Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hymkete Bajrami, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të zbardhin krimin që ndodhi në Gllogjan.
Ajo ka thënë se institucionet duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit dhe nëse është nevoja të kërkojnë edhe ndihmë ndërkombëtare.
“Zbardheni krimin në Gllogjan, kërkoni ndihmë edhe nga ndërkombëtarët. Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës duhet të japin përgjegjësi bashkërisht për mungesë të rezultateve në zbardhjen e vrasjeve në Gllogjan të Deçanit”, u shpreh Bajrami në Facebook.
Sipas Bajramit, nëse institucionet tona s’po bien në gjurmë të vrasësit/vrasësve, atëherë duhet kërkuar ndihmën të miqtë tanë.
“Në radhë të parë te institucionet e sigurisë amerikane. Prej pasluftës janë mbi 400 vrasje të pazbardhura. Secila vrasje duhet të zbardhet dhe posaçërisht vrasja e dy nxënësve dhe shoferit që ndodhi të premten në Gllogjan të Deçanit. Qeveria e Republikës së Kosovë nuk duhet të kursejë asgjë për të zbardhur vrasjen e trefishtë”, ka shkruar Bajrami.