madhe, se si ka ndodh ai rast. Ndoshta Blerta Deliu e din. Le të tregojë si ka ndodh rasti i Kumanovës. Pra, është mirë me e tregu sepse është shumë e rëndësishme edhe për Republikën e Kosovës si shtet, që shtetasit tanë që i kemi në Maqedoni me ditë çka ka ndodhë me ta, kush ka qenë prapa tyre, pra pres që të kemi informacione dhe nëse keni urdhëro edhe të diskutojmë për këto”, ka deklaruar Haxhiu.
**
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu është përplasur me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nga distanca në seancën e Kuvendit. Deputetja Deliu ka kërkuar fjalën sërish nga kryetari Konjufca, pasi ministrja Haxhiu ia ka përmendur emrin në fjalimin e saj, por Konjufca ka refuzuar.
“Kryetar ma jep fjalën, emrin ma ka përmend”, ka thënë Deliu.
Por Konjufca ka refuzuar t’ia jap fjalën.
“Blerta, mos e tepro allahile, mos të lutem”, tha ai.
Nga distanca, ministrja Haxhiu i ka reaguar Deliut e kjo e fundit i ka kërkuar të mos i flas por të dalë jashtë.
“Mos më fol, hiç mos fol dil jashtë”, i ka thënë Deliu ministres Haxhiu.
Pas kësaj, Haxhiu i ka kërkuar deputetes së PDK-së që të dalë në konferencë për media nëse do të flasë.
“Dil në konferencë për media arsyetohu”, ka thënë Haxhiu.
Deliu, Haxhiut: Nëse ka pasë lista për Provim të Jurisprudencës shkoni te organet e drejtësisë, mos e fshihni krimin
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu-Kodra i ka reaguar ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila tha se në të kaluarën ka pasë anëtarë të Komisionit për Provim të Jurisprudencës që kanë pasë lista se kush duhet ta kalojë këtë provim e kush jo.
Ajo i tha Haxhiut që nëse ka informacione të tilla duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë dhe jo ta fshehë krimin.
“Nuk do të doja kurrë që ministren ta shoh në rolin e saj paraprak si një opozitare, as ashtu nuk i shkon. Një ministre e cila ka përgjegjësi të madhe sot të flasë me kaq lehtësi për shkarjet e shumta. U përmendën shumë lista zonja ministre dhe habitem se si përmenden me kaq lehtësi këto lista e ju si ministre nuk e kryeni detyrën e juaj që t’i drejtoheni organeve të drejtësisë. Nëse e fshihni krimin është përgjegjësi e juaja publike që ju të drejtoni këtë argument që sapo e thatë në Kuvend në institucionet e drejtësisë. Nuk duhet të bëheni pjesë e fshehjes së krimit nëse vërtet kanë ekzistuar këto lista”.
Deputetja e PDK-së e ka akuzuar ministren Haxhiu se për shkak të presionit të saj janë vonuar rezultatet e Provimit të Jurisprudencës.
“Nuk desha ta përmend, por sapo më informuan që rezultatet për Provim të Jurisprudencës janë vonuar për një javë për shkak të presionit që ju si ministre e keni bërë. Unë do të doja të dija se pse ka pasë vonesa në këto rezultate sepse ka kandidatë të cilët presin dhe të cilët kanë pasë informacione që një javë më herët është dashur që të dalin rezultatet për kandidatët që i janë nënshtruar këtij provimi”.
Tahiri – Haxhiut: “Sallahu e ka vëllain e involvuar në fajde, s’keni kredibilitet për Vetting”
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka replikuar me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ku tha se u ka mundësuar noterëve që të kenë monopol, dhe sipas tij, kjo është arsyeja se pse gjykata e ka anuluar Provimin e Noterisë.
“Provimi i Noterisë ka qenë i organizuar jashtëzakonisht mirë. Ti s’ki me pasë qare pa i emëru qata noterë, sepse gjykata nuk mundët ta anulojë një proces të tillë dhe ti në të ardhmen do t’i emërosh qata noterë”, tha Tahiri në replikë me Haxhiun.
Më tej, Tahiri tha se kjo është edhe arsyeja se pse Bashkimi Evropian nuk po lejon të ecët përpara me Vetting, sepse sipas tij, s’kanë kredibilitet, duke akuzuar zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahun, se vëllai i tij është i involvuar në fajde.
