Analisti Artur Zheji tha në emisionin “As pro As Kundër” në ABC me gazetarin Baton Haxhiu se Kosova dhe Shqipëria do të jenë gati për t’u bashkuar në momentin kur të ndihen të barabartë. Zheji tha se domosdoshmëria e bashkimit është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet vendit që ka qindra vite që kërcënohet nga dy lobe që nuk e duan.
“Kosova është pronë e vetes. Nuk mund të blihet. Unë mendoj që në momentin kur në Shqipëri në krye të shqiptarëve do vijnë klasa politike patriotike të cilët besojnë se ka një arsye madhore për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Mendoj që më mirë është të forcohemi ekonomikisht dhe të bashkohemi duke respektuar identitetet reciproke.
Kosova ka një lloj xhelozie që nuk duan të ndihen inferiorë ndaj Tiranës. Kur të jemi vërtetët të barabartë do jemi gati. Domosdoshmëria e bashkimit është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet kombi. Armiqësia që kemi sot do të ndryshojë. Ne kemi qindra vjet që kërcënohemi nga dy lobe që nuk na duan dhe na shohin tepër. Nëse nuk bashkohemi do vazhdojmë të jemi të dobët. Nëse nuk bashkohemi do jemi akoma më të fuqishëm dhe shqiptarët nuk do duan më të ikin”, tha Zheji.
Zheji tha se shqiptarët kanë gabuar në momentin kur janë përpjekur të ndryshojnë për t’iu pëlqyer të tjerëve.
“Unë e kam të vështirë me fëmijët e mi të rrëfej gjerë e gjatë historinë e Shqipërisë. Ne po përgatisim breza të tërë për t’i larguar nga Shqipëria. Mund të kemi një zë të fortë për të ndaluar dramën. E njëjta gjë është edhe në Kosovë. A është ky shtegtim për një jetë më të mirë apo një dështim i klasave politike shqiptare si në Prishtinë, si në Tiranë. Ku gabuam? Ne nuk e kemi filluar nga respekti identitar i asaj që jemi.
Populli shqiptar ka pasur shanse të zhdukej. Nëse ne themi që kemi mbijetuar në mënyrë misterioze, ka një kuptim pse jemi shqiptarë. Ne jemi një kultivim i jashtëzakonshëm i anti-nacionalizmit. Ne nuk kemi asgjë që tregu e refuzon por shteti duhet ta mbajë. Kemi gabuar shumë sepse vlera jonë është të qenit këta që jemi dhe jo të ndryshojmë thelbin që t’u pëlqejmë të tjerëve. Ne jemi një komb që kishin emra katolikë dhe shkonim në xhami. Tani që jemi të lirë nuk dimë të administrojmë lirinë tonë”, deklaroi ai.