Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për zëvendësimin e kandidatit të subjektit politik, Srpska Lista, Ivan Todosijeviq, i cili ishte certifikuar si asamblist i zgjedhur për Kuvendin Komunal të Zveçanit.
Ai është zëvendësuar me kandidatin e radhës nga i njëjti subjekt politik dhe me më së shumti vota Marko Stefanoviq.
Ky vendim i KQZ-së, për zëvendësim, vjen pasi Todosijeviq është dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale. Neni 29 i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pika Q, specifikon se kandidat nuk mund të jetë një person i cili është i dënuar me vendim të formës së prerë për vepër penale gjatë tri viteve të fundit.
Po ashtu, anëtari i KQZ-së, Florian Dushi, i cili referoi çështjen, bëri të ditur se edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin K095/20, ndër të tjera konstaton që fitimi i ulëses në mënyrë kundërligjore e bën të pavlefshëm mandatin e fituar.
Në muajin gusht, Gjykata e Apelit në Kosovë ka konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe, Ivan Todosijeviq, ishte dënuar me dy vjet burgim në nën akuzat për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.