“Pra, për herë të parë Vettingu nxirret si vërejte në Raportin e Progresit. S’mundet sepse ke ne staf njerëz të kriminalizuar. Ki zëvendësministër ku vëllain e ka të involvuar në fajde. Vëllain e ka të dënuar për haraq e fajde”, ka thënë Tahiri.
Por, e menjëhershme ka qenë kundër-replika e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i tha Tahirit se hallin e ka tek shkatërrimi i grupeve kriminale brenda Shërbimit Korrektues.
“Ju nuk keni të drejtë të flasësh në emër të gjykatës sepse unë mund të them se ti po ndikojshe në vendimin e gjykatës”.
“Ndërsa, sa i përket çështjes për zëvendësministrin, unë e di ku e ke hallin ti. Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, grupet kriminale që i ke pasur ti brenda Shërbimit Korrektues, t’i ka prishë Abelard Tahiri”, është shprehur Haxhiu
Selmanaj-Haxhiut: Mos fol gojë, pa nevojë
Driton Selmanaj i LDK-së, ka replikuar ashpër me ministren Albulena Haxhiu e cila ka folur për Ligjin për Provimin e Jurisprudencës.
Ajo akuzoi ministrin Tahiri se ka çuar lista mirëpo lidhur me këtë, hasi në kritika të ashpra nga opozita.
Driton Selmani, i tha ministres Haxhiu se në pushtet, nuk folet kështu, por nëse ka fakte, ato çohen në Prokurori.
“Kryetar, i ndjeri akademik, Mark Krasniqi e ka pasë një libër me titull ‘Mos fol gojë, pa nevojë’, dhe kam përshtypje se më së shumti i shkon kësaj ministre, s’po e përmendi. Thotë unë kam informata që Komisioni paraprak me listë kush me shku aty. Pa Aleksandër Lumezin dhe Fejzullah Hasanin s’ka mujtë asni listë me kalu, nëse ke lista coi more në Prokurori, Lumezi është hala kryeprokuror. Ministre, sa keni qenë deputete, në opozitë, najherë edhe shpifjet edhe fjalët e tepërta munden me u kuptu, jo me u mirëkuptu, po tash në pushtet, mos folni morë kësaj fjalë. Kush më garanton sot mu që ti s’e ke bo një listë edhe ia ke cu Komisionit? Unë muj me dyshu, po s’folet kështu”, tha Selmanaj.
Haxhiu: Për herë të parë Komisioni i Jurisprudencës s’ka pasë asnjë ndikim apo presion
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar për Projektligjin për Provimin e Jurisprudencës.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu në arsyetimin e këtij projektligji ka labvdëruar punën e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, derisa ka shtuar se është hera e parë që në këtë komision s’ka pasë asnjë ndikim apo presion.
“E di që kemi pasë debat për Komisionin për Provimin e Jurisprudencës. Tani puna e këtij komisioni sapo ka përfunduar dhe unë jap vlerësimet më të larta për punën që ka bërë Komisioni për Provimin e Jurisprudencës deri më tani, edhe gjatë testimit të kandidatëve në provimin me shkrim dhe edhe në provimin me gojë. Për herë të parë Komisioni për Provim të Jurisprudencës nuk e ka pasë asnjë ndikim dhe asnjë presion – as nga presidenca, as nga kryetari i Kuvendit, qeveria apo ministria e Drejtësisë. Prandaj i falënderohem në emër të ministrisë së Drejtësisë për punën e mirë, sepse është koha e fundit ku njerëzit të cilët e meritojnë duhet ta kalojnë provimin, vetëm ata të mirët duhet ta kenë të mundshme këtë dhe jo njerëzit që kanë lidhje me partitë politike apo familjarët e tyre”.
“Projektligji për Provimin e Jurisprudencës synon avancimin e infrastrukturës ligjore për ngritjen e cilësisë dhe transparencës në fushën e jurisprudencës dhe i njëjti ashtu adreson pengesat që janë identifikuar gjatë të kaluarës gjatë mbajtjes së këtij provimi”.
Kuvendi miraton projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private
Kuvendi i Kosovës në seancën që po vazhdon edhe këtë të premte, me shumicë votash (67) ka miratuar projektligjin për të Drejtën Ndërkombëtare Private.
Nga 72 deputetë sa ishin në sallë, në votim morën pjesë 67 prej tyre ku të gjithë votuan pro këtij projektligji.
Deputeti i AAK-së i kërkon Konjufcës të largojë produktet serbe nga byfeja e Kuvendit të Kosovës
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha i kërkoi kryepalrmanetarit Glauk Konjufca që produktet serbe të cilat shërbehen në byfenë e Kuvendit të largohen.
