Aktgjykimi lirues i Gjykatës së Apelit ndaj Haki Rugovës nuk e ka befasuar të pandehurin.
Ish-kryetari i Komunës së Istogut, që u akuzua vitin e kaluar për korrupsion nga Prokuroria e Shtetit, ka thënë se gjatë gjithë procesit gjyqësor ka besuar se çështja do ta marrë këtë epilog.
Në një bisedë telefonike ai u shpreh se e ka pritur këtë aktgjykim, pasi ka besuar në pafajësinë e tij.
“Unë e kam kuptuar prej mediave aktgjykimin lirues timin nga aktakuza, sepse nuk e kam pranuar ende vendimin. E kam pritur këtë aktgjykim gjatë gjithë procesit, pasi kam besuar në pafajësinë time”, ka thënë Rugova.
Aktakuza e ngritur ndaj Rugovës në fundin e mandatit të tij si kryetar i Komunës së Istogut, sipas Rugovës ka qenë e motivuar politikisht. Por, ai thotë se ky proces gjyqësor nuk do të ndikojë në të ardhmen e tij politike.
” gjithë qëllimi i akuzave ndaj meje ka qenë aty [tek angazhimi im politik], por unë do të vazhdoj të jem i angazhuar si kryetar i Degës së LDK-së në Komunën e Istogut”, ka thënë Rugova.
Gjykata e Apelit e ka liruar nga aktakuza ish-kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili nga Gjykata Themelore në Pejë ishte dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1 viti, për konflikt interesi në nënshkrimin e tenderit për vëllanë e tij.
Sipas aktgjykimit rezulton Gjykata e Apelit ka gjetur se në veprimet e Rugovës nuk kishte dashje për kryerjen e veprës penale, pasi nënshkrimi i tij nuk mundësoi realizimin financiar për dhënien e tenderit.
Rugova akuzohej se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.