Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme për rivotim në diasporë, për zgjedhjet lokale në Komunën e Dragashit.
Zemaj ka shkruar se fitorja e radhës e Bexhet Xheladinit do të përsëritet.
“Ndërkaq, kjo fitore më nuk mund të deformohet e as të mohohet. Bexhet Xheladini, fillimisht më 17 tetor e pastaj edhe më 14 nëntor, triumfoi në garën për të parin e Dragashit. Vendimi i papritur dhe i pabazë i PZAP-së, bëri që të anulohen të gjitha votat e mërgatës, ndërsa Gjykata Supreme, sot, morri vendim që të përsëritet votimi nga jashtë për këtë komunë”, u shpreh Zemaj.
Ai theksoi se është i bindur se Bexhet Xheladini do ta shënojë fitoren e tretë me radhë dhe do të jetë i pari i komunës së Dragashit.
Gjykata Supreme ka marr vendim që të përsëritet votimi nga jashtë Kosovës për Komunën e Dragashit.
Aktgjykimi i Gjykatës Supreme urdhëron KQZ-në që të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë për Raundin e Dytë të Zgjedhjeve Lokale për kryetar të Komunës së Dragashit.
"Ankesa e kandidatit të LDK-së Bexhet Xheladini është pranuar pjesërisht, teksa është refuzuar pjesa tjetër e ankesës ku kandidati i LDK-së ka kërkuar që votat e mëparshme me postë të përfshihen në rezultatin final".