T’i padisim serbët për krimet e luftës në gjykatën speciale!

Aktuale

T’i padisim serbët për krimet e luftës në gjykatën speciale!

Nga: Idriz Morina Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 18:53
Kosova e shkatërruar nga krimet serbe

Propaganda e fuqishme e klaneve mafioze e ka mbytur vullnetin e shqiptarëve për krimet e kryera nga serbët gjatë luftës në Kosovë.

Me dhjetëra masakra, mbi 12 mijë të vrarë, me mijëra femra e meshkuj të dhunuar, mijëra shtëpi të djegura e të shkatërruara, plaçkitje, vjedhje pasurie të luajtshme, para, ari dhe thuaja aspak procese gjyqësore, përveç atyre pak rasteve që u gjykuan nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavi.

Por, vetë shteti tashmë duhet të nxisë dhe t’i ndihmojë familjet e viktimave shqiptare, që të dërgojnë akuza, dhe prova para gjykatës speciale në Hagë, në mënyrë që të ndiqet çdo kriminel serb për të cilin ka informacion se është i përfshirë në krime lufte.

Që nga themelimi i gjykatës speciale, në fakt ende para se të fillonte punën ky institucion, zyrtarë të saj kanë bërë të ditur se gjykata do ta trajtojë çdo krim, pa dallime etnike.

Ky qëndrim është përsëritur edhe nga zëdhënësi i kësaj gjykate Michael Doyle pasi e filloi punën ajo, dhe nisën arrestimet e mëdha.

“Dhomat e Specializuara kanë juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krime të tjera sipas ligjit të Kosovës; që pretendohet se janë kryer midis janarit 1998 dhe dhjetorit 2000; që ishin kryer ose kishin filluar në Kosovë dhe ku autori ose viktima ishte nga Kosova ose Republika Federale e Jugosllavisë së atëhershme”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Michael Doyle.

Më vonë, kjo çështje është alarmuar edhe nga eksperti amerikan për Ballkanin Daniel Server.

Madje jehona që i kishte dhënë eksperti Server, ishte përkrahur edhe nga ish kongresmeni Eliot Engel, duke e shpërndarë edhe në rrjetet sociale të Komitetit të Jashtëm amerikan.

Por, ende Qeveria e Kosovës, as kjo e reja nuk po i jep jehonë kësaj mundësie, dhe që të ndihmojë viktimat e luftës, që t’i paraqesin provat dhe dëshmitë në Hagë.

Është më se e vërtetë se një gjë të tillë nuk e kanë lejuar, madje as nuk i kanë dhënë jehonë, që nga viti 2017, kur kjo u tha në Prishtinë në hotelin “Swiss Diamond” nga udhëheqësit e sekretarisë së gjykatës speciale në një takim të mbajtur me të ftuarit nga mediat, shoqëria civile etj.

Por, edhe atëherë thuaja asnjë media nuk u mor me këtë çështje. Ndërsa, unë për t’u siguruar se është ashtu, parashtrova pyetjen, se a ka mjete dhe kapacitete për t’i gjykuar krimet serbe, sepse janë në numër shumë më të madh.

Përgjigja e zyrtares ishte kështu, e parafrazuar, se gjykata speciale ka fonde të mjaftueshme dhe kapacitete për të gjitha proceset, sepse ato rriten sipas nevojës së rasteve!

Që atëherë, kjo gjë rri mbyllur, në mënyrë që gjykata speciale të shihet si antishqiptare, që gjykon vetëm shqiptarët, duke i minimizuar apo fshehur edhe vrasjet politike.

Pra, ende gjithçka po rrjedh, si e kanë përcaktuar Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, nëpërmjet SHIK-ut.

Ndërkohë, që mijëra dokumente, prova për krimet serbe në vend se të sistemohen dhe përgatiten, e pastaj të nisen për në Hagë, ato po rrinë aty dhe po vjetërsohen, ndërsa dëshmitarët vazhdimisht po vdesin.

Kjo ishte një përpjekje e përgjithshme e klaneve kriminale, në luftën e tyre speciale për të demonizuar gjykatën speciale, edhe pse për krijimin e saj u angazhua maksimalisht Hashim Thaçi dhe PDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat