Njoftimet e vazhdueshme për vizita dhe përpjekje për lirimin e të akuzuarve nga gjykata speciale, po i mbajnë të tensionuara familjet e viktimave të vrasjeve politike, figurave publike, të zyrtarëve dhe veprimtarëve të LDK-së.
Njoftimi i sotëm se edhe vendet e treta po garantojnë për lirimin në arrest shtëpiak të Hashim Thaçi, duke fajësuar gjykatën speciale dhe prokurorinë e saj po shihen si presion dhe atak ndaj drejtësisë.
Familja e Haki Imerit, veprimtarit të LDK-së, ish kujdestarit të Hashim Thaçi, ka reaguar nëpërmjet një shkrimi në Fb, duke ia kujtuar se tentativat e tilla, vërtetë nuk e ndihmojnë Hashim Thaçin dhe as të tjerët që janë të ndaluar në Hagë nga gjykata speciale, me akuzën për ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale’.
Familja Imeri vlerëson se tendencat e Edi Ramës për t’u përzier në gjykatën speciale, në vendosjen e drejtësisë e minojnë procesin.
Në vijim deklarata e familjes Imeri
Ata që përzihen në punët e drejtësisë u bëjnë edhe më keq të 'akuzuarve' në Hagë. Keshtu që nëse doni ta mbështetni drejtësinë mos provoni të ndërhyni në proceset që kanë filluar.
-Ndërhyrja në drejtësi nuk i ndihmon Kosovës, përkundrazi, në qarqe ndërkombëtare flitet dhe dokumentohet se kosovarët nuk po duken që janë të zotët ta bëjnë shtetin... politikanë dhe akterë opozitar po e përdorin influencën e tyre për të minuar drejtësinë që i bie se po shkelin mbi viktimat për llogari të të akuzuarve.
-Krerë të shtetit shqiptar duhet të jenë koshient për situatën 'artificiale' që po shkaktojnë me deklarata dhe veprimet e tyre 'pseudopatriotike' që konsiderohen; ndërhyrje flagrante në drejtësi.
-Deklaratat e Edi Ramës të herëpashershme në lidhje me Gjykatën Speciale dhe me procesin që ka filluar atje nuk i ndihmojnë procesit, por e shpërfaqin dyshime se Kryeministri shqiptar është kryekëput pjesë e marrëveshjeve që minojnë drejtësinë në Gjykatën Speciale.
Drejtësia nuk ndihmohet duke e penguar atë kështu pengoni vetveten dhe izoloni qytetarin shqiptar për interesa personale banditeske.
Familja Imeri