Gazetari Marin Mema, njoftoi se sot në Shkodër është inauguruar busti i ri i poetit dhe një ndër kolosëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës.
Ai në një postim në Facebook theksoi se ky inaugurim u bë falë kontributit të shqiptarëve.
“Jam krenar që pas inisiativës së marrë pak muaj më parë, u inagurua sot në Shkodër busti i ri i poetit dhe një ndër kolosëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës. Prej kohësh gjendja e bustit të tij nuk e nderonte siç duhej emrin dhe veprën e këtij atdhetari, ndaj dhe me mbështetjen e shqiptarëve të thjeshtë Fondacioni “Shqipëria Tjetër” mblodhi fondet e nevojshme për të realizuar një bust dinjitoz në bashkëpunim me USA - Albanian Society”, u shpreh Mema.
Ai me këtë rast uroi edhe 28 nëntorin duke theksuar se identiteti ynë kombëtar duhet të jetë forca jonë!
“Fryma që duhet të na udhëheqë është pikërisht fuqia e veprës së figurave tona kombëtare! Kjo është forma më e bukur për t’ju uruar 28 nëntorin ! Bashkë jemi gjithmonë më të fortë. ❤️🇦🇱”, përfundoi Marin Mema.