SBAShK-u nuk “heq dorë” nga greva: Prindërit të na mbështesin

Aktuale

SBAShK-u nuk “heq dorë” nga greva: Prindërit të na mbështesin

Më: 20 nëntor 2021 Në ora: 09:06
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, sërish ka kërcënuar me grevë nëse nuk miratohet Ligji për Pagat.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka ripërsëritur thirrjen ndaj qeverisë që të fillojë zbatimi i këtij ligji.

Ndërsa, ka paralajmëruar se nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk hynë në fuqi ky ligj, do të ketë protesta masive – madje edhe grevë të përgjithshme në tërë sistemin arsimor.

Tutje, Jasharaj ka thënë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për protestën e 4 dhjetorit, duke i parashikuar edhe masat sa i përket situatës me pandeminë COVID-19.

Por, ka kërkuar edhe përkrahjen e prindërve, për çka ka thënë se janë duke zhvilluar takime.

“Në takimet që kemi pasur me kryetarët e nivelit komunal ata duke e bartur mesazhin e punëtoreve të arsimit kërkuan që SBAShK të fillojë me veprime sindikale sepse ka muaj që kemi tentuar të ulemi e të bisedojmë për ligjin e pagave për të cilin nuk kemi asnjë informatë ku kryeministri Kurti madje edhe zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci e tha në se ligji është duke u punuar”.

“Mirëpo, nuk jemi thirrur asnjëherë dhe kemi dyshime se çka është punuar. Ne jemi duke bërë përgatitjet për protestën 4 dhjetorin sepse do të jetë në numër të kufizuar të njerëzve për shkak të Covid-19. Jemi duke zhvilluar takime me Këshillat e Prindërve duke kërkuar edhe mbështetjen e tyre”, ka deklaruar Jasharaj për EO.

Protestë të madhe me 18 dhjetor ka paralajmëruar ai, duke sqaruar se nëse edhe kjo masë nuk funksionon atëherë gjysëmvjetori i dytë në vend të ziles mund të nis me grevë.

Ka shtuar se po mundohen të bëjnë presion te Qeveria që të zgjidh çështjen përmes dialogut.

Në anën tjetër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, ka kërkuar nga SBAShK-u të mos kërcënojë institucionet me protesta në sistemin arsimor.

KMDLNJ kanë thënë se është bërë si rregull që SBAShK-u para çdo viti shkollor të kërcënojë me protesta.

Sipas TYRE, kjo Sindikatë, ka dëmtuar proceset mësimore në vazhdimësi dhe ka shkaktuar dëme të pariparueshme në arsim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat