Zekaj: Askush e as ministrja nuk duhet të ketë informata për hetime, pos nëse e ka bërë vetë kallëzimin penal

Aktuale

Zekaj: Askush e as ministrja nuk duhet të ketë informata për hetime, pos nëse e ka bërë vetë kallëzimin penal

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 18:29
Yll Zekaj

Yll Zekaj nga Instituti për Drejtësi i Kosovës i ka quajtur denigruese sjelljet e deputetëvë dhe ministres kur fyhen në Kuvend ashtu si ndodhi sot e nuk merren me punët për të cilat janë votuar nga qytetarët e Kosovës.

“Është denigruese për qytetarët e Republikës së Kosovës për votën e tyre drejtuar këtyre deputetëve, këtyre ministrave, për të bërë një jetë më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës, për të aprovuar legjislacion e jo për t’u fyer dhe për t’u ofenduar në baza personale me njëri-tjetrin”, ka thënë Zeka.

“Ka qenë një sekret publik që ka pasë edhe intervenime në provimet e jurisprudencës edhe në provimet e noterisë dhe në provimet tjera profesionale që janë organizuar nga ana e shtetit por nuk kemi pasur prova përndryshe do t’i krijonim  drejtpërdrejt në formë të kallëzimit penal drejtpërdrejt në Policinë e Kosovës.

“Dhe shpresoj që ministrja Haxhiu të ketë prova për këtë çështje të cilën sot e deklaroi dhe që e shpresojmë që e njëjta i ka dërguar këto prova në  prokurorinë dhe në policinë Republikën e Kosovës për arsye se e njëjta deklaroi se edhe janë duke u bërë disa hetime në lidhje me provimet e jurisprudencës të cilat janë marrë në atë formë".

Mirëpo Zekaj tha se askush, madje as ministrat nuk është dashur të kenë informacione mbi hetimet deri në ngritjen e aktakuzës, pos nëse ata persona vetë e kanë bërë një kallëzim penal.

“Përndryshe, fazat e hetimeve nuk janë publike dhe deri në ngritjen e një aktakuze nuk mundet asnjë ministër e as dikush tjetër të paktën nuk është dashur të ketë informata për zhvillime të hetimeve për çështje të caktuara nëse nuk është vetë ai person që e ka deleguar apo që e ka bërë një kallëzim penal dhe i cili është intervistuar nga Policia e Kosovës për të pajisur këto organe me prova që të zhvillojë një hetim dhe në fund të dalë me aktakuzë”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat