Ish-deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës Alma Lama, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili ka thënë se do të votonte pro bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, nëse do të organizohej një referendum.
Ish-ambasadorja e Kosovës në Itali, ka thënë se kjo është një taktikë e Kurtit, për t’i ikur premtimit themelor të tij, me të cilin erdhi në pushtet, përcjell Bota sot.
Sipas saj, Kurti e din se ndërkombëtarët janë kundër kësaj ideje.
Reagimi i Lamës në Facebook:
Albini thotë se do të votonte pro bashkimit me Shqipërinë, nëse do të organizohej një referendum.
Çfarë taktike për t’i ikur premtimit themelor të tij, që është bashkimi i Kosovës me Shqipërinë.
Nga lider i kësaj kauze, me te cilën ka mobilizuar mijëra njerëz dhe ka ardhur në pushtet, tani thotë se është votues, nëse dikush tjetër e organizon.
Vaj halli të votonte dhe kundër…
Por, nga ana tjetër, ai e di shumë mirë se nuk ka kush e organizon referendumin, pasi ndërkombëtarët janë kundër, ndërsa përfaqësuesit politike janë bajraktarë.
Pra, as nuk i vjen radha të votojë, kështu që e ha pazari edhe këtë deklaratë “patriotike”…