(E plotësuar) - Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka – Nimani, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në ShBA.
Ajo është takuar dje me zëvendësndihmës – Prokurorin e Përgjithshëm të ShBA-ve dhe Këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz, me të cilin diskutuan rreth gjyqësisë kushtetuese në Kosovë.
Për këtë takim kanë njoftuar edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.
Kjo ambasadë përmes një postimi në “Twitter”, ka thënë se është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet vakante në të.
“Institucionet e pavarura të drejtësisë në Kosovë janë jetike për demokracinë e saj. Është koha që të zbatohen të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të plotësohen vendet e lira në Gjykatë”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në vizitë zyrtare në SHBA
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, Gresa Caka-Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare disaditëshe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Caka u takua me zëvendësndihmës Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së dhe këshilltarin për çështje ndërkombëtare në Departamentin e Drejtësisë, Bruce C. Swartz.
"Pasi që i shprehu falënderimin për ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të i kanë ofruar Kosovës dhe zhvillimit institucional të saj ndër vite, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, Caka e ka njoftuar Swartz me të arriturat dhe sfidat në gjyqësinë kushtetuese", thuhet në kumtesën e Kushtetueses.
Të dyja palët në vazhdim shkëmbyen pikëpamjet e tyre lidhur me mekanizmat më efektivë për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe rëndësinë e konsolidimit të sundimit të së drejtës në çdo vend demokratik.
Gjatë qëndrimit në Washington, kryetarja Caka-Nimani u takua edhe me zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), si dhe me përfaqësues të SHBA-ve në Komisionin e Venecias.
Vizitën e saj në SHBA, kryetarja Caka-Nimani e filloi fillimjavën e kaluar me pjesëmarrjen në Konferencën Ndërkombëtare me temë: “Të drejtat e patjetërsueshme dhe traditat e konstitucionalizmit”, organizuar nga Instituti Kellog për Studime Ndërkombëtare në Universitetin Notre Dame, në të cilën pjesëmarrës ishin gjyqtarë e kryetarë të gjykatave kushtetuese dhe supreme të shteteve anembanë botës, si dhe akademikë dhe ekspertë të shquar ndërkombëtarë në fushën e të drejtave të njeriut.
Duke qenë njëra nga panelistet kryesore në konferencë, ajo bëri një prezantim të detajuar përkitazi me traditën kushtetuese të Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në përputhje me parimet e mishëruara në Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me ftesë të Fakultetit Juridik në kuadër të Universitetit Notre Dame, Caka gjithashtu mbajti edhe ligjëratë mbi historikun dhe traditën kushtetuese të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.