Kritikat e kryeministrit shqiptar ndaj Bashkimit Europian janë me vend, sipas ish-presidentit kroat Stipe Mesiç. Ndërsa ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku i sugjeron Ramës më shumë bashkëpunim me Kurtin.
Stipe Mesiç, ish-presidenti kroat, vendi i fundit i anëtarësuar në Bashkimin Europian, mendon se stabiliteti në Ballkan, nuk është me i miri. Madje ai i sheh normale kritikat e kryeministrit Rama ndaj vendeve të unionit, për vonesat në uljen në tryezën e negocimit.
“Këto kritika normalisht që do vijnë sepse Bashkimi Europian nuk ka një lider. Një lider i mirëfilltë duhet të zgjerojë dyert e shtëpisë së tij, të pranojë Ballkanin, t’i japë mundësinë e duhur siç e meriton. Të ngelesh jashtë vetëm për një individ nuk është e drejtë, nuk është korrekte. Sepse unë mendoj se jemi një familje që duhet ët bashkëpunojë, zgjerohet dhe të ofrojë mundësi për njeri-tjetrin,” – deklaroi Mesiç.
Mesiç ishte president i Kroacisë gjatë pjesës më të madhe të kohës së negocimit të shtetit me BE-në. Sipas tij zgjerimi është domosdoshmëri. Ndërsa ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku domosdoshmëri sheh bashkëpunimin mes Ramës dhe Kurtit.
Mesiç dhe Çeku ishin të pranishëm në konferencën e lidershipit ballkanik të mbajtur të dielën në kryeqytet.