Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka reaguar lidhur me situatën në Dragash, ku momentalisht është vendosur që votat me postë, të cilat e shpallën LDK-në fituese atje, të mos numërohen.
Gashi i LDK-së ka thënë se Xheladini i LDK-së është kryetar i Dragashit dhe deformimi i vullnetit të qytetarëve është sulm mbi demokracinë.
Tutje, ai premtoi se do të shfrytëzohen të gjitha mjetet ligjore që të mos lejohet përmbysja e vullnetit të qytetarëve.
“PRO vullnetit të qytetarëve dhe KUNDËR çfarëdo tavoline që synon deformimin e vullnetit të tyre. Nga verdikti i qytetarëve të Dragashit, Bexhet Xheladini është kryetar. Në kutitë e votimit është zëri i tyre, andaj nuk ka tavolinë që mund ta shuaj këtë zë, ngaqë është i shenjtë – është besim. Çdo përpjekje për deformim të vullnetit të qytetarëve është sulm mbi demokracinë. Do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore dhe do të trokasim në të gjitha dyert e partnerëve ndërkombëtar që monitorojnë zgjedhjet, në mënyrë që të mos lejojmë assesi përmbysjen e vullnetit të qytetarëve. Mbrojtja e demokracisë është detyra jonë. Dhe do ta mbrojmë gjithsesi”, shkruan Gashi.
Në mbrëmjen e së dielës së zgjedhjeve, PDK-ja shpalli fitoren në Dragash me një rezultat tepër të ngushtë, bëhet fjalë për më pak se 50 vota.
Megjithatë pak ditë më vonë, pas numërimit të votave të diasporës, KQZ-ja konfirmoi se LDK-ja ishte ajo që doli fituese.
Menjëherë pas kësaj, PDK ka çuar ankesë në PZAP, ku u vendos që këto vota të mos merren parasysh. Shabani i PDK-së pretendon se pjesa më e madhe e zarfeve me fletëvotime të supozuara që kanë ardhur nga Austria, Zvicra dhe Gjermania janë të organizuara nga më së shumti tre persona, të shkruara me dorën e njëjtë.
Këtë çështje, LDK-ja premtoi se do ta çojë në Gjykatë Supreme, ku përfundimisht do të mësohet se cilës nga partitë e vejtra i takon Komuna e Dragashit.