Ka dhjetë vjet që ka filluar, por ende pa rezultat.
Dialogu Kosovë-Serbi nuk po përparon, e “mollë sherri” për këtë stagnim është bërë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Derisa pala e Kosovës po insiston se s’do të ketë Asociacion një-etnik, ajo serbe po kërkon me ngulm që Asociacioni të formohet me kompetenca eksekutive.
E, dikush procesin e dialogut tanimë po e sheh vetëm si improvizim.
Sipas, kryetarit të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiq, që dikur ishte ish-këshilltari politik i kryeministrit, Albin Kurti në Qeverinë “Kurti 1”, rezultatet e dialogut janë minimale.
“Dialogu në kohën e fundit është vetëm improvizim, nuk ka ndonjë dialog të thellë i mirëfilltë, dialog i cili e ka për detyrë sikur që u dashtë me pas njerëz të terrenit, ose më mirë me thënë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, përkundrazi e ka vetëm një improvizim dhe vetëm po vazhdon i tillë”, është shprehur Rashiq.
Sipas tij, dialogu deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat.
Ish-këshilltari i Albin Kurtit: BE-ja, fajtore për zvarritjen e dialogut
Rashiq me ironi thotë se duke parë ecurinë e mbarëvajtjes së tij, dialogu nuk do të përfundojë deri në vitin 2068, dhe për këtë e fajëson Bashkimin Evropian.
“Duke e ditur aftësinë e Bashkimit Evropian në këtë rast burokracinë e saj unë po pres që dialogu të vazhdojë deri në vitin 2068. Por, këtë po e them me ironi”, ka thënë kryetari Rashiq.
Sa i përket marrëveshjes së Asociacionit, sipas tij kjo e fundit është nënshkruar dhe se më nuk mund të refuzohet.
“Nëse e pranoni një ose dy, ose pesë a gjashtë pika të marrëveshjeve që janë nënshkruar kjo do të thotë që duhet t’i pranoni edhe ato pesë pika tjera të cilat janë të nënshkruara, por që nuk u zbatuan. Që do të thotë që konsideroj që marrëveshja nëse është bë dhe marrëveshjet të cilat nënshkruhen nuk prishen në mënyrë automatike në momentin kur vjen ndonjë administratë tjetër”, ka deklaruar ai.