Berisha në seancën e sotme një pije, pra produkt serb ia vendosi Konjufcës tek ulësja. Po ashtu këtë produkt serb ai e vendosi edhe tek ulësja e kryeministrit, Albin Kurti.
Berisha tha se Konjufca kërkoi që të mos lejoj të shërbehet ky produkt meqë si parti kanë qenë të zhurmshëm ndaj prodhimeve serbe.
“Në byfe të kuvendit shërbehen pije të prodhuara nga Serbia. I kërkova kryetarit Konjufca që të mos lejoj të shërbehet kjo pije meqë si parti kanë qenë shumë te zhurmshëm kundër prodhimeve serbe. Dhe kanë qenë këmbëngulës për bashkimin e troje shqiptare”, tregoi Berisha.
***
Votohen marrëveshjet ndërkombëtare, mbështeten edhe nga opozita
Kuvendi i Kosovës në mbështetje edhe të partive opozitare kanë votuar marrëveshjen ndërkombëtare për ratifikimin e “Amendamentit nr. 1” të Marrëveshjes financiare për IPA 2018, nuk pati kuorum për votimin e kësaj marrëveshje, meqë kërkohej të jenë 80 deputetë në sallë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri the se ky subjekt parlamentar gjithmonë do t’i mbështes marrëveshjet ndërkombëtare, siç është edhe për këtë për projektin e ndërrimit të filtrave të TC Kosova B.
Tahiri: PDK gjithmonë konstruktiv për marrëveshjet ndërkombëtare
“Ky grup gjithmonë do të jetë konstruktiv në mbështetje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Pra, edhe në këtë rast GP I PDK, së mbështet ratifikimin e amandamentit. Renovimi i Kosovës B, është I rëndësishëm. Ne po hyjmë në periudhën e dimrit dhe pa dyshim se do të ballafaqohemi me pasojat e ndotjes së ajrit, ku një prej tyre janë edhe termocentralet”, theksoi ai.
Po kështu mbështetje për këtë marrëveshje, ofruan edhe GP i LDK-së, por shefi I këtij grupi, Arben Gashi ka qortuar ministrin aktual të Financave, Hekuran Murati se kur ishte VV në opozitë kanë kundërshtuar çdo herë marrëveshjet ndërkombëtare.
Gashi: Ne i mbështesim marrëveshjet, por ju si opozitë atëherë nuk bëtë një gjë të tillë
“Kjo marrëveshje ndërkombëtare për kualitetin e ajrit, janë me një rëndësi të veçantë. Si parti opozitare mbështesin votimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare, por ia rikujtojmë ministrit të financave të sotëm se sa ishte në opozitë këto marrëveshje ndërkombëtare me rëndësi financiare për Kosovën me një zell të jashtëzakonshëm i refuzonte dhe I kundërshtonte”, theksoi Gashi.
Edhe Besnik Tahiri shef i Grupit Parlamentar të AAK-së tha se do ta mbështesin këtë marrëveshje, por kërkoi nga pozita që edhe deputetët e tyre të jenë në seancë për votim pasi që kërkohet të jenë 80 deputet në sallë.
Tahiri: Ne ju mbështesim, por ju si pozitë nuk jeni të gjithë prezent në seancë për votim
“AAK e mbështet këtë marrëveshje, por në rend dite i kemi tri marrëveshje, ku duhet t’i kemi 80 deputet dhe nuk e di sot, ju si shumicë e I keni të gjithë deputetët e juaj dhe pastaj edhe subjektet tjera. Është me rëndësi që këto marrëveshje për shkak të kredibilitetit dhe nevojës që të kemi shumicën”, tha Tahiri.
Derisa deputetët kanë miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për NVM-të”, por as për këtë marrëveshje nuk ka pasur kuorum për votim.
Ndërsa, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës është shtyrë sërish për një seancë të radhës.
***
S’mund të ndryshohet lista e festave zyrtare për shkak të mungesës së Listës Serbe në Kuvend
Deputeti Fridon Lala nga IRDK ka paraqitur për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për festat zyrtare, por kjo s’arriti të kalojë për shkak të mungesës së deputetëve të Listës Serbe.
Lala tha se komuniteti egjiptian është i vetmi komunitet që i mohohet e drejta kushtetuese për të pasë ditën e tyre sikur komunitetet tjera.
