Ish-Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë për AP se autorin e vrasjes së trefishtë në Deçan, Policia e Kosovës nuk do ta ketë të lehtë ta zbulojë.
“Është shumë rast i komplikuar dhe i vështirë për t’u zbuluar. Pasi s’ka asnjë një përshkrim të veturës ose targës. Përshkak të mënyrës s’i ka ndodh rasti, pasi nuk është vend i banuar, s’ka as kamera”, tha Qalaj.
“Unaza e Çeliktë” përdorët në çdo rast kur kemi pas informata për të dyshuarin, në këtë rast s’kemi pas asnjë informatë për të dyshuarin”.
Sipas tij, “vrasja fillimisht menaxhohet nga stacioni policor më i afërt, meqenëse ka qenë rasti shumë i ndjeshëm janë angazhuar edhe krimet e rënda”.
Departamenti për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë tha se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave në fshatin Gllogjan, por pranoi se hetimet “nuk janë të lehta”.
“I kemi disa indikacione, të cilat jemi duke i gjurmuar dhe jemi duke ecur përpara që t’i vërtetojmë. Disa rrethana na tregojnë se nuk do ta kemi të lehtë, por unë jam optimiste se do ta bëjmë”, tha prokurorja e rastit, Sahide Gashi, por pa dhënë detaje të tjera.
20 mijë euro shpërblim për atë që jep informacione për autorin e vrasjes në Gllogjan
Qeveria e Kosovës ka ofruar shpërblim prej 20 mijë euro për qytetarët që me informacionet e tyre mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.