Për t’u ndryshuar ky ligj kërkohen 11 vota të deputetëve nga komunitetet dhe në mungesë të atyre serbë s’mund të kalohet.
Për këtë kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se Lista Serbe sërish po i bojkoton seancat e Kuvendit, prandaj projektligji duhet shtyrë.
Deputeti i AAK-së Besnik Tahiri tha se e mbështesin kërkesën e deputetit dhe shtroi kërkesën që të ndryshojë lista e festave zyrtare për të eliminuar disa prej tyre.
“Si grupe parlamentare duhet të ulemi dhe ta bëjmë një rishikim të festave zyrtare, të cilat janë veç në Kosovë, për shembull Dita e Europës”.
Kuvendi shkon në pauzë në mungesë të ministrave, Konjufca: Qeveria të bëhet më serioze
Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë të detyruar prej 20 minutash për shkak të mungesë së ministrave të Qeverisë së Kosovës të cilët nuk ishin në seancë për të prezantuar projektligjet.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, kërkoi që Qeveria të bëhet më serioze dhe ministrat të jenë prezentë në seancë.
Konjufca: Qeveria të bëhet më serioze
“Pajtohem me Abelardin (shef i GP të PDK) që nuk është serioze. Duhet të jenë ministrat për besë t’i prezantojnë projektligjet se nuk mund të punojmë si Kuvend i Republikës kështu. (…) Shkojmë me një pauzë prej 20 minuta derisa Qeveria të bëhet pak më serioze”, deklaroi Konjufca.
Kryekuvendari arsyetoi vetëm ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që kishte kërkuar që projektligjet e saj të shqyrtohen më vonë për shkak të disa takimeve me përfaqësues të Komisionit të Venedikut.
Ndërsa Konjufca nuk arsyetoi mungesën e përfaqësuesve të tjerë të ekzekutivit që nuk ishin në sallë.
***
Ratifikohen dy marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës
Kuvendi i Kosovës ka miratuar dy marrëveshje ndërkombëtare.
Për ratifikimin e “Amendamentit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian, kanë votuar 83 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ndërsa, për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për NVM-të”, kanë votuar gjithsej 83 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ratifikimi i këtyre marrëveshje është mbështetur edhe nga opozita.
Gashi-Muratit: Për dallim nga ju, ne i mbështesim marrëveshjet ndërkombëtare
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi në seancën e kuvendit deklaroi se mbështesin ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për dallim nga Ministri i Financave Hekuran Murati që sa ishte në opozitë i kundërshtonte.
“Ne si parti opozitare deklarojmë përkrahjen e kësaj marrëveshje por ia rikujtojmë ministrit të Financave se sa ishte në opozitë këto marrëveshjet ndërkombëtare me rëndësi financiare për Kosovën me një zell të jashtëzakonshëm i refuzonte dhe i kundërshtonte”, tha Gashi.
Në rend dite është Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-060 për ratifikimin e “Amendamentit nr. 1 të Marrëveshjes financiare për IPA 2018, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi tutje tha se këto marrëveshje janë me rëndësi për Kosovën.
“Marrëveshjet ndërkombëtare me rëndësi financiare për Kosovën dhe marrëveshjet strategjike që kanë të bëjnë me interesin e qytetarëve drejtpërdrejt për kualitetin e ajrit janë me rëndëi të veçantë”, tha ai.
***
Me gati një orë vonesë ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, përpos kësaj, shumë deputetë nuk ishin të pranishëm në sallë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se në rend dite janë disa marrëveshje ndërkombëtare për të cilat duhet 80 vota.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të kthehen në sallë dhe të krijojnë kuorum, duke ua rikujtuar se paguhen nga populli.
“Vetëm 37 deputetë janë të pranishëm në seancë thërrisni deputetë tuaj sidomos LDK dhe AAK i ftojmë që të vijnë në seancë. Edhe PDK e Vetëvendosje le ti thërrasin le të vijnë më shumë”, tha ai.
***
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës.
***
Kuvendi i Kosovës do t’i vazhdojë punimet sot në orën 10:00 me 32 pikat e mbetura nga seanca e së enjtes.
ujtojmë se seanca plenare e të enjtes nisi me zëvendësimin e dy deputetëve nga radhët e PDK-së, me deputetët e rinj Rashit Qalaj dhe Isak Shabani, të cilët bënë betimin. Më pas, propozimit të PDK-së, me 80 vota për, deputeti Enver Hoxhaj u zgjodh nënkryetar i Kuvendit.
Pastaj, kryetarët e grupeve parlamentare shpalosën qëndrimet e tyre rreth mbarëvajtjes së zgjedhjeve të fundit lokale në Kosovë, me ç’rast falënderuan qytetarët e Republikës së Kosovës për maturinë dhe kulturën e treguar gjatë tërë procesit zgjedhor.
Tutje, seanca vazhdoi punimet me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve, për anëtarët e kabinetit qeveritar, të cilët iu përgjigjën disa prej çështjeve të ngritura.
Seanca vijoi punimet me debatin të thirrur nga Grupi Parlamentar i AAK-së, lidhur me veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MÇ-në.
Deputeti Ramush Haradinaj, si përfaqësues i AAK dhe iniciues i këtij debati, paraqiti rëndësinë e projektit, duke vlerësuar se ai mundëson përmirësimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, marrjen e përfitimeve ekonomike, krijimin e rezervave të energjisë, si dhe fuqizon përfshirjen e grave në sektorin e energjisë, duke reduktuar pabarazinë gjinore në këtë sektor.
Nga radhët e GP të LVV-së, fjalën e mori deputeti Haki Abazi, i cili kërkoi që projekti i Gazit me MÇ-në të mos shihet si projekt problematik dhe ashpërsues i marrëdhënieve me Amerikën. Andaj, sipas tij, diskutimi për këtë temë nuk duhet të shtrihet asnjëherë në këtë nivel. Përkundrazi, ai tha se një projekt i tillë fuqizon raportin e Kosovës me SHBA-të dhe përmirëson gjendjen e sektorit energjetik, e ky, siç tha ai, është edhe interes i Qeverisë së Kosovës.
Nga radhët e GP të PDK-së, fjalën e mori deputeti Ferat Shala, i cili e cilësoi të rëndësishëm projektin e MÇ-së, por që kërkoi informacione më të detajuara nga Qeveria. Ai parashtroi disa pyetje lidhur me përfitimet që Kosova do të ketë nga ky projekt dhe pasojat e tij, nëse nuk do të pranohet si i tillë.
Ndërsa nga GP i LDK-së, deputeti Driton Selmanaj tha se nuk duhet parë përfitimi i projektit vetëm nga aspekti ekonomik, por edhe në kontekst të sigurisë dhe të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ideja madhore e këtij projekti, sipas tij, është shtrirja në rrjetin e gazit dhe inkuadrimi i Kosovës në këtë rrjet.
Nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri tregoi se ky projekt ka tri elemente kyçe, si: sigurinë energjetike të vendit, sigurinë nacionale kombëtare dhe pozitën gjeostrategjike e gjeopolitike, si dhe partneritetin me SHBA.
Nga ana e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti paraqiti qëndrimet e tij, duke potencuar përparësitë që Kosova do të ketë po që se e aprovon atë pas rishqyrtimit të tij nga Qeveria. I pari i qeverisë ndër të tjera tha se Qeveria e Kosovës nuk i ka vënë kushte MÇ-së dhe as MÇ-ja nuk i ka vënë kushte Qeverisë së Kosovës.
“Ky është një raport partneriteti pa kushtëzime Thjesht Qeveria e Kosovës po bën me kujdes vlerësimin e projektit dhe ndikimin në çmimet e energjisë”, theksoi kryeministri Kurti.
Në anën tjetër ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se së bashku me kryeministrin Kurti sot kanë filluar punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, e cila njëherësh, sipas saj, është strategjia e parë e bazuar në të dhëna e studime.
Siç njoftoi ministrja, punimet në këtë strategji mendohet të përfundojnë në mars të vitit 2022 dhe pastaj do të sillet në Kuvend për miratim. Rizvanolli po ashtu potencoi se marrëdhëniet me SHBA-të dhe me MÇ-në janë të shkëlqyera dhe se asnjëherë nuk janë rrezikuar dhe nuk do të rrezikohen.
Debati parlamentar vazhdoi me një sërë diskutimesh nga deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre dhe të grupeve që përfaqësojnë, lidhur me çështjen në diskutim.
Anëtarë të Qeverisë, nga ana e tyre, dhanë sqarime në çështje të ngritura nga ana e deputetëve. Në fund të debatit, në cilësi të iniciuesit, deputeti Haradinaj paraqiti rezolutën e propozuar. Pas hedhjes në votim, me 21 vota për dhe 46 kundër Kuvendi nuk e miratoi rezolutën e propozuar.